Bashkëpunimi çeko-kosovar hapi edicionin e dytë të “Kosova Brass Festival”

1 Dhjetor, 2017 - 12:20 pm

Mbrëmë filloi edicioni i dytë i festivalit “Kosova Brass”, i cili për publikun solli edhe koncertin e parë në interpretimin e trumbetistit çek Lukáš Moťka dhe pianistit kosovar Misbah Kaçamaku, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Veprat çeke dhe franceze jehuan mbrëmë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, me një koordinim të mahnitshëm të bashkëpunimit çeko-kosovar. Trumbetisti çek Lukáš Moťka dhe pianisti kosovar Misbah Kaçamaku të dy pranë instrumenteve të tyre, e nisën dhe përfunduan bashkë këtë koncert.
Misbah Kaçamaku theksoi se një festival siç është “Kosova Brass”, do duhej të ishte i pranishëm për publikun gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në Prishtinë por edhe në qytete të tjera të Kosovës.
“Tungji është një instrument jo dhe aq i njohur tek ne, kështu që zakonisht piano, flauta, kitara, violençello dhe me kaq përfundon ndërsa kur vjen te boria, tromboni është më ndryshe pasi që vetëm pas luftës kemi filluar t’u japim përparësi mëshomë këtyre instrumenteve. Një festival si ky, jo që ish dashur të përkrahet, po do duhej të ishte tërë vitin, pra një herë në javë do duhej ta kishim një koncert me instrumente te tunxhit, atëherë edhe popullata e kishte kuptuar rëndësinë e këtij instrumenti. Madje një problem tjetër i madh që të gjitha festivalet për shkak të kushteve janë të bazuara vetëm në Prishtinë”, tha pianisti Kaçamaku për KultPlus.

Në pjesën e parë të këtij koncerti erdhën veprat çeke të kompozitorit Vaclav Smita, Václav Riedlbauch, për të vazhduar me pjesën e dytë ku trumbetisti çek sjellë një frymë franceze në interpretimin e tij solo të veprave të kompozitorit Francois Michèle dhe Alexandre Guilmant. Në fillim të interpretimit Motka, fshihet në prapaskenë por tinguj e fuqishëm që sjellë nga atje e plotësojnë këtë mungesë. Duke mos u shkëputur nga tingujt, ai del nga atje më ngadalësi, e me goditje të këmbeve mbi skenë, të cilat veçse e plotësojnë edhe më shumë praninë e tij artistike në këtë koncert. Sytë e tij herë mbyllen e herë hapën, ndërsa vetullat e tij ngrihen sa herë që me tingujt e tij arrin ta rrëmbej publikun.

Kjo ishte hera e tretë që Lukáš Moťka interpreton para publikut kosovar. Ai tha për KultPlus se këtë festival e cilëson si një projekt shumë të rëndësishëm për Prishtinën.
“Mua më pëlqen te luaj veprat çeke, andaj dhe gjysma e programit ishte me këto vepra, sepse dëshiroja që kësaj audience t’i sjellë vepra çeke me anë të trombonit dhe pjesa tjetër është e lidhur me muzikën franceze, pasi që muzika franceze është kryesorja me të cilën luhet me trombon. Mendoj se festivale si këto janë shumë të rëndësishme pasi që takojnë interpretuesit e tombonit, jam shumë i lumtur që edhe këtu në Prishtinë ka mundësi për të luajtur me këtë instrument pasi që kështu edhe mund të zhvillohen marrëdhëniet mes shteteve dhe mentaliteteve të ndryshme”, tha trumbetisti Motka.
Ky festival do të përbehet nga pesë mbrëmje koncertale dhe po ashtu do të përfshihen edhe aktivitete të tjera si masterklase për studentët. Instrumentistët pjesëmarrës sivjet në “Kosova Brass” vijnë nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Republika Çeke dhe Amerika.

Në mesin e tyre është dhe trumbetisti me renome botërore, gjermani Otto Sauter i cili do të prezantohet para publikut kosovar me Piccolo Trumpetë i shoqëruar nga kuarteti i harqeve, i cili do të udhëhiqet nga violinisti i njohur Visar Kuçi. Organizatori i këtij festivali, Avni Krasniqi tregoi për KultPlus për vështirësitë e në të cilat has ky festival, ndërsa theksoi se është një fat shumë i madh që këtë festival ta hapin me dy interpretues të njohur siç janë trumbetisti Lukáš Moťka dhe pianisti kosovar Misbah Kaçamaku.

“Më e vështira ka qenë krijimi i festivalit, që me anë të tij të sjellësh diçka të re por për fat të mirë që nga fillimi i festivalit ka nisur mbarë. Gjithmonë hasim në vështirësi, por problemi permanent është salla, edhe pse këtë vit e kemi më të lehtë, sepse na kanë mundësuar shfrytëzimin e sallës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Kemi një përkrahje modeste sa i përket organizimit por me të gjitha vështirësitë prapë kemi arritur që të mbledhim një numër të konsiderueshëm të artistëve vendor dhe ndërkombëtar. Sonte patëm fatin që para neve të interpretojnë këta dy interpretues të njohur, vlen të çeket se Lukáš Moťka se është trombonisti i parë në Filharmoninë e Republikës çeke”, tregoi mes të tjerash Krasniqi.

Ai po ashtu theksoi edhe rëndësinë që ka shtrirja e instrumentit të tunxhit përmes këtij festivali.
“Instrumentet e tunxhit i kanë munguar Kosovë më herët, më parë ka pasur deficit të instrumenteve të tunxhit por ka pasur vetëm përpjekje individuale, pra nuk ka pasur në mënyrë të organizuar diçka. Instrumentistet janë importuar nga jashtë, nga Shqipëria dhe Maqedonia ndërsa për fatin tone të mirë këto dhjetë vitet e fundit falë punës së pedagogeve kanë arritur të mbushen të gjitha vakumet që kanë qenë më herët dhe të plotësohen me instrumentistë vendor. Duke u nisur nga emri, tregon se ky festival është një festival që i kushton rëndësi të veçantë instrumentit të tunxhit dhe është ekskluzivisht për instrumentistet e tunxhit, por duke futur edhe instrumentist të tjerë”, tha tutje Krasniqi.
Ky festival do të sjellë koncertin e radhës javën tjetër, më 5 dhjetor ku do të interpretojnë: Ilir Kodhima dhe Eriona Gjyzeli nga Shqipëria, si dhe Adem Hasani nga Kosova . /KultPlus.com

Të ngjajshme