“Baresha”, një këngë që s’përsëritet (VIDEO)

11 Mars, 2018 - 6:30 pm

Nexhmije Pagarusha, me interpretimet e saj, ka marrë epitetin e “Bilbilit të Kosovës”. Ajo muzikës shqiptare, i ka sjellë një kryevepër që dëgjohet me emocionet e njëjta edhe pas gati një gjysmë dekade që kur është interpretuar për herë të parë, shkruan KultPlus.

Kënga ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Këngë shekullore dhe vështirë e përsëritshme është konsideruar kjo kryevepër e këngëtares.

“Baresha” cilësohet si kënga më e mirë e artistes Pagarusha dhe në të njëjtën kohë kënga më e mirë e realizuar në kulturën e muzikës në Kosovë. Ndërsa edhe më pranë publikut e ka sjellë videoklipi i realizuar në vitin 2012. Fillimisht ideja për realizimin e klipit të kësaj kënge ka ardhur nga Muzeu Kombëtar si pjesë e prezantimit të trashëgimisë shpirtërore të Kosovës. Videoklipi i kësaj kënge është realizuar në bashkëpunim me Kooperativa dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Zëri hyjnor i këngëtares së madhe, përcillet me pamjet e disa vendeve më të bukura të Kosovës. I gjithë ky bashkë dyzim ia shton edhe më tepër rëndësinë e kësaj këngë për kulturën kosovare. Ndërsa lëvizjet e mahnitshme të balerinave të Baletit Kombëtar të Kosovës, vetëm se e sjellin më afër tregimin e tekstit të kësaj kënge. Me veshje të anës së Rugovës, e me pamje nga atje kjo këngë del më autentike se çdo këngë tjetër.

Duke qenë një këngë që gëzon vlera të larta artistike, atëherë këtij kompozimi artistik mund t’i përgjigjen vetëm artist të mirëfilltë. Këtë e arrin Shkëlzen Doli me violinën e tij. KultPlus ju sjellë interpretimin e mahnitshëm të violinistit të njohur, i cili këtë këngë e ka shoqëruar edhe me videoklip.

Kjo vepër ishte interpretuar edhe nga solistja Joana Kaimi, së bashku me Orkestrën Popullore. Ky version është përpunuar për Violinë, orkestër popullore nga Gerti Druga. KultPlus ju sjellë pamje nga ky interpretim.

Krahas instrumenteve të tjera, kjo këngë është interpretuar edhe me anë të kitarës. Një interpretim të tillë e kanë sjellë dy kitaristët Arben Hoxha dhe Vendim Thaqi. KultPlus ju sjellë këtë version nga interpretimi i kitaristëve në Tirana International Guitar Festvali.

Krejt në fund po ju sjellim interpretimin e të madhes Nexhmije Pagarusha. Po ashtu KultPlus ju përcjellë edhe videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge.


Heej kam rrit shtatin
nder këto male
bashk’ me qingja e me dele
dhe bylbyla nder zabele
mbas kumonës lojë e gëzime
si shqiponja ime

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m ‘veshët o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali cka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

2.
Heej po tingëllojnë
shumë kumona
gurgllon prroi malore
nalt ne qiell bjeshka me bore
n’bjeshk’ dashnija vjen me malle
sot nji fyell u kalle.

refreni:

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba?
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba?
o lujn bareshat në shulla

o era lu’n me barin o nani nani
o eni shoqe t’lozim o nani nani
o fusha gaz po m’veshet o nani nani
o lule bardh’ po qeshet o nani nani
o dridhet mali çka u ba
o një baresh’ prej nesh u nda.
o dridhet mali çka u ba
o lujn bareshat në shulla

naninaninainaina naninanina…

Të ngjajshme