Bateristi Petrit Riza shpalos rrugëtimin e tij artistik, me nostalgji në sy kujton koncertet me “Gjurmët” në vitin 1985

27 Maj, 2022 - 11:18 am

Era Berisha

Ishte viti 1980 kur grupi “Gjurmët” filloi jetësimin e tij nëpër hapa të ngadaltë. Nuk u desh shumë kohë që dy këngët e para “Muzikë për disponim të mëngjesit” dhe “Ka ditë që bie shi” të jehojnë në skenën jugosllave. Periudha e artë e viteve 80-ta në Kosovë, për sa i përket muzikës, e ka zënë grupin në një kohë tejet produktiv me ç’rast pasioni, dashuria dhe energjia e secilit anëtar dallohej jo vetëm mes rreshtave të teksteve apo melodive tërheqëse, por ajo dilte në pah dukshëm nëpërmjet kuptimeve multidimensionale të fshehura përbrenda secilës këngë. Për të shpalosur një rrugëtim të tërë qysh nga formimi si artist, fillet e para të këtij grupi e deri tek gjurmët që kanë lënë në historinë e muzikës shqiptare, e tregon më së miri edhe vetë bateristi Petrit Riza në një intervistë ekskluzive për KultPlus.

“Ne kemi një traditë të gjatë familjare në muzikë. Por ai momenti që kam vërejtur se bateritë janë pjesë e imja, ka qenë qysh në bankat e shkollës fillore. Atëherë në pauza, përfundi bankës ka qenë një vend i posaçëm për t’i lënë çantat e unë aty krijova tingujt e parë për shkak se lëshohej një tingull shumë i hollë dhe i duhur për muzikën që e këndonim. Kështu që, shumë herët e kam ditur se kam një talent në muzikë dhe pastaj fatmirësisht pata vazhduar me bendin më tutje dhe kemi krijuar afro pesëdhjetë këngë”, thotë Riza i cili me një krenari që i shihej në sy pohon se shqiptarët e kanë një talent gjenetik për sa i përket artit, kulturës dhe muzikës.

I lindur në Prishtinë por me prejardhje nga Gjakova, ai kësaj radhe ka ndarë disa nga momentet më të veçanta përgjatë pjesëmarrjes së tij në grupin “Gjurmët”, ka shkëputur çaste të cilat ai ende i mban të freskëta në kujtime si dhe ka shpalosur një mori detajesh që kanë qenë shtyllë kryesore për ndërtimin e një grupi autentik, unik dhe tejet special. Duke përfshirë edhe sfidat më të mëdha nëpër të cilat ka hasur si dhe momentet më kulminante në muzikë, atij këto nuk i duken edhe shumë të vështira për t’i rikujtuar. Me një buzëqeshje të lehtë, ne e nisim këtë intervistë sa në një frymë shakaje aq edhe serioze.

“Autostop”, titullohej grupi në të cilin ishte fillimisht bateristi Riza. I themeluar së bashku me Tomorr Kurshumliun, Gazmend Badivukun dhe Rifat Derin, grupi ka udhëtuar nëpër vendet turistike të rajonit dhe Evropës. Me dy vite ekzistencë, ata si fillestarë morën pjesë në kitariatin e parë të mbajtur në Prishtinë duke zënë vendin e tretë. Pastaj për ndonjë arsye që as vetë nuk e dinte, bendi u pasivizua dhe ndërkohë ishte Migjen Kelmendi ai i cili pati rastin t’i dëgjojë ata në atë kitarium. Kështu dhe lindi krejt rastësisht themelimi i grupit “Gjurmët”.

Pas përfundimit të dy këngëve të para në studio dhe incizimit të tyre në Radion e Prishtinës, ata kolektivisht filluan të mendonin për emrin e grupit. Migjeni kishte një ide, dikush tjetër një ide por ishte ideja e Petritit ajo që u përkrah më së shumti.

“Ngeli emri “Gjurmët” sepse po mendoja se atë që do ta bëjmë, ndoshta do të lejë gjurmë në kulturën tonë.”

Grupi “Autostop”, 1979

Ndërkaq, janë ato grimcat e para të dashurisë ndaj një instrumenti të cilat të shtynë të gjesh veten tek njëra ndër ato e për të mos e lëshuar më kurrë. Në këtë rast, Petriti fillimisht ishte i pasionuar pas saksonit por shumë shpejt bateritë kishin zënë vend në shpirtin dhe zemrën e tij.

“Unë çdo herë them se instrument të keq nuk ka dhe se çdo instrument krijon një tingull. Unë e kam dashur shumë sakson, por ndoshta bateritë më kanë krijuar mua si person dhe ma kanë vënë në pah edhe atë personalitetin tim. Faktikisht me qenë muzicient që ke talent dhe e kultivon atë, tregon një kulturë të organizimit personal, të dëgjimit të anëtarëve të tjerë, të përgatitjes paraprake për ndonjë koncert ose incizim, pastaj vjen edhe kreativiteti. Pra, këto elemente i ka secili që është me të vërtetë i rrjedhshëm në ndonjë punë të vetën. E kjo vlen sidomos për instrumentin e baterisë si instrument ritmik, i cili i ka të gjitha këto afinitete”, thotë Riza.

Si çdo fillim, edhe hapat e parë të grupit “Gjurmët” nuk ishin të lehtë. Me huazime të instrumenteve nga persona të ndryshëm dhe përgjegjësi nga më të ndryshmet, nisi rrugëtimi i suksesshëm i tyre.

“Forca e grupit “Gjurmët” qëndron në atë se kemi qenë shumë kompakt. Unë, Migjeni, Tomorri, Armando dhe Bekimi kemi qenë shumë kompakt në ide dhe kreativitet. Ka ndodh kur Migjeni ka ardhur me dy akorde dhe me një ide për një këngë, pastaj ne e kemi shkruar secili pjesën tonë dhe e kemi testuar dy-tri herë, kemi krijuar aranzhimin e këngës dhe kemi hy në studio për të incizuar menjëherë. Po ashtu, përgjegjësitë kanë qenë të ndryshme. Them se ndoshta unë jam marrë më shumë me organizimin, me teknikën, me instrumentet meqenëse kam pasur njohuri më të madhe. Në atë kohë ka qenë një mungesë e instrumenteve cilësore dhe është nevojitur një bass kitarë të cilën unë e kam marrë nga Agim Berisha. Pastaj është nevojitur një kitare për Migjenin që është dashur ta huazojmë nga tjerët. Fillimi ka qenë i tillë”, tregon Riza.

Gjithashtu edhe në paraqitjet skenike, ai gjithmonë ka dashur që skena dhe instrumentet të dalin jashtëzakonisht bukur në pamje dhe nëse i shikoni klipet e grupit atëherë shihet se në vitet e 80-ta, kanë qenë disa incizime në kushte jo aq të mira por që në fakt ata kanë qenë në hap me trendet botërore ose evropiane të stilit me të cilin ata kanë krijuar muzikë.

“Të gjithë kemi qenë studentë në atë kohë dhe muzikën e kemi pas hobi. Gjithë ajo që ne e kemi pasur brenda në veti, një emocion ose thënie, e kemi transformuar në këngë. Ne kemi përdorur po ashtu edhe terme që në atë kohë në Kosovë nuk janë përdorur por kanë qenë terme që janë përdorur në Shqipëri. Pastaj, kemi përdorur edhe elemente të polifonisë ose edhe kemi bërë transformimin e klarinetës në kitarë. Secila këngë e ka pasur atë mesazhin e vetë. Nëse i dëgjoni mirë tekstet, e shihni sesa kemi qenë ne në atë kohë produktiv për sa i përket muzikës”, shpalos ai.

Ai tutje mban mend se ka qenë shumë sfiduese kur ata kanë filluar të shkruajnë një këngë kur i kanë pasur vetëm dy akorde. Por sipas tij, muzika shqipe është shumë e pasur me harmoni e ritëm dhe është me të vërtetë një brumë universal nga i cili mund të krijosh çka do, vetëm a ke kreativitet.

“Ne asnjëri nuk i kemi ditur notat dhe ende nuk i dimë, por nuk do të thotë që duhet t’i dish notat për të krijuar diçka e cila ka një vlerë.”

“Kur dielli perëndon” – Grupi Gjurmët në “Boom”

Ka qenë një frymë në atë kohë në të cilën ata si studentë e kanë përjetuar dhe duke marrë parasysh se vitet 80-ta kanë qenë periudha e artë e produktivitetit të muzikës, veçanërisht në Kosovë, Prishtina konsiderohet të ketë qenë e barabartë me skenën kroate, sllovene dhe serbe, për sa i përket trendeve të muzikës alternative.

“Ne asnjëherë nuk kemi qenë mbrapa, çdo herë ndoshta kemi qenë edhe më produktivë e më autokton sesa ata për arsye se i kemi pasur elementet tona unike”, thotë Riza.

Petriti asokohe e kujton edhe një organizim në Opatijë, në të cilin grupi “Gjurmët” ka marrë një mori komentesh të mira për sa i përket muzikës së tyre. Ndonëse nuk është kuptuar gjuha e tyre shqipe dhe atyre nuk iu është kujtuar që t’i përkthenin këngët e tyre, kritikat e mira kanë pasuar vazhdimisht për origjinalitetin dhe stilin e tyre unik.

Përpos atij mentalitetit dhe botëkuptimit përmes së cilave kishin kaluar anëtarët e grupit në atë kohë, sfidë e vërtetë ka qenë që ata t’i tregojnë Federatës Jugosllave se muzika shqipe ka çfarë të dhurojë.

“Neve na ka mjaftuar ajo. Që nuk kemi qenë kopje e diçkaje.”

Bateristi Riza kujton edhe periudhën kur për herë të parë i ka blerë tupanët dhe i ka dërguar në shtëpi për t’i montuar. Menjëherë pas atij i ka lind edhe pyetja ‘Çfarë do të ushtrojë tash?’.

Për Rizën, ka qenë një periudhë atëherë kur nuk ka pasur se prej kujt të mësoj.

“Në atë kohë e kam dëgjuar shumë grupin “The Police” dhe bateristi i këtij grupi ka qenë modeli im. Ai ka qenë një baterist që ka qenë shumë konkret, ka pasur ritmin e fortë, ka qenë kreativ dhe asnjëherë nuk ka krijuar eksperimente në instrument. Kështu që Stewart Copeland ka qenë idoli im atëherë. Mua gjithmonë më kanë pëlqyer bateristët që janë të qartë, nuk i tejkalojnë kompturat e muzikës së bendit. Tek ne gjithmonë ndodh kjo, kur instrumentistët provojnë dhe mundohen të tregojnë se sa janë të mirë teknikisht dhe në fakt vetëm krijojnë diçka më tepër sesa është e nevojshme”, shpalos ai.

Goditjet e tij dhe stilin të cilin ai e ka transformuar në tupanë, është një kombinim i Bormann dhe elementeve unike të grupit “Gjurmët”. Nëse dëgjohen këngët e grupit “Gjurmët” atëherë lehtësisht dallohet se kitara i ka specifikat e veta, këndimi specifikat e veta dhe tek tupanët kemi një gërshetim mes trendeve evropiane të asaj kohe dhe stilit të tyre mbresëlënës.

“Origjinali i thjeshtë është shumë herë më i mirë dhe ka më shumë vlerë sesa një gjë që është sintetike, e kopjuar”, kjo është ajo që ai gjithmonë e mban si pjesë kyçe të krijimtarisë së tij.

Grupi “Gjurmët”

Ndërsa kur kapërcejmë tek koncertet e mrekullueshme që ka pas grupi “Gjurmët”, bateristi Riza i veçon disa prej tyre.

Me një nostalgji në sy ai i rikujton koncertet që i kanë mbajtur në vitin 1985 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Kanë qenë shtatë mbrëmje dhe e gjithë Prishtina ishte prezente aty. Këtë koncert ai e mban afër zemrës dhe shumë të freskët në mendjen e tij.

Ndërsa, në vitin e 86-të, Petriti shkon në shërbimin ushtarak në Shkup, pas 6 muajve shkon Migjeni, pas një viti shkon Tomori, dhe aty ata e përfundojnë karrierën. Por, kthehen në vitin 1998, incizojnë këngën e tyre të fundit “Heroi i qytetit pa lum”. Bateristi Riza pas jetesës në Londër përgjatë viteve 1995 deri më 2004, ëndërronte që të rikthehej me grupin “Gjurmët” për të krijuar një koncert tjetër, por kjo nuk ndodhi për shkak të ngjarjeve të ndryshme personale të secilit anëtar.

Në vitin 2015, përsëri grupi mblidhet disi por kushtet ata i orientojnë në Tiranë, atje ku ndodhi koncerti në Pallatin e Kongreseve. Me aq sa ai mban në mend, ishte një koncert historik për shumë elemente.

“Ishte hera e parë që është mbajtur një koncert rok në trevat shqiptare me Orkestrën Simfonike të RTSH-së.”

Tek pas koncertit ai e kishte parë se si janë dukur ata në prapavijë. Ishte një video prapa tyre dhe me të vërtetë konsiderohej të ishte shumë magjike.

Pastaj pas tri viteve ata mbajnë një koncert në Prishtinë për Ditën e Çlirimit, koncert ky që u organizua në Sallën ‘1 Tetori’ dhe padyshim që kishte elementin e vetë magjepsës.

Tutje kur flasim për ripërpunimet e këngëve të grupit “Gjurmët”, ai me entuziazëm tregon për përpunimin e tij më të pëlqyer, e që sipas tij është versioni i Rudinës e cila jeton në Amerikë dhe e ka përpunuar këngën “Era” me instrumentin e pianos në një mënyrë tejet brilante.

“’Asgjë sikur dielli’ ka kënduar këngën tonë ‘Mendoja çdo gjë merr fund pa ty” dhe asnjëherë nuk e ka treguar që është këngë e jona. Asnjëherë”, thotë Riza.

Ai tutje thotë se është mirë që nëse përdoret kënga e tyre, të jetë diçka origjinale dhe të mos bastardohet apo të tejkalohet thelbi i veçantë i këngës. Po ashtu, ka shumë këngë të tyre të cilat nëse një bend do t’i merrte dhe ripërpunonte, atëherë sipas tij, do të bëheshin hit e do të zgjasnin akoma më shumë.

Kopertina e rock kasetës së parë të RTP – Radio Televizionit të Prishtinës, 1985

Bateristi Petrit Riza për sa i përket rrugëtimit të muzikës nëpër vite, mendon se grupi “Gjurmët” ende vazhdon të jetë aktual për shumë gjenerata dhe do të mbetet gjithmonë i atillë.

“Ju e shihni se edhe gjeneratat e reja ende i dëgjojnë këngët e grupit “Gjurmët”. Në koncertet tona ka pasur edhe prind me fëmijë por kanë qenë edhe nipat e mbesat e tyre. Këngët tona kanë me qenë të pavdekshme dhe ne me të vërtetë jemi shumë krenarë me atë se çfarë kemi bërë. Ne kemi prekur në atë gjenin shqiptar dhe pikërisht pse ka këngë të ndryshme, secili e gjen veten aty”, thotë ai.

Sipas tij, stili hip/hop dhe r&b në Kosovë dhe Shqipëri është shumë i fortë për shkak të fjalëve shqipe dhe se si mënyra e fjalëve shqipe flenë me atë stil bënë që shqiptarët të jenë shumë të fortë në atë aspekt për shkak të zhargonit.

“Por gjithë ky stil komercial tani është thjesht një bastardim i vlerave tona sepse ne kemi brumin tonë universal. Me pak teknikë të vjedhjes nga shumë kush, e krijon një këngë. Për tekstet, nuk kam fjalë. Megjithatë është shumë vështirë që ky trend të ndalet por nuk është aspak i mirë”, thotë ai në lidhje me muzikën shqipe që dëgjohet sot në një masë të madhe.

E krejt në fund, bateristi Riza shpalos edhe planet e tij për të ardhmen në lidhje me grupin “Gjurmët”.

“E kam menduar një projekt që nëse bash komplet nuk mundemi të mblidhemi me grupin “Gjurmët”, atëherë me bendin tim tani dhe me një këngëtar, të bëjmë një ‘tributë’ ndaj grupit “Gjurmët”. Po ashtu, do të doja ta bëja një dokumentar më të thellë për krijimtarinë e grupit “Gjurmët”, qysh nga fillimi e deri në fund me segmente të ndryshme të përfshira. Kjo është më se e nevojshme”, shpalos ai.

Bateristi Petrit Riza sot është i preokupuar me punën e tij në turizëm si dhe është aktiv me bendin e tij “Haliband”, i formuar në vitin 2004 pasi ai u kthye nga Londra.

Edhe pse e vështirë, intervistën e përmbyllim me atë se çfarë do të thotë muzika për të. Vetëm në tri fjalë, ai përgjigjet me një emocion të natyrshëm që i vinte lehtazi.

“Motivacion, emocion, krenari.”/ KultPlus.com

Petrit Riza

Të ngjajshme