Biletë hyrëse në botën e kompozitorit Rauf Dhomi, aty ku noton me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike

30 Dhjetor, 2023 - 6:00 pm

Jeta Zymberi

Një natë e ftohtë dhjetori më hodhi në rrugën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për një takim me kompozitorin e shquar, akademikë Rauf Dhomin. Kjo ishte biletë hyrëse për një udhëtim të papritur në botën e pasur të muzikës dhe pasionit të palodhur të tij.

Profesori Rauf, i cili më priti me elegancën e një artisti të vërtetë, ishte vetë një vepër arti. Ai ishte përgatitur që vetëm pas pak të drejtojë Korin e Burrave në një koncert festiv të Akademisë. Por megjithatë, me një bukuri dhe harmoni që i takonin një dirigjenti, me një karizëm që nuk mund të kalonte pa u vërejtur dhe një pasion të flaktë për zanatin e tij që reflektonte pashmangshëm në të, ai më uroi një mirëseardhje plot nderim.

Nën hijen e muzikës që dëgjohej nga provat e koncertit dhe ambientin solemn të akademisë, ne filluam një bisedë të këndshme me profesorin Rauf i cili nuk është thjeshtë një kompozitor, por një udhëheqës i fushatës së krijimtarisë artistike në Kosovë dhe përtej saj. Ai na çoi në një udhëtim emocionues përmes ujërave të jetës, ku notonte me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike.

Në këtë bashkëbisedim motivues, Rauf Dhomi ndau me ne ndjenjat dhe shpirtin e rrugëtimit të tij. Kjo nuk ishte thjesht një intervistë, por një eksperiencë që na kujtoi se pas çdo melodie artistike ka një histori unike dhe një pasion të patundur për të ndarë bukurinë e muzikës me botën.

Me profesorin Rauf ke se çfarë të flasësh, i lindur në qytetin e Gjakovës më 4 dhjetor të vitit 1945, ai i përket plejadës së kompozitorëve të Kosovës, të cilët ndërtuan artin muzikor në vend. Ai ka zhvilluar karrierën e tij në një periudhë aspak të lehtë për historinë e Kosovës, mirëpo përkundër kësaj, ai ka vazhduar në secilën periudhë të shpreh emocionet e tij përmes muzikës duke krijuar kështu një portofol të pasur me vepra të shquara.

Kjo intervistë e rrallë, shumë e rrallë e kompozitori Dhomi, është një udhëtim në thellësinë e mendjes krijuese të tij, një krijues që ka hapur degë të reja në pemën e muzikës klasike shqiptare duke u bërë i pari kompozitor kosovar që ka shtuar në portofolin e tij një operë të lavdishme.

Nga fillimi i tij në botën e kompozimit deri në arritjet e tij më të fundit, ne eksploruam çdo nuancë të pasionit të tij për muzikën dhe impaktin e tij të madh në skenën muzikore.

Krijimi i Institucionit të Operës në Kosovë: Arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet

E nisëm këtë bisedë me një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore që ka ndodhur sëfundmi, me krijimin e Institucionit të Operës në Kosovë, një iniciativë kjo të cilën profesori Rauf e kishte nisur qysh në vitin 2003, kur edhe themeloi trupën e Operës së Kosovës, dhe me 1.01.2004 themeloi Konservatorin Artistik pranë këtij Institucioni.

“Në vitin 2003, ish-presidenti Ibrahim Rugova më autorizoi të themeloj Institucionin e Operës. Në atë kohë unë dhashë tri opera. Kjo ishte një iniciativë e madhe, filluam të mbajmë koncerte gjithandej, kemi shkuar në Turqi, Kalabri, Greqi, Shqipëri e nëpër qytetet e Kosovës”, thotë profesori teksa në këtë pikë nuk harron të përmend edhe publikun që i ka dhuruar emocionet më të mëdha.

“Shumë shpesh kemi shkuar në Mitrovicë sepse Mitrovica e ka publikun shumë të mirë, por publikun më të mirë në Kosovë e ka Suhareka. Nuk e keni idenë! Kanë disiplinë të përkryer. Më të mirë në kulturë, nuk ke”, thotë Dhomi.

Por, kjo iniciativë e bukur që nisi për operën kosovare, ishte jetë shkurtër. Sipas profesorit Rauf, jetën ja shkurtuan udhëheqësit e institucionit të kulturës dhe që nga ajo kohë, iniciativa ra poshtë.

“Jam shumë i lumtur që tashmë është themeluar Institucioni i Operës, por nuk janë duke bërë operë. Për të pasur një shtet operë, fillimisht i bëhet shtëpia. Vetëm tek ne ndodhë e kundërta”.

Kompozitor i operës së parë kosovare, në kohën kur e ka krijuar këtë vepër, asnjëherë nuk e kishte menduar që viti 2023 do të na gjente pa një sallë operash.

“Kur e kam krijuar operën “Goca e Kaçanikut”, kam menduar që vetëm pas 2-3 viteve Kosova do të ketë Institucionin e Operës. Por që na gjen viti 2023 pa një shtëpi të operës, këtë se kam menduar asnjëherë.”

Rasti i shtëpisë së operës, është dëshmia më e fortë që në vendin tonë arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet. Por derisa jemi në pritje të krijimit të saj, ne u kthyem pas në kohë e folëm për një vepër të kompozuar në vitin 1978, për “Gocën e Kaçanikut”, një operë në dy akte dhe tri tablo, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi, me libret Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, vepra shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.

Kjo vepër shënoi një kthesë të re në krijimtarinë muzikore në vendin tonë dhe për herë të parë u inskenua në manifestimin për 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë në vitin 1979. Padyshim, ky ishte një moment i veçantë për krijuesin e kësaj vepre i cili bashkë me miq e kolegë u nisëm me një autobus nga Kosova për në Shqipëri, për të përjetuar këtë shfaqje.

“Shfaqja në atë kohë u dha me suksesin më të madh, më thirri edhe presidenti Enver Hoxha në atë kohë për të më falënderuar. Pastaj, nga viti 1988 deri në 2004 shfaqja është dhënë rregullisht, çdo mysafir që ka ardhur nga vendet ndërkombëtare, çdo delegacion është mirëpritur me “Gocën e Kaçanikut”. Ishte një nder për mua”, thotë kompozitori.

Opera e parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”, pas gjysmë shekulli do të inskenohet në vendlindje

Por, përkundër faktit që “Goca e Kaçanikut” është opera e parë kosovare, ajo vetëm tani, pas gjysmë shekulli, po inskenohet për herë të parë në vendlindje. Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, përgatitjet për premierën e kësaj shfaqje kanë filluar, rolet janë ndarë dhe gjithçka pritet të vijë premierë në muajin shkurt, për festën e madhe të Pavarësisë së Kosovës. Kjo lëvizje e re nga Institucioni i sapo themeluar i Operës së Kosovës e ka gëzuar profesorin Rauf.

“Kur më than që do ta ekzekutojnë “Gocën e Kaçanikut” nuk e besova. Mezi po pres të shoh premierën. Regjisori është një mjeshtër i madh tek i cili besoj shumë. Më kanë ftuar edhe mua, por nuk dua të ndikoj, unë e kam shkruar dhe kaq mjafton. Do të shkoj ta shijoj premierën.”

Por një operë e tillë kombëtare, një ditë do meritonte të jetësohet edhe në ndonjë skenë ndërkombëtare, një synim të tillë nuk e kam vetëm unë, por edhe kompozitori i cili kishte pasur një tentativë të tillë por që nuk u realizua asnjëherë. Rreth viteve 86’-88’ ai kishte udhëtuar për në Kalabri dhe Sicili për të mbledhur folklor për “Dasmën arbëreshe” dhe bashkë me kryetarin e komunës të asaj kohe, i cili ishte arbëresh, u dakorduan që “Gocën e Kaçanikut” ta inskenojnë në Itali, por gjithashtu u dakorduan që ata të financojnë një pjesë dhe Kosova pjesën tjetër.

“Kërkesa jonë nuk u mor parasysh në Kosovë sepse në atë kohë përkraheshin këngët popullore dhe opera nuk njihej nga udhëheqësit tanë. Ndodhë që në të ardhmen edhe do të inskenohet në ndonjë skenë të tillë, por për mua do të jetë vonë sepse nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar shumë vite. Por për historinë e operës kosovare nuk do të jetë vonë, kurdo që do të ndodhë do të ishte diçka e bukur”.

Kori i Burrave, një simbol i kulturës së Gjakovës

Krahas punëve të vazhdueshme si pedagog e krijues, Rauf Dhomi aktivisht ka punuar edhe me “Korin e Burrave” të Gjakovës, ansambël të cilin e formoi më 1965 e i cili vazhdon të jetë aktiv edhe sot. Për të, Kori i Burrave është një histori më vete, një sukses i jashtëzakonshëm për atë kohë, një simbol i kulturës së Gjakovë.

“E kam formuar në vitin 1965, kur kam qenë nxënës i shkollës së mesme. Atëherë kur nuk ka mundur askush të këndojë, në të gjithë bashkë kemi kënduar. “Këngën e Mortit” e kemi kënduar për të gjithë ata ushtarë që jepnin jetën, edhe pse i kishim tytat mbi kokë por asnjëherë nuk jemi frikësuar”, pohon Dhomi duke potencuar rëndësinë e kësaj vepre sepse sipas tij “I vetmi solemnitet në jetë është vdekja”.

Krijimtaria e profesorit Rauf është një maratonë e gjatë dhe e larmishme. Ai ka kompo­zuar në të gjitha gjinitë e muzikës. Krahas operave “Dasma arbëreshe”, “Muzat e Kalasë”, baletit “E bukura More” e shumë vepra të tjera muzikore vokalo-instrumentale, korale, orkestrale, gjithashtu muzikë për filma e shfaqjet teatrale (rreth 300 shfaqje) që përbëjnë krijimtarinë artistike të profesorit Rauf, një kontribut të madh ai e ka dhënë edhe në muzikën pianistike. Ai ka bërë shtatëdhjetë vepra për piano dhe këtë e konsideron një volum të mirë për vendin tonë. Por ai nuk beson se do ti kthehet më krijimit të veprave pianistike. Ajo që tash po i sillet në hapësirë është krijimi i një tjetër opere, operë për Mbretëreshën Teutë.

“Kam libreto të ndryshme, po nuk e kam ende atë që dua, jam duke e kërkuar”, thotë profesori i cili tutje foli edhe për krijimin e meshës së parë kosovare, të cilën e kishte shkruar për akademikun Gazmend Zajmin. Me këtë krijim, ai kishte prekur edhe më nga afër një prej gjinive muzikore të trajtuara nga kompozitorët më të mëdhenj botërorë.

“Atëherë isha pranuar në Akademi të Shkencave dhe Arteve, Gazmendi ishte në Zagreb, ishte sëmurë dhe u pritke vdekja e tij. Ai ka qenë i veçantë dhe unë doja të veçantën për të, andaj krijova këtë meshë dhe e këndova ‘Këngën e Mortit’ në varrimin e tij. Po flasim për vdekjen, që është një dhimbje e madhe, por kënga u mirëprit jashtëzakonisht mirë dhe që nga jo kohë hyri në program”, tregon Dhomi.

Krahas këtyre krijimeve, ai nuk anashkalon as botën fëmijërore, një fond i konsiderueshëm i veprave është rezervuar edhe për ta, të krijosh për të vegjlit, për të nuk është vetëm kënaqësi por edhe obligim.

“A ka engjëj më të mirë se fëmijët. Të krijosh për engjëjt ke mundësi edhe me qenë aty afër tyre, është ngrohtësi, po është edhe obligim. Se ata nuk kanë literaturë, literatura botërore për ta nuk ekziston. Atëherë pse mos të krijoj unë dhe kolegët e tjerë për ta.”

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, roli i këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës

Të jesh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ashtu siç është profesori Rauf që nga viti 1996, është një përgjegjësi jo e lehtë duke pas parasysh edhe kritikat e vazhdueshme në adresë të këtij institucioni. Por megjithatë, profesori mundohet të jetë objektiv kur vlerëson rolin dhe kontributin e këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë. Përkundër faktit që këtë pyetje e quan provokuese ai thotë: “Rrallë ndonjë seksion, se mos të themi anëtar, mendon për këtë çështje. Apo më mirë të themi nuk mendon fare. Më vjen keq që e them këtë, por janë dhjetëra akademikë që janë të rregullt, marrin rroga, por nuk vijnë fare këtu”, por sipas tij kjo gjendje nuk është vetëm në Akademi, por në të gjitha sferat, diku më shumë, diku më pak, por jemi njëjtë, thotë ai.

Djegia e Muzeut të Muzikës, turpi i Gjakovës

Duke shtrirë bisedën në pika të ndryshme, ne shkuam edhe në vendlindjen e profesorit Rauf. Në Gjakovën e artit dhe kulturës, në vendin i cili ishte përkrahësi më i madh i rrugëtimit të kompozitorit, mbështetja kryesore e të gjitha koncerteve të tij. Por, ndodhia e fundit në këtë qytet, djegia e Muzeut të Muzikës, për Dhomin ishte turpi i Gjakovës.

Në këtë muze, ndër të tjera ishte edhe piano në të cilën profesori kishte kompozuar operën “Goca e Kaçanikut” e shumë e shumë vepra të tjera. Impakti i humbjes së një trashëgimie të tillë kulturore padyshim që më së shumti e ka prekur kompozitorin sepse me djegien e këtij muzeu, u dogj një pjesë e historisë.

“A ka fjalë? Jo, nuk ka. Si mund ta përshkruaj këtë fatkeqësi. Të kaplohet nga zjarri instrumenti, edhe atë jo nga një zjarr i rastësishëm, por një zjarr i menduar. Unë them se Gjakova e ka humbur autoritetin me këtë rast sepse historia nuk fshihet. Aty ka qenë pianoja ku e kam punuar “Gocën e Kaçanikut”, “Dasmën” e shumë e shumë vepra të tjera. Rrugën e Çabratit ku kam qenë në atë kohë, e kam frekuentuar çdo ditë në mëngjes dhe i frymëzuar jam kthyer e kam kompozuar në atë piano. Unë dhe pianoja kemi qenë vëlla e motër. Ka qenë një instrument shumë i vjetër dhe të zhbëhet në këtë mënyrë është turp për Kuvendin e Gjakovës sepse Gjakova ka investuar shumë në kulturë, e sot të ndodh kjo nga moskujdesi, është shumë e dhimbshme.”

Një trajtim i tillë nuk i bëhet as artit, as trashëgimisë e historisë në vendet e civilizuara të botës, vende këto që kanë hapur dyert edhe për artistët tanë duke ju dhënë shkëlqimin e trajtimin e duhur. Artistët nga Kosova tani kanë një prezencë të rëndësishme në skenat ndërkombëtare dhe arritjet e tyre janë shpresa dhe gëzimi i profesorit Rauf.

“Sa mirë që është bota dhe këta talent kanë mundësi të ekspozohen nëpër skenat më të mira botërore sepse ata dinë të vlerësojnë. Tek ne vlerësohesh në bazë të shoqërisë dhe jo të talentit.”

Kompozimi – një fushë që po përballet me mungesë të kuadros

Krejt në fund të bisedës tonë, ne u ndalem te një çështje e rëndësishme dhe e përfolur, ajo e kompozitorëve. Kompozimi, një fushë e pasur me talente në Kosovë, po ballafaqohet me sfidat e mungesës së infrastrukturës dhe iniciativave mbështetëse. Edhe pse ekziston një numër i konsiderueshëm talentesh, Dhomi e shpreh shqetësimin e tij se ende nuk ka mekanizma dhe nisma që mundësojnë zhvillimin dhe nxitjen e krijimtarisë në këtë fushë të artit.

“Vetëm fakulteti ka kapacitetin për të nxitur krijimtarinë në fushën e kompozimit. Tek ne ka shumë talente por është e nevojshme që Fakulteti i Arteve të krijojë katedra të specializuara për kompozim, dirigjim, dhe degë të tjera të lidhura. Mungesa e konkurseve për pozitat e kompozitorëve ka sjell këtë rezultat”, thotë profesori teksa krejt në fund të kësaj bisede ky kapërcyem periudha të ndryshme të jetës së tij, ai më kërkoi falje për intensitetin e zërit gjatë intervistës, duke e shpjeguar atë si shprehje të mllefosjes që ishte akumuluar brenda tij për gjithë këto vite që sipas tij “arti vazhdon të zvarritet”. / KultPlus.com

Të ngjajshme