4 Tetor, 2017 - 5:34 pm
Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e parë të sezonit të ri, nesër mbrëma në Prishtinë.
Koncerti do të udhëhiqet nga dirigjenti kosovar Astrit Pallaska. Programi i cili është përgatitur për publikun, sjellë vepra të muzikës vokale nga epoka të ndryshme stilistike. Mes tjerësh në program janë përfshirë vepra nga: Anton Bruckner, Eric Whitacre dhe Carlos Alberto Pinto Fonseca.
Në koncert do të interpretohet edhe “Mesha e Agimit” për kor dhe orkestër harqesh nga kompozitori norvegjez Ola Gjeilo ndërsa do të interpretohet edhe premiera e veprës më të re të kompozitorit kosovar Drinor Zymberi. Koncerti do të mbahet të enjten (5.10.2017) nga ora 20:00 në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë.
Filharmonia e Kosovës hapi sezonin 2017/18 më 1 tetor me koncertin e Orkestrës së Filharmonisë me solistët mysafir, pianisten Maria Meerovitch, trumbetistin Sergei Nakariakov dhe dirigjentin Boian Videnoff. / KultPlus.com