13 Nëntor, 2022 - 7:02 pm
Nora Bajrami
Mbrëmjen e së shtunës, më 12 nëntor 2022, në sallën e muzeut të luftës maqedonase, në Shkup, u mbajt koncerti i titulluar “Northern Sounds”, me pjesëmarrjen e orkestrës harkore kamertale “Tadenus” dhe me dirigjent Edon Ramadani.
Orkestra harkore kamertale “Tadenus” rrugëtimin dhe formimin e saj e ka filluar para dy vitesh, në përbërje të instrumentistëve të grupmoshave të ndryshme. Përgjatë kësaj periudhe kjo orkestër kishte mundësin e realizimit të një numëri të mjaftueshëm të koncerteve, me program të larmishëm nga epoka të ndryshme kohore, njëkohësisht edhe bashkëpunime me solist si Ismet Vejseli (tenor), Blenda Konxheli (flautë), si dhe violinistin e njohur Shkëlzen Doli. “Tadenus” gjatë këtyre koncerteve punoi me disa dirigjent, Behar Veseli, Hajrulla Syla dhe Edon Ramadani – ku gjithsecili prej tyre dha kontribut në formimin dhe unitetin e kësaj orkestre.
Në koncertin e së shtunës publiku i pranishëm kishte mundësinë të dëgjojë një program artistik mjaft kompleks, por edhe të veçantë, si nga përzgjedhja e llojit të veprave, forma e tyre dhe periudha kohore të cilës i përkasin. Nga vet titulli i koncertit, “Northern Sounds”, fitohet një aludim se çfarë do të përfshijë gjeografikisht struktura programore e tij, kështu që, me një ide të pastërt dhe koncept programor, orkestra kamertale “Tadenus” së bashku me dirigjentin Ramadani, sollën vepra nga kompozitorët skandinav, krijimtaria e të cilëve i përket periudhës së romantizmit të vonshëm dhe atij të shekullit XX.
“Northern Sounds” përfshiu pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve norvegjez, finlandez dhe danez, edhe atë si: Two Swedish folk melodies op.27 nga Johan Svendsen, Little suite for strings no. 1 nga Carl Nielsen, Suite champêtre op.98b nga Jean Sibelius, dhe Holberg suite nga Edvard Grieg – vepra të cilat nuk janë shumë të shpeshta në repertorin e orkestrave kamertale në vend.
Orkestra kamertale “Tadenus”, u paraqit me një energji krijuese mjaft solide në artikulimin frazor dhe ndjeshmërinë meloritmike të repertorit të koncertit, përderisa karakteri kamertal i veprave në pjesët sonore sikur erdhi me një dozë ndrojtje, ku dialogjet në mes vete paraqitnin ndjesinë e “frikës” ose pasiguriteti, për dallim prej pjesëve furioze ku instrumentalistët mundoheshin të nxjerrin në pah më të mirën e tyre.
Proekcioni global i veprave nga dirigjenti Ramadani, i cili theksoi vlerat thelbësore të partiturave, me qartësi dhe siguritet, arriti të bashkojë orkestrën në homogjenitet, dhe ta vendos të njejtën në një shkallë më të lartë reproduktive me koncentrimin dhe motivimin e tij, për të paraqitur interpretim në frymë relaksuese përmes theksimit të dinamizmit të mbrendshëm dhe konceptit dramatik të veprave.
Duke pasur parasyshë që orkestra kamertale “Tadenus” është një orkestër e re, si në përvojën skenike poashtu edhe në përbërjen e saj, ajo në mënyrën më të mirë të mundëshme, në koncertin e së shtunës dëshmoi që e pret një rrugë e ndritshme koncertuese, ku me shumë përgjegjësi e pranon dhe e sjell deri tek publiku repertorin me të cilin ballafaqohet.
Koncerti “Northern Sounds” përveç të tjerave është edhe një ngjarje më shumë në begatimin dhe plotësimin e jetës artistike dhe asaj kulturore në Shkup, njëkohësisht edhe frymëzuese në aspektin shoqëror dhe social – si moment ku instrumentistët e rinjë, anëtarë të orkestrës e kanë edhe një mundësi dhe podium nëpërmes të cilës vijnë në kontakt me publikun.
Ngjarje të tilla kulturore, gjithmonë kërkojnë mbështetje të mëdha jo vetëm nga instuticionet përkatëse, por edhe mbështetje emocionale kolegiale, dhe nga publiku më i gjerë – që për fat të keq në këtë koncert ishte në numër jo të mjaftueshëm. Me dëshirën e përsëritjes dhe vazhdimit të jetëgjatësisë dhe koncerteve për orkestrën kamertale “Tadenus”! /KultPlus.com