Chopin Piano Fest dhe Filharmonia e Kosovës bashkohen për një përmbyllje të fuqishme të edicionit të 10-të

28 Prill, 2019 - 4:32 pm

Ashtu siç është bërë traditë mbyllja e festivalit Chopin Piano Fest do të bëhet së bashku me Filharmoninë e Kosovës. Dy mysafirët e veçantë të koncertit i cili do të mbahet sonte duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të rinisë, do të jenë dirigjenti Stefan Vladar dhe tenori Josif Gjipali, shkruan KultPlus.

Në Konferencën e mbajtur për media, drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari, u shpreh falënderues ndaj festivalit i cili për këtë koncert solli dy muzikantë shumë të veçantë.

“Bëhet fjalë për tenorin shqiptar me famë botërore Josif Gjipali i cili do të prezantohet me dy arie, me orkestrën tonë dhe me dirigjentin Stefan Vladar i cili njëkohësisht paraqitet edhe në rolin e pianistit. Vladar, na ka lënë shumë përshtypje me punën e tij disa ditore me orkestrën e Filharmonis së Kosovës. Kemi koncertin për piano numër tre të kompozitorit Betthoven, më pas tenori Josif Gjipali do të realizojë me orkestrën tonë dy arie të Puccinit dhe në pjesën e dytë të koncertit do të ndjekim simfoninë numër 5 të kompozitorit Tchaikovsky”, tregoi Baki Jashari.   

Koncertin e natës së sotme e konsideroi të mbarë edhe pianisti e dirigjenti nga Austria Stefan Vladar. Ai tregoi për punën që ka bërë së bashku me orkestrën gjatë këtyre ditëve për të sjellë me të mirën e tyre dhe për t’i dhuruar Chopin-it një mbyllje të denjë për këtë vit jubilar.

“Vitin e kaluar erdha këtu në Chopin Piano Fest për të luajtur në piano, luajtëm së bashku me gruan time pianisten. Na pëlqeu shumë edhe pse për një kohë të shkurtër, na pëlqeu mikpritja, njerëzit, festivali dhe biseduam për një mundësi që të vijmë përsëri. Ishte kënaqësi ta pranoj ftesën e Filharmonisë për të punuar me anëtarët e Filharmonisë me një mënyrë pak më ndryshe sesa jam mësuar të punoj. Jam shumë i kënaqur që ata ishin shumë të hapur ndaj kësaj qasje të dhe jam i sigurt që do të jetë një koncert i bukur. Publiku do të kënaqet sepse muzika që kemi zgjedhur do të prek zemrat dhe do dhurojë emocione”, u shpreh dirigjenti Stefan Vladar.

Drejtoresha artistike e festivalit “Chopin Piano Fest” Lejla Pula, tha se edhe orkestra por edhe publiku që do jetë i pranishëm sonte në natën e fundit të festivalit, do marrin energji dhe impulse të reja nga dirigjentët e huaj që sonte janë mysafir të festivalit.

“Kjo traditë ka qenë e bukur dhe e kemi mbështetur gjithmonë artistë të rijnë me rastin 10-të vjetorit të këtij festivali jam e lumtur që maestro dhe pianisti me famë botërore dhe dirigjent i shkëlqyeshëm, Stefan Vladar, do i kemi në mesin tonë. E falënderoj maestron që është shok me ne pasi që orkestra merr një energji pozitive dhe impulse të reja nga dirigjentët shumë të njohur, jam e lumtur për këtë gjë dhe besoj që publiku do ta shijoj jashtë mase”, tha Pula.   

 Ndërsa drejtoresha organizative, Besa Luzha, tha se artistët janë një komunitet i përbashkët që synim kanë ti ofrojnë publikut vlera të mirëfillta artistike. 

“Ftojmë edhe institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi të ketë mbështetje në përkrahjen e talenteve të rinj sepse jemi një komuniteti i përbashkët që synim e kemi me i ofru publikut vlera të mirëfillta artistike”, tha Luzha.

Festivali “Chopin Piano Fest” sonte përmbyllë edicionin e dhjetë me radhë. /Frosina Byqmeti / KultPlus.com

Të ngjajshme