Baritoni tajlandez Suebsantiwongse dhe pianistja Troni sjellin filozofinë e veprave të Bethoven, Listz, e Bahmz në koncertin e dytë të ‘Chopin Piano Fest’

17 Maj, 2024 - 8:14 am

Vjollca Duraku

Me vepra të autorëve të shquar si Bethoven, Listz e Brahms, u mbajt koncerti i dytë i Festivalit të muzikës klasike “Chopin Piano Fest” nga protagonistët Saran Suebsantiwongse- Bariton dhe Alberta Troni- Pianiste, shkruan KultPlus.

Salla edhe këtë herë e improvizuar në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare u mbush të mërkurën mbrëma me adhurues të muzikës klasike, për të shijuar mjeshtërinë e pianistes së njohur Troni dhe baritonit  Suebsantiwongse, i cili nga Tajlanda kishte ardhur për të ndarë përvojën që e kishte marrë nga shkollimi i tij  në Shkollat e Muzikës në Manhattan dhe në Britani.

Koncerti filloi me drejtimin e drejtoreshës organizative të Festivalit Besa Luzhës, e cila me një fjalim përshëndetës i uroi mirëseardhje publikut në sallë, duke e njoftuar edhe për përmbajtjen e koncertit, pjesa artistike e së cilit do të fillonte pas pak, në skenën e rregulluar me shumë shije dhe finesë.

Dritat u fikën. Menjëherë në sallë u paraqitën edhe protagonistët e mbrëmjes. Pas  një përulje plot respekt para publikut filloi interpretimi i veprës së parë  “An Die Ferne Geliebte”- A cycle of six songs op.98 nga autori L.B. Bethoven.

Tingujt nga loja aq e bukur e pianistes Toni, përshtateshin shumë natyrshëm me zërin brilant të baritonit tajlandez, duke e emetuar një energji mjaft e këndshme në çdo kënd dhe cep të ambientit, që më pas me karakterin dhe filozofinë e secilës vepër integroheshin pashmangshëm në secilin që gjendej në sallë.

Veprat tjera të cilat pasuan në koncert ishin:  “Un sospiro”, “La leggerezza”- Piano Solo e autorit F. Listz,  “Meine Liebe ist grun” Op. 63  Nr.5, “Von ewiger Liebe”  / Love is forever. Op.43 Nr.1 “Alte Liebe” op.72 Nr.1 të autorit J. Brahms, “Tango-Rapsody” Adions Nonino- Piano Solo nga A.Piazzolla dhe Don Quichotte a Dulcinee, “Chanson Romanesque”, “Chanson epique”, “Chanson a boire” nga  M. Ravel.

Para fillimit të pikës së fundit artistike baritoni Suebsantiwongse iu drejtua publikut me një fjalim ku tha se ishte shumë i lumtur që gjendej në Prishtinë për të performuar në Festivalin “Chopin Pinao Fest”, duke treguar po ashtu që kultura dhe vendi i Kosovës në përgjithësi i kishin pëlqyer jashtë mase.

Ndërsa pas koncertit në një prononcim për KultPlus, pianistja Alberta Troni u shpreh e lumtur që kishte arritur një bashkëpunim të frytshëm me baritonin në fjalë,  bashkëpunim ky që sipas saj për t’u sjellë në nivel të tillë nuk ishte aspak i lehtë.

“Këtu duhet ta falënderoj edhe ambasadoren në shkuarje të Kosovës në Tajlandë- Bankok, Ulpiana Lamën,  e cila gjithashtu vendosi një relacion bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Tajlandës, e pastaj faktikisht janë vendosur edhe  konturat e programit. Pas kësaj baritoni ka ardhur në Kosovë kemi bërë një punë intensive, ku më pas siç tregoi edhe ai, i ka pëlqyer shumë vendi, ambienti, kultura njerëzit sepse për të është hera e parë që vjen në Ballkan”, u shpreh pianistja Troni.

Troni më tej foli edhe për procesin e punës nga ku tha se gjithçka ka shkuar shumë natyrshëm, përkundër faktit që baritoni i përkiste një kulture tjetër, për më tepër që edhe programi interpretues ishte me kërkesa të mëdha artistike nga repertori i Bethoven, Ravell dhe Brahmz.

“Zakonisht te ne këndohet muzikë operistike, mirëpo në këtë rast Suebsantiwongse kishte përzgjedhur një repertor pak më filozofik, më të thellë. Nuk ishte e lehtë të ndërlidheshin veprat me njëra tjetrën, sepse kërkonte një koncentrim më të thellë dhe përkushtim. Bashkëpunimi ka shkuar shumë natyrshëm, sepse është shumë me rëndësi përputhja e ngjyrës së tingullit. Ai menjëherë është adaptuar me punën time. Kemi punuar shumë intensivisht sepse megjithatë aziatikët janë të njohur për punë të madhe, derisa ne ndoshta mbajmë prova deri në një orë me këtë kanë zgjatur provat deri në tri orë. Mendoj që në fund kemi dhënë një produkt të bukur”, ka thënë pianistja Troni.

Kurse baritoni Suebsantiwongse ka thënë se ndjehet i impresionuar me kulturën dhe shumëçka tjetër në Kosovë, por mbi të gjitha me kualitetin e zërave të studentëve të Fakultetit të Artit.

“Fillimisht isha shumë i impresionuar me kualitetin e zërave të tyre. Mendoj se biologjikisht njerëzit nga Kosova kanë zëra kaq të bukur, të fuqishëm. Por gjithashtu ka të bëjë edhe me kulturën, siç është muzika folklorike, vendi që inspiron njerëzit të jenë të ndjeshëm, të bëjnë art me zërin. Janë të vetëdijshëm për këtë kualitet dhe me të shkëlqejnë. Përveçqë e kam kuptuar se kanë zëra të bukur, si askund në botë, ata janë studentë që kanë përvojë në këndim”, është shprehur baritoni tajlandez Saran Suebsantiwongse.

Ndërsa, drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula ka thënë se vetë prania e publikut në sallë është tregues faktik që “Chopin Pino Fest” ka arritur të ketë publikun e tij, i cili mbi te gjitha përjeton emocione kulmore artistike me vepra të autorëve më të shquar botëror.

“Sonte, ishte koncerti i dytë i radhës. Profesoresha jonë, Alberta Troni, ka përzgjedhur një bariton nga Tajlanda i cili ka ardhur special nga ky shtet i largët prej Kosovës. Është hera e parë që ai vjen në Ballkan për të interpretuar një program sfidues nga më të mëdhenjtë e muzikës klasike. Edhe profesoresha Troni luajti dy etida të Listz-it, një vepër premierë të Piazzolla-s, Kjo mbrëmje kishte një sharm të veçantë. Dhe jam shumë e lumtur që përsëri salla ishte e mbushur me publik kjo tregon që ne kemi arritur ta krijojmë publikun tonë, i cili e di që kur vjen këtu dëgjon vërtetë vlera, vlera kulmore artistike. Kjo është legjitimacioni jonë, letërnjoftimi i  festivalit tonë që vërtetë përçon emocione të përceptimit të vlerës kulmore artistike tek artëdashësit”, ka thënë drejtoresha Lejla Pula.

Drejtoresha më tej foli edhe për sfidat me të cilat u hasën përgjatë realizimit të këtij festivali, i cili po prezantohej me edicionin e 14-të ende në një sallë jo adekuate.

“Organizimi i këtij festivali është sfidues çdo vit edhe pse kemi mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës dhe ambasadat. Sfidues është për shkak se duhet gjithmonë të improvizohet salla. Ne megjithatë arritëm të krijojmë një ambient shumë të bukur koncertal, ku ka fatmirësisht edhe akustikë e cila na lejon t’i shijojmë vërtetë këto koncerte” ka treguar drejtoresha.

Ajo më tej tha se koncerti me kuartetin e kitarës dhe koncerti me muzikë Jazz janë risitë që e zhvendosin për dy netë instrumentin e pianos nga “fokusi” i “ChopinPianoFest”.

Gjithmonë kemi edhe risi të festivalit në të cilin fokusi është te është pianoja. Edicioni i sivjetëm dallon mjaft nga viti i kaluar. Ku kemi pasur kuintete, sekstete, duo, trio, ku gjithmonë pianoja është pjesë e festivalit, sivjet kemi edhe dy koncerte ku pianoja nuk është pjesë e ansamblit. Kemi kuartetin e Kitarës me Petrit Çekun dhe një Jazz mbrëmje shumë të veçantë”, ka përfunduar drejtoresha Pula.

Koncerti i radhës i Chopin Piano Fest mbahet me solistin Kosti Deti-Piano, më sonte, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme