16 Mars, 2018 - 8:20 pm
Një prej projekteve të para të Qendrës për Muzikën e Re ishte themelimi dhe zhvillimi i ekipit për incizime të koncerteve të Fakultetit të Muzikës me tendencë të përgatitjes për incizime më ambicioze të koncerteve të Filharmonisë në të ardhmen.
Një pjesë e këtyre incizimeve të realizuara në vitin 2002, nga Kori dhe Ansambli i studentëve të Fakultetit të Arteve në Prishtinë tashmë janë bërë publike. Aty mund të dëgjohen këngët “Këndej kaloi armiku”, “N’mjedis t’ballit”, “Ishin dy kunata” “Ave Maria” e të tjera, shkruan KultPlus.
Studentët e QMR kanë qenë ata që i kanë bërë të gjitha përgatitjet, incizimet, editimin dhe realizimin e kësaj CD-je, ka treguar pianisti dhe kompozitori Ilir Bajri. Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se për idenë, punën, realizimin e inkurajimin e vazhdueshëm meritat i ka profesori Bahri Çela.
“Ani pse teknikisht mundësitë ishin minimale studentet realizuan me sukses koncert dhe incizim solid, dhe sot pas 16 vitesh s’ka se si mos shtrohet pyetja – po te kishte një troh më shumë përkrahjeje e stimulimi me vazhdu me atë vullnet e përkushtim sot do te kishim shume CD e koncerte te incizuara me kualitet të lartë e përjetim besnikërisht të ngjashëm me interpretimin në salle, e po ashtu do të arkivoheshin dhe dokumentoheshin punët dhe aktivitetet për analiza e studime ne të ardhmen”, ka shkruar Bajri.
Incizimet janë bërë live në Pallatin e Rinisë në Prishtinë nën dirigjimin e profesorit Bahri Çela. Më poshtë mund të gjeni linkun për të dëgjuar pa pagesë këtë projekt në internet, me mundësi për ta shkarkuar. / KultPlus.com