6 Prill, 2021 - 6:25 pm
Suada Qorraj
Lidhja me personat më të dashur, ajo se çka jetuan së bashku, e ajo se çka lanë pas vetes, miqtë, muzika dhe kujtimet e mira që ndërtuan një pjesë të jetës, janë vetëm disa nga mënyrat se si mund të përshkruash albumin e ri solistik ‘Dedication’, të kitaristit Astrit Stafa, shkruan KultPlus.
“Albumi ‘Dedication’ për mua ka një vend të veçantë, sepse lidhet ngushtë me jetën artistike të familjes sime Stafa. Kam takuar si i ri shumë njerëz të mëdhenj falë prindërve të mi. Unë jam rrit në mesin e njerëzve të mëdhenj, si dhe kam shumë kujtime të mira nga ta. Andaj dhe e kam ndjerë që duhet tu dedikoj edhe pas vdekjes së tyre përmes formës më të bukur e cila është vet arti. Por, dhe pas vdekjes së prindërve të mi unë mallin, vajin, mërzinë e ktheva në punë ku dhe kam realizuar këtë album”, fillon kështu intervistën me KultPlus, Astrit Stafa duke shpjeguar se çka e shtyu atë të realizonte një album të tillë.
‘Kënga e Rexhës’, ‘Shkodra ka plot dashuri’, ‘Na çeli prapë thana’, ‘Një lule në Gostivar’, ‘Në Zabel erdha’, ‘Hajredin Pasha’, ‘Xhinxhile moj Xhinxhile’, ‘Pranvera filloj me ardhë’, ‘25 Gërsheta’, ‘A kanë ujë ato burime’, janë këngët që përshkojnë këtë album, të sjella në mënyrë mjeshtërore nga kitaristi, për të cilat ai thotë se përzgjedhja e tyre ka qenë si rrjedhë e shpirtit, por dhe muzikës që ka qenë përherë pjesë e përditshmërisë së tij.
“Përzgjedhja e këngëve ka qenë si rrjedh e shpirtit duke e pas parasysh që familja ima ka qenë nikoqir dhe mikpritëse gjithmonë për artistët mbarë kombëtar. Arsyeja tjetër është se muzika klasike shqiptare dhe ajo popullore artistike kanë mbizotëruar tek ne”, pohon ndër të tjera Stafa.
Tutje ai ka shtuar se ideja për realizimin e këtij albumi ka ekzistuar tash e një kohë, mirëpo në një formë pak më ndryshe, që mori kahjen që ka sot pikërisht pas vdekjes së nënës së tij, por dhe artistëve të shumtë.
Secila këngë e ‘Dedication’ është e shoqëruar me videoklip, incizimet e të cilëve janë bërë në objektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e për të cilën Stafa thotë se është vendi më i përsosur për të vizualizuar përmbajtjen artistike, shpirtërore dhe dedikuese të albumit./ KultPlus.com