23 Mars, 2024 - 4:57 pm
“Beethoven Celebration” do të jetë koncerti instrumental-simfonik që do vijë në datën 2 prill, në orën 19:00, nga vetë anëtarët e familjes së madhe të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Drejtoresha e përgjithshme e TKOB, Abigeila Voshtina, dhe drejtori artistik i Operës dhe Filarmonisë, Jacopo Sipari di Pescasseroli, do të lënë kostumin formal, për t’u ngjitur në skenë si artistë në violinë e dirigjim.
Po ashtu, Etrita Ibrahimi, do të vijë në pianoforte duke lënë pas pozicionin si përgjegjëse e Sektorit të Solistëve, si dhe miku i shtëpisë, Ettore Pagano do të jetë solist në violonçel.
Një homazh i madh për muzikën e Beethoven me interpretimin e një prej simfonive të tij më të rëndësishme dhe koncertin e famshëm të trefishtë për piano, violinë dhe violonçel, një koncert me emocione të mëdha.
Për të interesuarit, biletat shiten çdo ditë, nga ora 10:00-14:00 dhe nga ora 16:00-20:00./atsh/KultPlus.com