24 Tetor, 2017 - 10:55 am
Koncerti i katërt i titulluar ‘Cello, Shpirti i Romantizmit’ në ‘Kosova Kamerfest’ solli mbrëmë një bashkëpunim mes instrumentistit grek Militiades Cassaras në violoncello dhe shqiptarit Klevis Gjergji në piano, shkruan KultPlus.
I vendosur në mes të skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, çelisti grek Militiades Cassaras dëshmoi bagazhin e tij prej triumfuesit të shumë çmimeve si fitues i vendit të parë në garat shtetërore të çelos “ART”, në garat “Solistët e rinj” të Velos dhe Garat e solistëve të Rinj të Orkestrës Shtetërore të Athinës. Cassaras kordinonte lëvizjet e tingujve me lëvizjet e trupit e të fytyrës derisa gjente pozicionin më të përshtatshëm për të dhënë tinguj të cilat me ngadalësi shtereshin brenda sallës.
Të dy, të kordinuar mes një shikimi anësor sollën një harmoni muzikore të veprave nga autorë që kryesisht i përkisnin periudhës së romantizmit mirëpo që vijnë nga zona të ndryshme si veprat e Mendelssohnit e Schumannit nga Gjermania, Tchaikovskit nga Rusia Schubert Austri, e , Piattite nga Italia. Ata sollën tinguj herë më të lehtë e herë më të thumbueshëm, me meloditë e instrumenteve që rrallë braktisnin njëra-tjetrën.
Militiades Cassaras, i cili për natën e dytë shkeli këtë skenë të edicionit të dytë të festivalit tregon kënaqësinë që i ka sjellë interpretimi i veprave të sotme dhe ngrohtësia që mori nga publiku.
“Kemi zgjedhur stile të ndryshme të interpretuarit nga kompozitorë nga vende të ndryshme me përfaqësues kryesor të romantizmit. Unë dëshiroj të bëjë recitale të tilla duke kombinuar vepra të ndryshme në mënyrë që të sjellë kënaqësi dhe të ju përshtatem edhe atij publikut që nuk është shumë i mësuar me muzikën klasike”, tha Cassaras pë KultPlus.
Jo larg tij qëndronte në piano, shkodrani Klevis Gjergji. Ai mbrëmë erdhi për herë të dytë në këtë edicion, pasiqë herën e kaluar kishte përcjellur bason shqiptar Frano Luffin, ai edhe këtë bashkëpunim e cilësoi të mirëpritur nga publiku duke u shprehur i kënaqur që sonte erdhi me një duo me çelistin Cassars, të cilin e vlerësoi si një artist me intelekt të lart muzikor.
“Sot këngëtarët duhet të mendojnë sikur zëri është tingull i çelos dhe çelistët tingullin e çelos duhet ta konsiderojnë sikur zë i njeriut, andaj shumica e gjërave janë të njëjta mirëpo çdo artist ka mënyrat e veta të trajtimit, andaj duhet të përshtatesh në një festival të tillë ku koha është e shkurtër”, tregoj Gjergji.
Edhe kur dukej se artistët po përshëndetnin publikun me interpretimin e fundit, publiku nuk ishte i gatshëm për të dhënë duartrokitjen e fundit veprave të këtij bashkëpunimi. Por as kur këta instrumentist u përkulen për të tretën herë në shenjë mirënjohje pas përfundimit të veprës, e as kur u larguan për të dytën herë në prapaskenë nuk u ndalën duartrokitjet në kërkim të një vepre të fundit.
Nesër KamerFest Kosova nga ora 20:00 do të hap dyert e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë me interpretim të pianos nga Derek Han nga SHBA, Bertrand Giraud nga Franca, Klevis Gjergji nga Shqipëria, dhe Shkëlzen Baftjari nga Maqedonia.
Nata e pestë e këtij koncerti do të sjellë vepra të Mozartit, Schubertit, Ravelit, Rachmaninoff dhe Lavignac. / KultPlus.com