Billie Eilish në përgatitje të albumit të dytë

17 Mars, 2020 - 2:30 pm

Yll i ri i muzikës, Billie Eilish, ka filluar të punojë rreth albumit të saj të dytë. Kështu ka bërë të ditur vëllai i këngëtares, Finneas O’Connell.

Në një intervistë të fundit, producenti dhe kantautori O’Connell i cili ka bashkëpunuar në pothuajse të gjitha këngët e albumit të parë të motrës së tij të vogël, zbuloi se dyshja tashmë e ka filluar punën rreth albumit pasues të atij të vitit 2019, “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?”.

“Kemi filluar të punojmë rreth albumit të ri dhe mendoj se më e mira që mund ta bëjmë në këtë pikë, është t’i marrim gjërat shtruar. Albumi i parë ishte krijuar me qëllime shumë të çiltra. Nuk është se e kishim planifikuar ta shkruanim një album me muzikë melankolike. Qëllimi ynë i vetëm ishte ta realizonim një incizim i cili na pëlqente ta interpretonim edhe live. Mendoj se kështu do të bëjmë edhe me albumin e dytë. Gjërat e tjera janë vetëm efekt anësor. Nuk ke si t’i planifikosh ato,” ka deklaruar O’Connell për “Volture”.

Vitin e kaluar ai e zbuloi lajmin se albumi i ri i Eilishit do ta sillte atë duke eksperimentuar, dhe me një tingull i cili i mundëson këngëtares të zhvillohet muzikalisht, transmeton Koha.

Billie Eilish, e ka filluar turneun botëror “Where Do We Go?” javën e kaluar me një koncert në Miami, përmes së cilit edhe po e shpërndan një mesazh të fuqishëm për dashurinë ndaj trupit. Por, fatkeqësisht këngëtarja është detyruar t’i shtyjë koncertet e tjera të turneut për shkak të përhapjes së koronavirusit. /KultPlus.com

Të ngjajshme