9 Mars, 2018 - 8:15 pm
BritAwards është një nga ngjarjet më të mëdha muzikore që organizohet në Londër. Këtë vit këngëtarja shqiptare, Dua Lipa nga skena e kësaj ceremonie doli me dy trofe, shkruan KultPlus.
Dua Lipa e cila vitin e kaluar theu rekord me këngën e saj “NewRules” duke u zgjedhur këngëtarja më e dëgjuar në “Spotify”, u bë edhe një inspirim për shumë vajza e gra të botës. Në ceremoninë e BritAwards, ajo theu rekordin duke u bërë artistja e parë e nominuar në pesë kategori, ku arriti të triumfoj në dy prej tyre ndërsa ishte në konkurrencë emra të njohur të muzikës angleze.
Dua Lipa mori çmimin e madh si “Këngëtarja më e mirë” dhe “Këngëtarja më e mirë debutuese”. Faqja zyrtare BritAwards sot ka nisur ditën me fjalimin e saj, momentin kur ajo pranoi çmimin si Artistja më e mirë në BritAwards.
“Fillojeni Ditën Ndërkombëtare të Gruas me fjalimin e Dua Lipës në pranimin e çmimit “Këngëtarja më e mirë” në BritAwards. Ky ishte një triumf për Duan dhe një triumf për fuqinë e vajzave”, shkruhet në postimin e BritAwards.
Ndërkohë në videon e postuar nga ajo mbrëmje shihet Dua Lipa derisa falënderon të gjithë ata që e kanë përkrahur, veçmas gratë që kanë shkelur në atë skenë para saj. “Falënderoj të gjithë që më kanë ndihmuar, miqtë, ekipin dhe familjen time. Gjithashtu edhe çdo grua që ka qenë në këtë skenë para meje dhe që u kanë dhënë vajzave sikur unë, vajza në shoqëri mundësinë për të ëndërruar kaq shumë. Kjo është që më shumë gra të jenë në këtë skenë, të fitojnë çmime dhe të sundojnë në botë”, kishte thënë Dua Lipa./KultPlus.com