26 Maj, 2024 - 7:42 pm
Vjollca Duraku
Tinguj me një spektër të gjerë frekuencash u dhuruan mbrëmë nga Pianisti François Dumont dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Antonie Marguier, në koncertin e shtatë me radhë të Festivalit të Muzikës Klasike “Chopin Piano Fest Prishtina” në Atelienë e Pallatit të Rinisë, shkruan KultPlus.
Adhuruesit e Filharmonisë së Kosovës dhe të Chopin-it kësaj radhe u bashkuan në një koncert të përbashkët, për të përjetuar emocione të thella nga një program i përzgjedhur me shumë shije, me tinguj brilant shumë të fortë dramatik të cilët përmbyseshin nga tinguj të qetë të pianos të cilët dërgonin në thellësi meditative.
Koncerti i cili zgjati për 90 minuta filloi me interpretimin e veprës “Piano Concerto No.5 in E-flat major, Op.73” me Allegro, Adagioun poco mosso, Rondo: Allegro ma non troppo nga L.V. Bethoven për të vazhduar në pjesën e dytë të koncertit me “ Symphony No. 4 in C minor, D 417” me Adagio molto, Allegro vivace nga F. Schubert.
Publiku u pasurua artistikisht me tinguj të frekuencave të ndryshme të cilët emeteoheshin qetësisht nga mjeshtria e pianistit Dumont dhe harkorët e Filharmonisë, për t’u bërë më intensivë kur interpretimit i shtoheshin frymorët, për të kaluar në dramacitet kur në lojë hynin të gjitha instrumentet, duke rënë përsëri vetëm në tingujt e qetë, të bukur të pianos.
Nga kjo lojë e mrekullueshme ishte reagimi i publikut që u jepte përgjigje për performancën përgjatë koncertit artistëve që udhëhiqeshin nga dirigjenti plot sharm, elegancë e profesionalitet, Antoine Marguier.
Pas pjesës artistike Pianisti Dumont u shpreh se ndihej i emocionuar nga interpretimi në “Chopin Piano Fest” dhe shumë i lumtur pasi iu dha hapësirë për herë të dytë për të interpretuar në këtë festival.
“Jam shumë i lumtur të kthehem në Prishtinë dhe të kem mundësi ta njoh qytetin dhe kulturën. E ndjej energjinë e mirë dhe dinamike. Isha i emocionuar të kthehem në Chopin dhe të luaj për herë të parë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Dy vite më parë ishte një koncert recital në ‘Chopin Fest’ ndërsa sonte kemi luajtur Koncertin e 5-të të Beethoven. Ky koncert është i fundit i kompozitorit”, ka thënë pianisti Dumont.
Ndërsa organizatorja e festivalit Lejla Pula u shpreh e mrekulluar nga loja e pianistit Dumont dhe interpretimi i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
“E kemi shijuar të gjithë së bashku. Vërtetë një koncert i mrekullueshëm nga François Dumont i cili në bashkëpunim me Ambasadën franceze erdhi për herë të dytë në festivalin tonë ka mbajtur një recital të Chopin-it sepse ai vetë është laureat i garave të Chopinit në Varshavë, do të thotë është një ekspert i madh i muzikës së Chopin-it, por që në këtë koncert rastisi që ai ta luaj në mënyrë të mrekullueshme, me një sensibilitet të jashtëzakonshëm koncertin e pestë të Bethovenit”, ka thënë organizatorja.
Më tej, organizatorja Lejla Pula ka thënë se ndihet e nderuar për pjesëmarrjen e një artistëve të mëdhenj që pavarësisht kushteve jo adekuate për interpretim, ndahen të kënaqur dhe kërkojnë të interpretojnë përsëri nga mikpritja dhe energjia pozitive që e përjetojnë në Festival.
“Ne si organizatorë jemi shumë të lumtur që artistë të mëdhenjë pranojnë të vijnë në Kosovë, për shkak se ende nuk posedojmë sallë të përshtatshme koncertale, pasi ata mund të kenë pak drojë se si mund të tingëlloj pianoja. Mirëpo ata jo vetëm që pranojnë kur i ftojmë përsëri, por ata edhe vet kërkojnë të vijnë përsëri, kështu që në një formë edhe mos me dashtë të vazhdojmë Piano Festin kjo kërkohet nga mysafirët tanë që ndahen aq të kënaqur me mikpritje dhe me të gjitha duke u mrekulluar nga rinia jonë, nga publiku, studentët, audienca e gjerë. Thjesht është një mrekulli”, është shprehur organizatorja.
Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me Festivalin “Chopin Piano Fest”, nga ku edhe potencoi që bashkëpunimi do të vazhdoj edhe në vitet në vijim.
“Bashkëpunimi i Filharmonisë së Kosovës me Chopin Piano Fest është tradicional, ashtu si edhe me festivale të tjera që organizohen në Kosovë. Kjo ka qenë një mundësi e mirë për të bashkuar forcat siç kemi bërë edhe në të kaluarën dhe besoj që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, ndonëse nuk kemi pasur mundësi që këto vitet e fundit që të bashkëpunojmë me secilin festival për shkak të agjendës të Filharmonisë së Kosovës që nganjëherë nuk përputhen me agjendën e festivaleve, por aq sa kemi mundësi do ta vazhdojmë si traditë edhe në vitet që vijnë” ka përfunduar Selimaj.
Koncerti i radhës i “ Chopin Piano Fest” do të mbahet me pianisten Iliriana Gjoni dhe sopranon Milica Lalosevic, më 27 maj, në ora 20: 00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare/ KultPlus.com