5 Janar, 2018 - 4:19 pm
Kompozitori dhe baritoni i shquar Avni Mula ka festuar 90 vjetorin mes miqsh dhe artdashës të shumtë. Të pranishëm kanë qenë figura të njohura të artit mes të cilëve dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
E bija e artistit, sopranoja Inva Mula do të shprehte emocionet për këtë ditë dhe në rrjetet sociale përmes një postimi.“90 vjet muzikë të mbushur me dashuri! Faleminderit bab i dashur për gjithçka ti më dhurove në jetë”, shkruan ajo. Avni Mula u lind më 4 Janar 1928 në Gjakovë . U angazhua në Ansamblin e Ushtrisë e më pas laurohet në Konservatorin P. I. Çaikovski me Medalje të Artë.
https://www.youtube.com/watch?v=RZcOcSsNJog
Ai është një nga figurat e rëndësishme të historisë së teatrit operistik shqiptar. Një kontribut të veçantë ai ka dhe në fushën e kompozicionit. Është e njohur kënga e tij “Valsi I lumturisë”. Pas studimeve në Moskë, Mula kthehet në Tiranë për të zhvilluar karrierën e tij artistike bashkë me bashkëshorten ruse Nina Mula, e cila ka gjithashtu një kontribut të çmuar në operën shqiptare. Ishte viti 1957 kur ata nisën një histori të re të operas shqiptare.
Ndër kujtimet në opera që artisti veçonte në një intervistë pak kohë më parë mund të përmendim “ operat “Traviata”, “Berberi i Seviljes”, operën “Skënderbeu” ku ishte një nga prijësit kryesorë në këtë vepër”. Ai ka interpretuar në më shumë se 30 opera dhe pothuajse të gjitha rolet më të bukura të repertorit artistik ai I interpretoi me bashkëshorten Nina Mula.
Ndër interpretimet e spikatura në karrierën e tij mund të përmëndim ato në operat Mrika, Skënderbeu, Pranvera, Lulja e kujtimit, Heroina, Komisari, Jolanda, Berberi i Seviljes, La Traviata, Rigoleto, Kavaleria Rustikana, Karmen, Peshkatarët e perlave, La Boheme, Le nozze di Figaro, Simfonia IX e Bethovenit etj.
Gjithashtu ka kompozuar edhe shumë valle me motive myzeqare, kosovare e tropojane. Avni Mula është historia e muzikës operistike shqiptare. / KultPlus.com