29 Prill, 2019 - 1:30 pm
Fotografitë: Arben Llapashtica
Orkestra e Filarmonisë së Kosovës në bashkëpunim me dirigjentin dhe pianistin Stefan Vladar nga Austria dhe tenorin Josif Gjipali nga Shqipëria, mbajtën mbrëmë koncert në Prishtinë ku me këtë rast edhe u përmbyll edicioni i 10-të i festivalit Chopin Piano Fest, shkruan KultPlus.
Mbrëmë publiku kosovarë pati rastin të përjetojë një koncert të shkëlqyeshëm nga Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me dy artistë të skenave botërore. Koncerti u mbajte në Sallën e Kuqe, tek Pallati i Rinisë në Prishtinë. Filarmonia e Kosovës në bashkëpunim me këta dy artistë të rangut botëror performuan para një publiku i cili ishte i madh në numër.
Edhe publiku e priti shumë mirë këtë performancë, kjo u kuptua nga duartrokitjet e tyre të cilat nuk u ndalën për disa minuta. Gjatë mbrëmjes u luajtën vepra që rrallë herë janë luajtur në skenat e Kosovës. Veprat të cilat u interpretuan ishin veprat e V. Beethoven , G. Puccini që u interpretua nga tenori shqiptar Josif Gjipali dhe veprat e P.I Tchaikovsky që u dirigjuan nga dirigjenti austriak Stefan Valdar e që vlen të theksohet që Simfonin e Tchaikovskyt e ka dirigjuar përmendësh.
E tenori shqiptar Josif Gjipali tha që është i kënaqur me entuziazmin e publikut dhe pritjen që i është bërë. Ai po ashtu shtoi se nuk do të kishte besuar që në Prishtinë është organizuar një Festival i tillë po mos të kishte qenë vetë i pranishëm.
“Nëse sonte nuk do ta isha vetë në Prishtinë, nuk do ta besoja që ka pasur një organizim të tilla, andaj dua t’i përgëzoj jashtëzakonisht shumë të dyja zonjat që janë marr me organizimin e Chopin Piano Fest. Ishte një kënaqësi, kam ngelur jashtëzakonisht i kënaqur nga korrektësia nga mikpritja e respekti. Niveli i orkestrës ishte shumë i mirë. Zgjodha materiale të një vështirësie të lartë për një koncert por ja ka vlejtur, pasi entuziazmi dhe mikpritja e publikut ishte vërtet e jashtëzakonshme”, tha Gjipali për KultPlus.
E shumë i kënaqur, si nga bashkëpunimi poashtu dhe përkrahja nga publikut u nda edhe pianisti dhe dirigjenti austriak, Stefan Valdar, i cila po ashtu tha që ata kanë bërë një punë shumë të mirë dhe se ai sonte ka dhënë më të mirën nga vetja.
“Është hera e dytë për mua në Kosovë, unë kam qenë këtu vitin e kaluar. Mendoj që kemi bërë një punë të mirë, publiku është ndarë shumë i lumtur, ne kemi dhënë më të mirën nga vetja. Ishte përvojë e mirë edhe me muzikantët dhe jam shume i lumtur me rezultatin që kemi dhënë sonte”, u shpreh Valdar për KultPlus.
Drejtoresha e këtij festivali Lejla Hxhiu Pula tha që përkundër vështirësive që kanë pasur dhe punës së lodhshme si gjatë procesit të përgatitjes edhe gjatë festivalit, ajo është ndarë shumë e kënaqur me suksesin e festivalit. Ajo po ashtu shtoi se koncerti i mbrëmshëm i ka dhënë ndjenjën si të ishte në ndonjë shtete të Evropës dhe jo në Prishtinë.
“Siç po shini 16 mbrëmje sivjet në edicioni e 10-të, ishte vërtet një punë shumë e madhe jo vetëm procesi i negocimit, bisedimet me artistët që i kemi planifikuar për ardhje por pastaj edhe realizimi i këtij festivali. Sonte kishim kënaqësinë të dëgjojmë një koncert të jashtëzakonshëm maestral, me një energji të tingujve. Orkestra e Filarmonisë së Kosovës ka tingëlluar si Filharmoni e ndonjë shteti të Evropës, mund të them se sonte jemi ndie si me qenë në Evrope e jo në Prishtine”, tha Lejla për KultPlus.
Ajo po ashtu shtoj që është shumë e kënaqur me bashkëpunimin e Filharmonisë së Kosovës, si dhe me tenorin shqiptar Josif Gjipali dhe pianistin dhe dirigjentin austriak, Stefan Valdar, e cila shtoi se është e mrekulluar me performancën e tyre.
“Sonte jemi shumë të kënaqur që edicioni i 10-të i festivalit ka mbaruar me sukses me një dirigjent i cili dirigjon në orkestrat më të mëdha në botë, dhe mund t’ju themi që jam mrekulluar me muzikimin e anëtarëve të Filharmonisë së Kosovës, ishte një mrekulli e vërtet. Jam shumë e lumtur që tenori Josif Gjipali ka pranuar të vij dhe ka kënduar vepra madhështore me zërin e tij të jashtëzakonshëm. Shpresojmë që do të mund ta zhvillojmë këtë festival edhe më tutje, jam falënderuese për çdo ndihmë që na është afruar dhe jam shumë mirënjohëse e atyre që na kanë nderuar me prezencën e tyre”, u shpreh krejt për fund Lejla Pula.
Me këtë koncert madhështor, Chopin Piano Fest Prishtina e përmbylli suksesshëm këtë edicion me plot 16-të koncerte duke zbritur në skenë emra të njohur botërorë e vendorë të cilët kanë mrekulluar me interpretimin e tyre publikun kosovar për plot 16 net. / Gzim Mujaj / KultPlus.com