29 Gusht, 2018 - 6:57 pm
Dikur ishte vetëm këngëtar dhe i këndonte vetëm dashurisë, dhe këngët e tij në vitet e hershme të viteve të 90-ta ishin hite të mëdha, e tashti, pos që është edhe aktivist partiak ai ka sjellë edhe një këngë rebeluese që përkon me zhvillimet në Kosovë.
Një rebelim i tillë vjen si pasojë e zhvillimeve politike në Kosovë, por edhe si rezultat i anëtarsimit të tij në partinë më të zhurmshme në Kosovë, në Vetëvendosje. Është kënga “Paradox” që ka risjellë Naser Berishën përsëri në botën e muzikës, teksti i së cilës ka mjaftë mllef për cdo pore të jetës.
Vetë ai është i kënaqur që ka ardhur me një këngë të tillë, një këngë që trajton problemet sociale, por jo të njëjtën kënaqësi ka edhe me promovimin e këngës. Ai në një intervistë për KultPlus ka treguar se si ka një ndjesi se kënga po i bllokohet nga mediet dhe nuk po promovohet aq sa duhet, duke pas parasysh fuqinë e këngës.
“Fatkeqësisht, gazetarët dhe redaktorët e kulturës po i promovojnë antivlerat për një kafe dhe për një pizza. Kurse artistët e mirëfilltë shumë pak po gjejnë hapësirë nëpër mediet kosovare”, ka thënë Berisha, i cili për këngën Paradox ka thënë se si ide i ka lindë para rreth tre viteve, por sipas tij, kjo verë ishte periudha më e mirë që të plasohet.
“Kurrë nuk kam besuar se edhe pas 19/20 viteve kur edhe ka përfunduar lufta në Kosovë, të shkruaj një këngë të tillë. Kam shpresuar se Kosova këto probleme do të duhej ti zgjidhte shumë më herët, tranzicioni kam menduar që do të ekzistonte, dhe kam pritë që duhet të kalonin pesë deri në dhjetë vite, por kurrsesi nuk kam menduar që do të kalojnë 19 deri 20 vjet”, ka thënë Berisha, i cili një këngë të tillë pat publikuar edhe në vitin 2003 me titullin “Hajt shko”, këngë e cila pat pasë një jehonë të madhe për kohën kur edhe u pat lansuar.
“Paradox”, ka ardhë në një momnet mjaftë delikat sa i përket zhvillimeve politike kur kemi parasysh zhurmën e madhe për veteranët e luftës, shqyrtimi i kufijve dhe shumë zhvillimeve politike, dhe sipas Berishës, tema që trajton kjo këngë mjaftueshëm flet për situatën në Kosovë.
Berisha thotë se kjo këngë edhe pse nuk po përcillet shumë nga mediet, ai ka thënë se është shumë i vetëdijshëm që kjo këngë nuk është lansuar me qëllim të shndërrimit të një hiti vere, pasi që beson se kjo këngë do të gjejë audiencën e vetë me kohë.
Naser Berisha që ka tash e sa vite si aktivist i Vetëvendosjes ka thënë për KultPlus se nuk e beson se mund ta dëmtojë karrierën e tij muzikore rreshtimi në politikë, pasi që, një qasje e tillë mund të ndodhë vetëm në Ballkan, pasi që, artistët në të gjitha anë e botës kanë rreshtimin e tyre politik, por në anën tjetër vazhdojnë punën në të cilën edhe e bëjnë.
Berisha që njihet për hitin e madh “Do të doja” ka treguar se shumë më vështirë është ti këndohet temave sociale se sa dashurisë, dhe i njëjti ka konfirmuar se një baladë dashurie do ta sjellë në fund të këtij viti. Ai ka treguar se asnjëherë nuk do të nxjerrë një album, por beson se cdo vit do të prezantohet me nga dy këngë./KultPlus.com