22 Prill, 2021 - 9:38 pm
Ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore “BRIT Awards” do të jetë ngjarja e parë më e madhe pas më shumë se një viti, e cila pritet që të ndajë 2.500 bileta falas për punëtorët kryesorë.
Në një njoftim të lëshuar të enjten është bërë e ditur se “BRIT” do të mbahet para më shumë se 4.000 spektatorëve në sallën “O2” në Londër, më 11 maj – gjashtë ditë para fazës së radhës të kufizimit të masave në Britaninë e Madhe.
Ceremonia, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në ITV dhe do të drejtohet nga Jack Whitehall, do ta shënojë rikthimin në muzikën live, ndërkaq këngëtarja me prejardhje kosovare, e nominuar për çmime, Dua Lipa, u ka premtuar pjesëmarrësve se do të jetë “një natë për t’u mbajtur në mend”.
Ceremonia e mbyllur dhe transmetimi i drejtpërdrejtë do të jenë pjesë e Programit Shkencor të Qeverisë për Ngjarje dhe do të përdorë metoda të zgjeruara për të shqyrtuar se si mund të organizohen ngjarjet e ndryshme pa pasur nevojë për distancë sociale, pasi të gjitha kufizimet të hiqen më 21 qershor.
Në bashkëpunim me qeverinë për t’iu përmbajtur udhëzimeve të sigurisë, veprimi nënkupton se ceremonia e çmimeve “Brits” do të jetë ngjarja e parë muzikore e drejtpërdrejtë në “O2” në më shumë se një vit, me 4.000 bileta – vetëm një e pesta e kapacitetit prej 20.000 ulëseve.
“Brits” do të luajë rol të rëndësishëm në hapjen e rrugës për rikthimin e koncerteve live përderisa Mbretëria e Bashkuar po synon që t’i shfuqizojë masat e caktuara kundër pandemisë së koronavirusit.
Punëtorët kryesorë që kanë punuar pa ndalur gjatë pandemisë do të shpërblehen me gjithsej 2.500 bileta falas. Publikut nuk do t’u kërkohet që të mbajnë distancë ose të bartin maska në sallë, por do të ketë rregulla që duhet t’i zbatojnë gjersa udhëtojnë për te vendi dhe duhet t’u përmbahen rregullave të caktuara nga organizatorët e ngjarjes. Një ndër rregullat është që pjesëmarrësit duhet të kenë një test negativ që tregon se nuk janë të infektuar me koronavirus, po qe se duan të hyjnë në sallë.
Këngëtarët Dua Lipa, Arlo Parks dhe Celeste kryesojnë listën e më të nominuarve me gjithsej tri nominime.
Këngëtarët e tjerë që janë pjesë e nominimeve janë: AJ Tracey, Yungblud, Joel Corry, J Hus, Headie One dhe shumë të tjerë. Kurse nga grupet ndërkombëtare do të jenë: “BTS”, “Run the Jewels and Fontaines D.C”, “Foo Fighters”, si dhe këngëtaret Ariana Grande, Billie Eilish, Cardi B, Miley Cyrus dhe Taylor Swift. /koha/ KultPlus.com