Audicioni për hapjen e dyerve drejt ëndrrave të mëdha

22 Tetor, 2018 - 7:45 pm

Programit BRICK 1 (“Building Resilience in Individuals and Communities in Kosovo”), i krijuar nga organizata CDF, zbatuar nga organizata “Integra”, CCPA Kosova, ICK dhe instituti “Columbus”, ka filluar zbulimin e atyre që duan të këndojnë ose t’u bien instrumenteve me qëllim të krijimit të “klubit muzikor” me nxënësit e këtyre dy shkollave në Kaçanik. Jo pak janë ata që kanë ëndrra të mëdha, e audicioni është një mundësi që ua hap dyert. Aroma Troni ëndërron të ngjitet në një skenë të madhe. E adhuruara e saj është Dua Lipa, prishtinasja që rroku vëmendjen e botës menjëherë pas publikimit të këngëve të para në Londër. Ëndrra e Tronit, 16 vjeçe, është që një ditë të këndojë krah për krah me Lipën, e cila kthen sytë e botës nga Kosova kur organizon koncerte në Prishtinë. Për kaçanikasen Troni s’ka rëndësi se ku do të këndonin bashkë.

“E adhuroj Dua Lipën”, thekson Troni, me emocione në korridorin e gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik, pasi këndoi në ambientet e bibliotekës para jurisë së përbërë nga instrumentisti e profesor universitar Edon Ramadani dhe Adelina Haxhani. Troni ka zgjedhur këngë të artistëve të tjerë botërorë që t’ia mbushë mendjen jurisë se ka zë të fuqishëm.

Reagimet e Ramadanit dhe të Haxhanit i kanë dhënë zemër tinejxheres nga qyteza jugore e Kosovës.

“A mund të na këndosh edhe diçka tjetër?”, i drejtohet Ramadani fytyrëqeshur, i mahnitur me zërin e Tronit. Rioshja merr edhe më shumë zemër nga reagimet e jurisë. Ia thotë një kënge të fuqishme të artistes britanike Adele.

Me shpresë se emri i saj do të jetë në mesin e të përzgjedhurve, Troni kishte hedhur të premten çantën krahëve dhe lëshohej shkallëve të gjimnazit për në shtëpi. “Gjithsesi e kam mbështetjen e familjes”, thotë Troni jashtë. Pret ta shohë emrin në listën përfundimtare të të pranuarve. Troni është një prej dhjetëra nxënësve të gjimnazit “Skënderbeu” dhe të shkollës profesionale “Feriz Guri dhe Vëllezërit Çaka”, për të cilët Ramadani e Haxhani kanë mbajtur shënime.

Shansi “provokues”

Ata janë nxitur nga njoftimi i vendosur në hyrje të shkollave për “audicion”, që fillon me pyetje që t’i inkurajojnë nxënësit e talentuar në muzikë.

“A keni dëgjuar për performanca muzikore? Nuk e keni problem të këndoni apo të luani me ndonjë instrument para një audience më të madhe? Përkundrazi, ju pëlqen? Jeni person kreativ dhe i hapur? Keni zë të bukur dhe ju pëlqen të performoni? Dëshironi të zbuloni ndonjë talent të fshehur dhe të zhvilloheni në mënyrë individuale?” – ishin pyetjet që shtuan kureshtjen e atyre që e kanë pasion muzikën.

“Bëhu pjesë e audicioneve për klubin muzikor në shkollën tënde!” – shkruan me të zezë të theksuar në njoftimin e madh. Nëpërmjet programit BRICK 1 (“Building Resilience in Individuals and Communities in Kosovo”), krijuar nga organizata CDF, zbatuar nga organizata “Integra”, CCPA Kosova, ICK dhe instituti “Columbus”, ka filluar zbulimin e atyre që duan të këndojnë ose t’u bien instrumenteve me qëllim të krijimit të “klubit muzikor” me nxënësit e këtyre dy shkollave.

“Të përzgjedhurit do të kalojnë nëpërmjet një procesi mentorues, kreativ dhe krijues”, thuhet në njoftimin për projektin. “Si produkt final do të jetë një performancë muzikore dhe shfaqja e saj para publikut (me një numër reprizash)”.

Troni dhe gjimnazistja tjetër, Ardita Bilalli, shpresojnë se do të jenë në mesin e të përzgjedhurve me të cilët do të punojë Ramadani. Bilalli tashmë ka përvojë pozitive nga projekti paraprak i BRICK-ut, që përfundoi me një performancë teatrale me disa repriza në Kaçanik.

“Ka qenë përvojë shumë e mirë, dhe pasi që dua të shkoj në aktrim, më ka ndihmuar shumë”, thekson Bilalli, derisa pret në radhë në korridor për të provuar talentin e saj edhe në muzikë. Pasion e ka kitarën. I di disa gjëra elementare, por shpreson se do të pranohet, dhe të marrë njohuri profesionale.

Profesori Ramadani thotë se juria do të përzgjedhë nxënësit më të talentuar.

“Ne thjesht po kërkojmë nxënës që kanë talent, dhe ndonjë njohuri bazike në ndonjë instrument dhe do të jetë më lehtë që të krijohet ansambli më i madh”, thekson ai.

Aktivitete jashtëshkollore

BRICK-u ka për qëllim që nëpërmjet artit të krijojë kushte për përfshirjen e të rinjve të Kaçanikut në aktivitete ekstra-kurikulare, me “qëllim të nxitjes së kreativitetit, zhvillimit profesional dhe individual, talentit dhe rekreacionit (argëtimit) të tyre, që ndikon direkt në krijimin e hapësirave të reja për të rinjtë e këtij qyteti, të cilat fatkeqësisht mungojnë”.

Ibush Vishi, drejtor i “Skënderbeut”, thotë se edhe në të kaluarën ka pasur aktivitete në qytezën që shtrihet në këmbët e Sharrit, por e pranon se performanca e fundit teatrale në kuadër të BRICK-ut “është organizuar me plot sukses dhe janë dhënë disa repriza”. Thotë se personeli i shkollës është munduar që të mos pengohet procesi mësimor. Njëherësh, thotë ai, nxënësit kanë pasur mbështetjen e stafit.

Bilalli thotë se përfitoi shumë si pjesë e performancës artistike.

“Më ka ndihmuar shumë, meqë dua të shkoj në aktrim”, thekson me qeshje Bilalli, teksa mundohet të fshehë pak emocionet para se ta hapë derën e bibliotekës. Brenda shpreson të përzgjidhet për një tjetër përvojë nga fusha e artit.

Vishi ka mirëpritur projektin e radhës që po zbatohet në shkollën e tij. “Projekti i dytë është shumë i qëlluar dhe i mirëseardhur për ne, aq më tepër që po presim të realizojmë edhe një projekt tjetër për pajisjen me instrumente muzikore dhe me kapacitete që kemi ne dhe me profesoreshën e muzikës, të kultivojmë edhe më tutje këto vlera”, thekson ai.

Në posterin para shkollës, nxënësit njoftohen nga organizatorët se nga dy shkollat do të krijohet një klub muzikor dhe do të prodhohet një performancë muzikore, e cila do të shfaqet dhe reprizohet për audiencën e re të Kaçanikut. Projekti realizohet në bashkëpunim edhe me Komunën e Kaçanikut.

Flakron Dusha shpreson të jetë pjesë e klubit muzikor. Me klarinetën e tij do ta ndihmonte grupin.

Erjon Daka ka pasion kitarën klasike. Gishtat i lodron lirshëm nëpër tela derisa luan pjesë të “Wonderful Tonight” të Eric Claptonit. Këngët e preferuara të Erjonit e nxisin Ramadanin t’i shtrojë pyetje profesionale. Erjoni u përgjigjet gojarisht e praktikisht. Kitarës i bie edhe Lartësoni. Në gjimnaz numri i vajzave të interesuara është më i madh se i djemve.

Motiv për rininë

Thuajse barabar është numri i të interesuarve në shkollën profesionale. Ky interesim e ka habitur profesoreshën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Remzie Dardhishta, për shkak se në drejtimet profesionale janë hequr lëndët e muzikës dhe të artit. Dardhishtës i bie mbi shpatulla krejt organizimi i manifestimeve të ndryshme të shkollës.

“Edhe e bëj për shkak të aspekteve të recitimit të lidhura me lëndën time, por edhe shkaku se nxënësit më nuk kanë art e muzikë. Është edhe punë e vullnetit tim”, thekson ajo. Tregon se përvoja ia ka dëshmuar se nxënësit që mund të mos jenë të shkëlqyer në mësime obligative, i habisin mësimdhënësit në fusha të tjera.

“Kjo është mundësia e vetme. Është punë vullnetare. Kemi shumë nxënës që, për çudi, nuk ia kap hiç në drejtime të tjera, por ta zëmë me dramë ka qenë i shkëlqyer”, thekson ajo.

Nxënësja Kanita Fera thotë se ka kënduar prej fëmijërisë, porse ka qenë i vogël numri i atyre që e kanë përkrahur. “Familja gjithsesi”, thekson ajo. “Unë e shoh veten shumë lart në të ardhmen, por këtu nuk po çmohet mjaft”, thekson ajo, kur pyetet për mundësitë që ofron Kaçaniku.

Vishi ngulmon se kushtet në qytezën e tij “janë analoge me vendet e tjera, përjashto qendrat e mëdha, apo Prishtinën si kryeqendër”. Thekson se Kaçaniku ka artdashës. Këtë ia dëshmuan edhe reprizat e performancës teatrale të “Skënderbeut”.

Nxënësja Saranda Berisha shpreson se do të ngjitet në skenë për performancën e klubit muzikor. I ka mbetur merak që nuk ishte realizuar një koncert i autoriteteve komunale për Ditën e fëmijëve, megjithëse ishte përgatitur fort dhe po e priste me padurim. “Kisha pasur dëshirë të arrija më shumë në muzikë, por shkaku i kushteve nuk kemi mundur”, thekson ajo.

Ramadani, profesor universitar e pjesë e jurisë, ka mbajtur shënime të hollësishme edhe për performancën e saj. Berisha mund të jetë njëra prej të përzgjedhurve për performancën finale muzikore.

Ramadani është optimist. Madje mendon se performanca mund t’u japë shtytjen e nevojshme të rinjve që ëndërrojnë skenat e mëdha muzikore e teatrale.

“Besoj se dikush do ta gjejë rrugën e vet, dikush do të vendosë për solo karrierë, dikush në aspektin e studimit më teorik e pedagogjik”, thekson ai. “Por kontakti me muzikën, provat, sidomos akti i koncertit, e di prej përvojës 13-14-vjeçare në arsim e katërvjeçare në fakultet, ndikon shumë pozitivisht dhe jep shumë motiv për rininë”, shton ai.

Troni thotë se nuk heq dorë prej ëndrrës së madhe. Edhe e adhuruara e saj u përball me shumë sfida derisa ngjiti majat botërore të muzikës. Kjo vetëm sa i jep më shumë forcë Tronit, sepse, përsërit ajo: “Dua të bëhem si Dua Lipa”./KultPlus.com

Të ngjajshme