Astrit Stafai dhe Florent Boshnjaku publikojnë albumin “Aura”, gjashtë krijime unike që hyjnë brenda hyjnores së artit muzikal

6 Mars, 2025 - 9:30 pm

Era Berisha

Kitara dhe pianoja, dyshja që përherë të qon në qiellin e shtatë, kësaj here ka vendosur të jetë pjesë e pandashme e madhështisë së albumit më të ri që titullohet, “Aura”. Ky koncept i veçantë në të cilin kitara përplaset në përqafime me pianon, është krijim origjinal i kitaristit Astrit Stafai dhe kompozitorit Florent Boshnjaku të cilët kanë bashkëpunuar për këtë album të shumëpritur. Dyshja ka vendosur që instrumentet të gumëzhijnë këndshëm si rrahjet ritmike të zemrës, duke gdhendur kështu në kujtesë një aurë e cila tregon një histori të patreguar, delikate dhe krejtësisht të guximshme, shkruan KultPlus.

“Aura”, albumi i përbashkët i dyshes ka ardhur si proces i një pune të gjatë në studio për një projekt krejtësisht tjetër. Arti, muzika dhe njohja e tyre përreth njëzet vite, ka bërë që ata të vendosin mbi krijimin e një albumi që veçse i ka kaluar koha që të bëhej publik. Së bashku, ata kanë lëmuar tingujt e egër, të butë duke krijuar kështu një album që i përgjigjet nevojës së përhershme për muzikë të mirëfilltë. Akordet e pasura e të thella kanë shkaktuar një kaos të bukur prej melodish që tashmë të gjithë kanë mundësinë ta përjetojnë brenda vetes.

Kitaristi Astrit Stafai dhe kompozitori Florent Boshnjaku kanë shkrirë forcën e tyre në “Aura”, albumi i cili përmban një material shumë të veçantë për nga përmbajtja. Ekziston një shije dhe stil shumë unik në aspektin muzikor si dhe atë artistik. Ata kanë shkulur harmoninë e secilit instrument në një të vetëm, duke formuar një univers të rrallë e të zhurmshëm.

Në këtë album është bërë një gërshetim i zhanreve të ndryshme muzikore që ka rezultuar në krijimin e një koncepti më ndryshe, falë punës përkushtuese dhe eksperiencës së dy artistëve. Janë gjithsej gjashtë krijime të cilat janë kompozuar nga vetë artistët. “Far Away”, “Aura”, “Memories”, “Red Rose”, “Roots”, “Sunset”, janë instrumentalet që arrijnë të hyjnë brenda hyjnores së artit muzikal.

“Tek ne artistët, frymëzimi është prezent pothuajse gjatë gjithë kohës, por ajo çka është më e rëndësishme në botën e artit është se si ta shfrytëzojmë frymëzimin në kohën e duhur. Procesi gjatë realizimit të albumit ka qenë fenomenal. E kemi shiju çdo moment gjatë punës, ka pasur energji super të mirë, dhe sa i përket sfidave i kemi kalu shumë lehtë sepse e kemi pasur të qartë programin se çka do bëjmë dhe realizojmë”, ka thënë kitaristi Stafai për KultPlus.

Sipas tij, instrumentalet e albumit vijnë në një frymë ndryshe, të kombinuara me një diversitet muzikor, ndërsa përmbajtjen e albumit do ta quante si “World Music”, mirëpo, natyrisht që nuk janë lënë anash as elementet e muzikës shqiptare.

Kitaristi Stafai ka një kohë të gjatë që bashkëpunon me producentin Boshnjaku nëpër projekte të ndryshme, koncerte e festivale. Punën e tij, kitaristi Stafai e konsideron si diçka të jashtëzakonshme të cilën e vlerëson shumë.

Ai tutje për KultPlus ka treguar se titulli i albumit, “Aura”, ka rrjedhë si pasojë e punës së pandalshme gjatë realizimit të tij. Është i titulluar i atillë për arsye se materiali përmban një anë shpirtërore në të cilën shfaqen ngjyra të muzikës spirituale apo të ngjajshme me atë të muzikës “Buda Bar”.

“Temat e instrumentaleve i kemi realizuar kryesisht me kitarë dhe piano, në ndërkohë pastaj i kemi orkestruar secilën temë apo instrumental edhe në aspektin e produksionit. Pra, nuk është material i realizuar vetëm akustik, por ka edhe aranzhime dhe produksion”, thotë Stafai.

Ndërsa, albumi “Aura” tashmë është i publikuar në kanalin YouYube, dhe shumë shpejtë pritet të promovohet edhe në platformat e tjera dixhitale si: Spotify, Diezer, etj.

Kitaristi Stafai për KultPlus ka thënë se albumi deri më tani është mirëprit tejet mirë, si koncept e gjithashtu edhe si muzikë. Pra, realizimi në tërësi është pëlqyer shumë. Ndërsa, në fund të kësaj interviste ai ka shfrytëzuar rastin për të falënderuar producentin Florent Boshnjakun për bashkëpunimin, Adriatik Asllanin dhe ekipin e tij për realizimin e xhirimeve të videove.

Realizimi i albumit “Aura” është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Të ngjajshme