Atmosferë speciale e karnavaleve në rrugicat e kalldrëmta të Gjirokastrës

26 Mars, 2022 - 1:00 pm

Karnavalet ishin kryefjala e kësaj fundjave në qytetin e Gjirokastrës shoqëruar  me një program të larmishëm aktivitetesh organizuar nga Bashkia.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar foto nga atmosfera festive në qytetin e gurtë.

“MIRËMËNGJES , dhe me atmosferën speciale të karnavaleve në rrugicat e kalldrëmta të Gjirokastrës, ju uroj një fundjavë të bukur”, shprehet Rama krahas fotove.

” Festa e karnavaleve” ka përfshirë organizimin e paradës së fëmijëve me kostumet shumëngjyrëshe në rrugët e kalldrëmta, koncerte artistike, çeljen e ekspozitave fotografike me imazhet e karnavaleve në vite, ekspozita në pikturë, promovimin e vlerave të traditës, folkut, kulinarisë artistike, etj.

Aktivitetet janë zhvilluar në zonën historike duke tërhequr turistët si dhe në pjesën moderne të qytetit. Sipas kryetarit të bashkisë Flamur Golemi,  Bashkia e Gjirokastrës nëpërmjet këtyre aktiviteteve bëri të mundur rikthimin e organizimeve në Festën e Karnavaleve, e cila është një traditë e veçantë për qytetin.

“”E kemi konceptuar këtë festë edhe për ti shërbyer gjallërimit të qytetit, promovimit të vlerave të tij dhe tërheqjes së grupeve turistike”, shprehet kryebashkiaku Golemi. Organizimi i karnavaleve synon të kthehet në traditë të përvitshme në Gjirokastër.

Gjirokastra ka festuar karnavalet që në vitet  ’20 – ’30, e dëshmuar kjo edhe nga fotot historike ku kostumi tipik i kësaj dite ishte ai tradicional i zonës, fustanella labe.

Kjo festë u rikthye 2 vite më parë pas më shumë se 6 dekadash mungesë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme