13 Gusht, 2018 - 2:00 pm
Intervistë e realizuar nga Albana Temali
Ndërsa nuk është e vështirë të gjesh me dhjetëra studentë shqiptarë që studiojnë edhe degët më të çuditshme, por edhe më të shpeshtat e më të rrallat, nga fizika bërthamore deri te shkencat e komunikimit, me qindra violinistë apo pianistë, pasioni e ka çuar shkodranin të kapë një tjetër ‘rekord’: sipas Konservatorit të Pesaros ku ka kryer diplomën, rezulton të jetë i pari shqiptar i diplomuar për fizarmonikë.
Bardh Jakova – “figlio d’arte”, instrumentisti shkodran, që sot me sukses zhvillon aktivitetin e tij artistik e didaktik në Itali është një nga dëshmitë e trashëgimisë artistike të kaluara brez pas brezi në familjet shqiptare.
“Gjithë arritjet e mia ia dedikoj babait tim Çesk Jakova dhe nënës Jolanda – sqaron Bardhi. – Është meritë e babait edukimi e formimi im muzikor. Muzika ishte “si buka”, mos më tepër, ndofta në shtëpinë time dhe ishte pothuaj e pashmangshme që unë të studioja muzikë”.
Dhe nuk është ë vështirë të imagjinohet atmosfera në të cilën është rritur Bardhi. Mbiemri Jakova është mëse i njohur për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për shkodranët. Është i kësaj “dere” artisti e kompozitori i madh Prenkë Jakova, autori i operës së parë shqiptare “Mrika”, e cila ka hapur një epokë të re në historinë e muzikës shqiptare ashtu si fotografi i shquar Dedë Jakova, fotografitë e të cilit janë pjesë e fototekës “Marubi”, e po kështu edhe Çesk Jakova, mësues dhe instrumentist i mirënjohur në orkestrën simfonike të Shtëpisë së Kulturës së Shkodrës.
“Nuk kam pasur fatin të njoh personalisht axhën tim, Prenkën – shton Bardhi, – por notat e para të muzikës i kam dëgjuar e luajtur mbi pianoforten e tij ashtu si më vonë kam studiuar e mësuar nga kompozimet e tij… Jam rritur mes partiturave…”.
Nga studimet e para te diplomimi në Itali për fizarmonikë.
Mësimet e para i merr nga babai i tij, Çesk Jakova, për të vazhduar më tej studimin në Shtëpi e Pionierit, në Shkodër, në kurset e fizarmonikës me Kujtim Vorfan. Më pas vazhdon studimin e fizarmonikës në Liceun artistik “Prenkë Jakova” po në Shkodër ku dhe diplomohet për fizarmonikë në 1990-n me prof. Kolec Gajtani.
Në 1981 ka rolin e fizarmonicistit në grupin e suksesshëm muzikor të fëmijëve “Tring zilja”. Interpretimet e Bardhit në këtë grup të kësaj periudhe janë regjistruar nga radiotelevizioni kombëtar por edhe nga të huajat si tv italian (RAI), tv portugez, zviceran dhe gjerman. Aktivitetin si fizarmonicist Bardhi e vazhdon me grupin artistik të Liceut “Prenkë Jakova” dhe me grupin artistik të Klubit të Rinisë “Heronjtë e Vigut” me të cilët interpreton në shumë qytete të Shqipërisë, në festa lokale, kombëtare e aktivitete të ndryshme kulturore.
Gjatë viteve të shkollës së mesme bashkëpunon me këngëtarin e famshëm popullor Shyqyri Alushi dhe me këngëtarë të tjerë shkodranë të asaj periudhe.
Por studimi i muzikës është pjesë e projektit të Bardhit për formimin e tij si instrumentist kështu në vitet 1990-92 studion kompozim e harmoni në Tiranë, me Mjeshtrin e madh T. Harapi (docent në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë) dhe njëkohësisht në studion kompozicion Shkodër me prof. Gjon Shllaku, si dhe ndjek kursin për Histori-Gjeografi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Vitet 1991-’93 do të shënojnë për Bardh Jakovën një tjetër zhvillim, tashmë në fushën didaktike. Ai fiton vendin e parë në konkursin shtetëror dhe nis punën si mësues i fizarmonikës në Liceun “P. Jakova” ku dikur ishte nxënës.
Në 1993-shin Bardhi mbërrin në Itali ku deri më 1998 ndjek studimet për pianoforte me Mjeshtrin M. Tarsetti, zv.drejtor i akademisë “Gioacchino Rossini” në Pesaro dhe paralelisht ndjek studimet për fizarmokë klasike të basit dhe basit të lëshuar ( bassi sciolti) me Mjeshtrin Sergio Scappini (solist me eksperiencë njëzetvjeçare në “La Scala” të Milanos si dhe President i Shoqatës Ndërkombëtare të Fizarmonicistëve).
Gjatë kohës së studimeve në këtë Konservator merr pjesë edhe në Ansamblin e fizarmonikave të drejtuar nga Mjeshtri Sergio Scappini dhe në aktivitetet e këtij ansambli brenda dhe jashtë Italisë. Gjithashtu merr pjesë në korin polifonik (në rolin e tenorit …) të Konservatorit nën drejtimin e Mjeshtrit Luca Celini.
Në vitin 2003, Bardh Jakova mbron diplomën e tij në këtë konservator për fizarmonikë klasike.
Për këtë diplomë Bardhi kujton “në një hark kohor prej 1 ore e 52 minutash kam interpretuar 6 kontrapunti nga arti i Fugës së Johan Sebastian Bach, Olzak – koncert për fizarmonikë, Semianov – suitë bullgare në tri kohe, Tokatë e Fugë në Re minor e Prelud e Fugë në Mi minor Johan Sebastian Bach, dhe Koncert në La minor për pianoforte e fizarmonikë të Kurt Mahr dhe Aria Sebaldina nga Pac Helbel.
Diploma e marrë nga Bardh Jakova për fizarmonike klasike sipas statistikave të Konservatorit “Rossini” të Pesaros rezulton e para e marrë nga një student shqiptar.
Intervista
Pas diplomimit në Konservatorin “Rossini” nis një etapë e re e frytshme e bashkëpunimeve me grupe të shquara artistike italiane. Cilat janë këto eksperienca dhe disa nga bashkëpunimet që kanë pasuruar biografinë tuaj artistike?
Bardh Jakova: Studimi dhe eksperienca e grumbulluar në aktivizimet me grupet artistike sollën bashkëpunimet me grupet në gjirin e të cilave bëjnë pjesë këngëtarë të mirënjohur italianë. Mund të përmenden disa nga këta artistë apo grupe artistike dhe aktivitetet ku kam qenë pjesëmarrës si instrumentist të cilat kanë pasuruar përvojën time artistike si bashkëpunimi i ngushtë me këngëtarin Dino me grupin e të cilit kam interpretuar pothuaj në të gjitha skenat e njohura në Itali, me Junior Magli, me Roberto Tomasi (në “Pantani Day ” në Cesenatico), me këngëtarin e famshëm Boby Solo ( koncert në Sallën Verona 200), me grupin “Ricchi e Poveri” (koncert në Sallën “Odisea” të provincës Treviso), me grupin “I Cugini di Campagna” (në San Martino di Lupari, Padova) e me shumë kabaretistë të Mediset-it (Salla “Kiwi” Piumazzo di Modena) etj.
Emra të njohur për publikun shqiptar, grupe të famshme.. por cilat nga këto bashkëpunime janë më të qëndrueshmet në aspektin kohor e më të frytshmet në aspektin krijues?
Veçoj bashkëpunimin me grupin “I Barcelona” dhe “Romagna Doc” me të cilët kam interpretuar jo vetëm në territorin italian por edhe në Zvicër, Slloveni, Austri etj.
Aktualisht punoj me grupin “Romagna Doc” me të cilin kam pasur edhe prodhimtarinë artistike në cd.
Bashkëpunimi juaj kalon nga grupet italiane te ato shqiptare në Itali. Cila është përvoja me këto grupe dhe e çfarë synimesh për të ardhmen sjell përvoja e grumbulluar?
Bardh Jakova:Kam punuar për disa koncerte në Itali të artistëve që kanë ardhur nga Shqipëria e këtu mund të përmend bashkëpunimin me humoristët e famshëm të Durrësit mes të cilëve Fadil Hasa, Edmond Halili etj, në Teatrin “Rasi” të Ravenës me rastin e festave të Nëntorit 2003. Nga bashkëpunimi me shoqatën “Integriamoci insieme” të Cervias të drejtuar nga Liljana Picari lindi ideja e ngritjes së një ansambli artistik e kështu nga një unifikim artistësh krijuam Ansamblin e këngëve dhe valleve popullore shqiptare “Prenkë Jakova” të Ravenës, me të cilin kemi “prekur” skenat e sheshet e disa qyteteve në Itali ku dhe kemi sjellë në skena muzikën popullore shqiptare për bashkatdhetarët tanë por edhe kemi ndihmuar për njohjen e saj nga publiku italian. Për koncertet e këtij ansambli kemi bashkëpunuar shpesh herë edhe me të tjerë artistë shqiptarë në Itali si me këngëtarin Ferdinand Bjanku për “Imola in Musica”, 2006. Një nga koncertet e fundit të ansamblit është ai i dhënë në Macerata, në 22 prill të këtij viti.
Në këtë ansambël përveç instrumentistit dhe arranxhatorit të repertorit, mbuloj edhe rolin e drejtuesit artistik në përzgjedhjen e programit muzikor.
Gjatë kësaj përvoje artistike në skenat e Italisë kam vënë re se sa pak njihet kultura, muzika shqiptare. Por kur publiku dëgjon e shijon meloditë tona, i mirëpret dhe entuziazmohet nga ritmet e ngjyrat e saj. Kështu në këtë aspekt, duke synuar të jap kontributin modest në ruajtjen dhe njohjen e këngës popullore shkodrane “të paprekur”, në ekzekutimin e saj origjinal e tradicional, po bashkëpunoj me kitaristin Andrea Daija (Forli) dhe violinistin Joele (Khorakhané – grupi që mori pjesë në seksionin “Giovani” në Festivalin e Sanremo, 2007) dhe perkusionistin Jader Noni (pjesëtar i Ansamblit “P. Jakova”, Ravenna) për këtë projekt bazuar në botimin “250 këngë popullore shkodrane” me autorë Tonin Zadeja dhe Tonin Daija.
Jo vetëm veprimtari artistike por edhe didaktike…
Mësimdhënia është një ndër pasionet e mia. Kjo u bë e mundur në Itali, në vitin 2004, kur Qendra muzikore “Ca’ Vaina” e Imolës më ofroi punën si drejtues i kursit të katedrës së fizarmonikës. Me këto kurse punoj kryesisht repertor të muzikës tradicionale dhe ballkanike. Por puna në këtë ambient nuk kufizohet vetëm në mësimdhënie teorike, ajo më ka përfshirë në bashkëpunime artistike si ai me shkollën e muzikës “Paolini-Cassiano” për realizimin e musical-ëve (melodramave) “Il mago della Pioggia”, “Pinocchio”, ” Tutto ha un solo nome”, ” Il castello” të Oscar Wilde.
Cili është projekti aktual që lidhet me kontributin tuaj për njohjen e muzikës shqiptare?
Bashkëpunoj me muzikantët e zonës ku punoj (Imola), si perkusionistin Simone Cavina, drejtor i “Ca’ Vaina”, me kontrabasistin Roberto Bartoli mbi muzikën shkodrane dhe shqiptare në përgjithësi, për të përgatitur një repertor të muzikës së folklorit shqiptar e ballkanik thuajse të panjohur për t’ia ofruar publikut italian e të huaj.