Bethovenfest 2023, vjen me moton ‘Muzikë për jetën’

2 Shtator, 2023 - 12:00 pm

Me 70 koncerte, 30 vende koncertesh dhe themelimin e një orkestre në Bon fillon Festivali i Beethoven-it në Bon “Beethovenfest 2023”. Motoja sivjet është: “Muzikë për jetën”.

Sikur Bethoveni të kishte jetuar sot, me siguri që do të ishte një tip progresiv – për këtë është i sigurt Stiven Uollter, drejtor artistik i Bethovenfest. “Gjithsesi Beethoven ka qenë një njeri, që shikonte gjithmonë përpara, edhe pse i lidhur shumë me traditën. Ai nuk do të kishte mbetur kurrë vetëm te ‘mbrojtja e monumenteve të traditës’, vetëm duke u riprodhuar”.

Këto impulse tipike të Beethoven-it do të donte t`i vazhdonte Steven Walter, i cili po organizon për herë të dytë me ekipin e tij të ri festivalin në Bon. „Mund të jesh pa problem, ashtu si Beethoveni, pak i rrëmbyer dhe kurajoz”.

Motoja e festivalit të sivjetshëm është “Muzika për jetën”. “Tre festivalet e para nën drejtimin tim trajtojnë tri çështje të mëdha sociale”, thotë regjisori Walter në një intervistë me DW. Në vitin 2022 motoja ‘Të gjithë njerëzit’ kishte të bënte me larminë dhe diversitetin. Vitin e ardhshëm, 2024, do t’i përkushtohemi temës së ‘demokracisë’. Dhe këtë vit nën moton ‘Jeta’ bëhet fjalë për qëndrueshmërinë dhe marrëdhënien e njeriut me natyrën, si ka qenë dhe si është.”

Muzika e Beethovenit pushton Bonin dhe zonën përreth

Guximi dhe inovacioni janë padyshim në rend të ditës, kur projektohet një festival në një peizazh kulturor, që ështëende i dobësuar nga pandemia. Është fjala për të rimenduar dhe çuar më tej formatin klasik të një koncerti simfonik, duke e zhvilluar me vende dhe formate të reja. Deri më 24 shtator në Bon dhe në zonat përreth do të zhvillohen më shumë se 70 koncerte, në 31 vende, disa prej të cilave janë mjaft të pazakonta, si salla fabrikash të vjetra, kështjella apo salla festive. Një trilogji e simfonive të nënta nga Dvorzhak, Bruckner dhe Beethoven me Tonhalle-Orkester të Zyrihut dhe Orkestrën Simfonike gjermane të Berlinit (DSO) do të nisë maratonën e koncerteve.

Edhe brezi i ri i muzikantëve do të jetë aty: një pikë kulmore e festivalit është koncerti debutues i orkestrës oneMusic nën drejtimin e dirigjentit izraelit Yoel Gamzou. E themeluar si pjesë e projektit Beethovenfest Fellowship, orkestra e re e ka bërë mision të saj, që të interpretojë të paktën 50 për qind të pjesëve si kompozime të reja, të krijuara nga kompozitorë, që vijnë nga sfonde muzikore shumë të ndryshme si muzika pop apo elektronike. Në këtë mënyrë muzikantët duan të punojnë për një të ardhme të gjallö dhe tö qëndrueshme të sektorit të tyre.

Formate të reja, partnerë besnikë

Në formatet e reja të zhvilluara nga Beethovenfest dhe DW (në bashkëpunim me ARD Kultur) zë vend seria e videove “Tiny House Concert”, në të cilën intendanti Steven Walter fton në një Tiny House pranë Bonit artistë të rinj të njohur, për të shkëmbyer ide dhe për të bërë muzikë. “Seria e videove ka për qëllim një audiencë ndërkombëtare nga mosha 18 deri në 50 vjeç, të interesuar për kulturën, që pëlqejnë të kapërcejnë kufijtë dhe të thyejnë traditat,” thonë krijuesit. Episodet e para mund të shihen në kanalin YouTube “DWClassicMusic”.

Klasikja në portofolin Beethovenfest është projekti campus, i cili ka udhëtuar në gjysmën e botës që nga fillimi i tij në vitin 2001dhe tani do të mbahet për të 22-tën herë. Këtë vit nö fokus është Afganistani dhe Irani.

Koncerti do të zhvillohet në auditorin e universitetit të Bonit më 14 shtator 2023 në orën 19:30 dhe së bashku me disa koncerte të tjera të përzgjedhura të festivalit do të përcillet në kanalin YouTube DW-Classical Music./RTK/KultPlus.com

Të ngjajshme