Binjaket e “Voice of Italy”, flasin për emocionet dhe sfidat për të kënduar shqip

5 Maj, 2019 - 1:30 pm

Binjaket shqiptare që po marrin pjesë në “Voice of Italy” e që po përfaqësohen me emrin “Sindolls” kanë thënë se qëllimi i tyre është  ta bëjnë Italinë të njohë muzikën dhe kulturën shqipe.

Pak net më parë ato morën pjesë për herë të parë përpara një jurie italiane në një nga formatet më të njohura, “The Voice of Italy”. Ajo që i mrekulloi të katërt anëtarët ishte fakti se dy vajzat kënduan këngën e Era Istrefit dhe Ledri Vulës, “Shumë pis” në një performancë të tyren unike. Këto emocione e shumë detaje të tjera binjaket Serena dhe Ina i kanë rrëfyer për herë të parë në një intervistë për “Bluetooth”, transmeton albinfo.ch.

“Akoma nuk na besohet që u kthyen të katërt gjyqtarët. Për ne është që tani një arritje shumë e madhe. Nga ana tjetër, ‘The Voice’ është programi i parë në të cilin marrim pjesë dhe për ne është një eksperiencë e re dhe shumë e bukur”, janë shprehur ato.

Ato kanë thënë se gjithmonë kanë qenë të apasionuara pas muzikës.

Në këtë intervistë, ato tregojnë se qysh të vogla u pëlqente shumë të këndonin.

“Po, një nga objektivat tanë është ai që ta bëjmë Italinë të njohë muzikën dhe kulturën shqiptare, sepse përfaqëson origjinën tonë dhe do të ishte shumë bukur që sa më shumë persona të zbulojnë sa e mrekullueshme është. Kemi vendosur të futemi në këtë eksperiencë për të pasur një mundësi për t’u njohur nga një publik më i madh dhe të kalojmë nga koverat e bërë në “Youtube” në dhomë, në eksperiencën tonë të parë televizive. Fillimisht ishim në mëdyshje, por kur zbuluan se një nga trajnerët do ishte Guè Pequeno, nuk patëm më dyshime”, kanë thënë ato.

Binjaket kanë treguar se për të marrë pjesë në këtë ngjarje, ato i ka shtyrë babai i tyre, i cili gjithmonë i frymëzon për të shkuar përpara. / albinfo.ch/ KultPlus.com

Të ngjajshme