30 Tetor, 2020 - 5:51 pm
Kompozitori i shquar Avni Mula, i cili u nda dje nga jeta në moshën 92-vjeçare, u përcoll sot me duartrokitje në banesën e fundit.
Homazhet për nder të kompozitorit të madh, Avni Mula u zhvilluan paraditen e sotme pranë Akademisë së Arteve, ku personalitete të larta të artit, kulturës, politikës, miq e dashamirës nderuan kujtimin e tij.
Duke folur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, vajza e tij, sopranoja e njohur, Inva Mula tha se “këtu filloi arti i lirisë”. “Rroftë arti, rroftë Avni Mula, rroftë arti shqiptar”, u shpreh Inva Mula.
Margariti: Vepra që ka lënë pas Avni Mula u flet të gjithë brezave
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kolosit të muzikës shqiptare, Anvi Mula, teksa shtoi se është e trishtuar që në këtë periudhë artistët nuk po mund të përcillen në banesën e fundit siç meritojnë.
“Kjo periudhë nuk e di nëse është pandemia që na ka bërë më sensibël por i është shtuar dozës së trishtimit dhe mospasja e mundësisë që ta përcillnim ashtu siç do kishim dëshirë. Kam besim që vepra që kanë lënë pas është një vepër që u flet të gjithë brezave, por edhe tek të rinj. Homazhet te Universiteti i Arteve janë një simbolikë që flet dhe dialogon edhe më mirë dhe për të zgjuar ndërgjegjësimin e tyre që nuk i kemi fizikisht, janë për ne nder i kombit. Jo thjesht fjalë që duhet thënë, por një realitet që edhe të rinjtë do e përcjellin gjithnjë e më tepër në veprat e tyre”, tha Margariti.
Basha: Krenari që kombi ynë pati në gjirin e tij një artist si ai
I pranishëm në homazhet e mbajtur në hollin e Akademisë së Arteve ishte edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Basha tha se është një dhimbje e madhe, por edhe një ditë krenarie që kombi ynë pati në gjirin e tij një artist si Avni Mula.
“Një dhimbje e madhe, por është një ditë krenarie që kombi ynë pati në gjirin e tij një artist si Anvi Mula dhe kjo është ndër të paktat raste kur ceremonia shoqërohet me muzikë, artin e tij dhe t’i lutemi Zotit që t’i prehet shpirti në paqe”, tha Basha.
Kompozitori Radoja: Avni Mula për mua ka qenë prind, mësues, shok e koleg
Kompozitori Robert Radoja mes lotësh, vuri theksin në faktin se në jetën e tij, Mula ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.
“Shumë e vështirë për të gjetur fjalën e duhur sepse e kam pasur mësues, prind, shok, koleg, këshilltar dhe ndihmë gjithë jetën time. Është shumë e vështirë të flasësh, të gjesh fjalën e duhur”, tha kompozitori Robert Radoja./atsh/ KultPlus.com