10 Prill, 2019 - 11:15 pm
E madhja, Vaçe Zela do të festonte 80 vjetorin e saj të lindjes po të ishte në mes nesh të dielën që lamë pas, në 7 prill.
Soiree e Jonida Shehut e kësaj të mërkure ishte e gjitha dedikuar artistes së madhe të skenës shqiptare, ku familjarë dhe miq të Vaçes qenë mbledhur për ta përkujtuar.
Ndër të ftuarit e mbrëmjes ishte edhe bashkëshorti i Vaçes, Pjetër Rodiqi.
Në bisedën me moderatores, Rodiqi ka treguar edhe njohjen dhe rënien në dashuri me artisten e njohur.
“Unë kam kryer shërbimin ushtarak në Lushnje dhe kënaqësia e vetme ishin ato shëtitjet që bënim dhe në të njejtën kohë e vetmja qendër ishte Shtëpia e Kulturës. Nuk e dija as kush ishte Vaçja, as që ekzistonte. Unë e njoha duke luajt bilardo, kur edhe sot e kësaj dite nuk di të kem lozur ndonjëherë bilardo”, – tregoi Pjetër Rodiqi.
“Aty nisi ndjenja jonë. Shiko, Vaçja sa ç’qe këngëtare e mirë, aq ishte edhe e zgjuar. Ishte inteligjente me plot kuptimin e fjalës. Sa e madhe dhe e zgjuar. Më tërhoqi me intelektin e saj. Ne ishim të rinj atë kohë dhe kishim interes për letërsi, poezi e kështu gjërash”, – shtoi bashkëshorti i këngëtares.
I pyetur nëse ka qenë jeta e lehtë apo e vështirë me Vaçen, Pjetri përgjigjet: “Shiko, ka qenë e vështirë në kuptimin që Vaçja u bë e njohur pasi u njohëm ne. Unë deri vonë e kam pasur besdi që më thonin ‘burri Vaçes’… ndërsa tani, prezantohem ‘bashkëshorti i Vaçe Zelës’”.
“Sa e madhe ishte aq edhe e thjeshtë!”. – ka përfunduar Pjetër Rodiqi, bashkëshort i Vaçe Zelës.
Top Channel