11 Shtator, 2018 - 10:30 am
Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” javën e kaluar kanë filluar grevën, duke anuluar çdo aktivitet, pasi që nuk u janë përmbushur kërkesat e tyre për rritjen e pagës sipas rregullores.
Profesori i trombonit në Fakultetin e Arteve Betim Krasniqi me anë të një postimi në Facebook ka kritikuar indiferencën e komunitetit muzikor përkitazi me grevën që po e mbajnë kolegët tyre në Filharmoninë e Kosovës. Ai tha se është për keqardhje fakti se asnjë institucion i muzikës në Kosovë, e as edhe një festival i muzikës artistike nuk e vizitoi apo përkrahu këtë grevë të atyre që për çdo vit i shfrytëzojnë në çfarëdo forme, veçmas për festivale të veta.
Më poshtë po ju sjellim reagimin e plotë të profesori Betim Krasniqi:
Instrumentistët dhe koristët e Filharmonisë së Kosovës për një javë janë në grevë duke e ngritur zërin për herë të parë për trajtim jo të dinjitetshëm që i është bërë deri tash, duke kërkuar rritjen e mirëqenies së tyre.
Edhe pse shumë me vonesë, instrumentistët dhe kori i Filharmonisë janë organizuar mirë dhe janë të vendosur për kërkesat e tyre legjitime që janë ngritja e mirëqenies së tyre e cila do të ketë ndikim dhe në ngritjen e nivelit profesional-artistik të institucionit më të lartë muzikor në vend.
Për keqardhje ishte mos përkrahja zyrtarisht e kësaj greve nga bordi udhëheqës i Filharmonisë si dhe nga komuniteti artistik në vend.
Asnjë institucion i muzikës në Kosovë, asnjë Festival i muzikës artistike nuk e vizitoi apo përkrahu këtë grevë të atyre njerëzve që për çdo vit i shfrytëzojnë në çfarëdo forme e sidomos për Festivalet e veta.
Asnjë instrumentist që shumë herë kanë qenë solistë me këtë orkestër, dirigjent, kompozitorë, muzikologë…. asnjë nuk erdhi as t’i vizitojë e as ti perkrahë kolegët e tyre!…
Ra kjo grevë dhe u pa… kush dhe kujt e sa i intereson mirëqenia e atij institucioni dhe e artistëve që punojnë aty e që për vite me radhë ka qenë shtyllë e kultivimit dhe zhvillimit të muzikës artistike si dhe ka përkrahur çdo iniciativë si për individë ashtu dhe për festivale të ndryshme.
Si ka mundësi që as edhe një?!… nga të gjithë komuniteti të mos dalë publikisht ta përkrahë grevën?
Një koleg më tha .. pse me u merakos për artistët e Filharmonisë, të gjithë ju që duhet të flisni merrni rroga shumë të mëdha nëpër fakultete, borde, organizata etj ejt
Sado e papëlqyeshme mu duk dalëngadalë duke e analizuar erdha në përfundim që kolegu kishte të drejtë.
Drejtuesit e Festivaleve të muzikës artistike shumica janë Profesorë nëpër universitete dhe kanë paga shumë të mira, një pjesë tjetër e kanë mbush buxhetin dhe ndihen rehat për aktivitetet që i zhvillojnë dhe ruhen që të mos flasin që vitin tjetër të mos dalin nga lista e subvencioneve etj. etj…
Si përfundim asnjë fjalë….
Strukja dhe indiferenca ndaj problemeve është veti artistike që kultivohet dhe trashëgohet në Kosovë e sidomos prej njerëzve që kanë pozitë apo ndikim në shoqëri, prandaj edhe nuk kemi asgjë si duhet…..psh. salla koncertale, shkolla të mirëfillta, fakultete, orkestra etj etj…
Po ju kujtojmë që instrumentistët dhe kori ka filluar të organizohet, shumë shpejt vjen koha që do të marrë pjesë në vendimmarrje dhe do të vendosë edhe për pjesëmarrje të Orkestrës dhe Korit nëpër evenimente që nuk janë në agjendën e përcaktuar për nevoja të Filharmonisë.
E pra…. festivalet duhet ta gjejnë veten pa natën e fundit me Filharmoninë si natë kulminante-madhështore!!! edhe ashtu mosmirënjohja, kritikat jo të sinqerta në formë thashethemi për jo profesionalizëm ndaj këtij institucioni vijnë nga po të njëjtit që edhe e shfrytëzojnë këtë orkestër për glorifikimin e festivalit.
Mirëqënia e anëtarëve të Filharmonisë mund të rritet edhe me pjesëmarrje me pagesë në festivale
Psh.një propozim për Drejtorin dhe bordin udhëheqës të Filharmonis, pjesëmarrja në ndonjë Festival e orkestrës apo korit kushton 8000 euro.
Për ata që nuk e dijnë, si për ironi ky komunitet që aspak nuk i intereson mirëqënia e antarëve të Filharmonisë i ka 10 koncerte në vit dhuratë nga Filharmonia e Kosovës!…