Besa Luzha: Greva e përformuesve të instutucioneve vartëse të MKRS-së ra nën hijen e ngjarjeve politike

11 Shtator, 2018 - 11:30 am

Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” javën e kaluar kanë filluar grevën, duke anuluar çdo aktivitet, pasi që nuk u janë përmbushur kërkesat e tyre për rritjen e pagës sipas rregullores, shkruan KultPlus.

Profesori i trombonit në Fakultetin e Arteve Betim Krasniqi me anë të një postimi në Facebook ka indiferencën e komunitetit muzikor përkitazi me grevën që po e mbajnë kolegët tyre në Filharmoninë e Kosovës. Ai tha se është për keqardhje fakti se asnjë institucion i muzikës në Kosovë, e as edhe një festival i muzikës artistike nuk e vizitoi apo përkrahu këtë grevë të atyre që për çdo vit i shfrytëzojnë në çfarëdo forme, veçmas për festivale të veta.

Lidhur me këtë reagim ka reaguar profesoresha dhe drejtoresha e festivalit “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha duke thënë se përkrahja e komunitetit nuk kërkohet me ton kërcënimi dhe se disa prej komunitetit vazhdimisht kanë përkrahur kërkesat e tyre dhe se duhet të qëndrojnë të bashkuar për një trajtim më të mirë të skenës muzikore. Ajo tutje shtoi se pavarësisht përkrahjes, momenti i grevës mund të mos ketë qenë i duhuri pasi që greva ra nën hije nga ngjarjet politike.

Më poshtë ju sjellim postimin e plotë të Besa Luzhës.

Betim përkrahja e komunitetit nuk kërkohet me ton kërcënimi që u ndje në postimin tënd. Disa prej komunitetit kanë përkrahur vazhdimisht kërkesat tuaja. Kur u dha lajmi për ligjin dhe rregulloren për pagat për artistët ne u gëzuam shumë. Ndoshta ske mujtë me i përcjellë krejt reagimet por menjëherë kemi shpërnda lajmin për grevën. Shumë prej nesh kemi konsideruar se greva i takon punëtorëve të institucionit e ne mundemi vetëm me ju përkrahë. Ndoshta edhe momenti s’ka qenë i përshtatshëm sepse greva juaj ra në hije nga ngjarjet politike.
Edhe komuniteti i festivaleve të cilit iu ke drejtu ka pasur goditje dhe pati pak përkrahje nga komuniteti artistik institucional por nuk u akuzua askush. Përçarjet janë të dëmshme. Ne duhet të gjithë të jemi të bashkuar për një trajtim më të mirë të skenës tonë muzikore dhe statusit të artistit. Një kërkesë për përkrahje në formë peticioni do të mjaftonte si nismë. / KultPlus.com

Të ngjajshme