22 Dhjetor, 2021 - 7:20 pm
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin dhe dirigjentin e shquar shqiptar David Tukiçi, me motivacionin: “Në vlerësim të meritave dhe kontributeve të vyera si këngëtar, muzikant dhe dirigjent orkestre, i cili ka krijuar me cilësi të lartë shumë vepra artistike, duke u vlerësuar si në vendin tonë, ashtu edhe në skenat ndërkombëtare. Me mirënjohje për veprimtarinë e tij artistike si një nga kompozitorët e rrallë të muzikës klasike dhe asaj të bazuar në motivet tradicionale shqiptare.”
Në fjalën e tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Meta u shpreh se, “Tukiçi e ka në ADN muzikën dhe artin. Djali i tenorit të famshëm Ibrahim Tukiçi, atij ju injektua dashuria për artin, nga babai i tij artist, që në fëmijëri”.
“Karriera artistike e Davidi nisi në moshën 4-vjeçare, kur u ngjit në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e ‘Pinkertonit’ të vogël, përkrah babait të tij. Vetëm 14 vjeç, Davidi bëhet protagonist dhe i famshëm, si këngëtari i parë i vogël, që fitoi çmimin e parë në festivalin e 8-të të Këngës në Radio-Televizion, në një festival për të rritur”, tha Meta.
“Në fakt, brezi ynë e kujton me mall këngën hit, të kënduar nga Davidi ‘Dhuratë për ditëlindje’ ose, siç e njohim të gjithë, ‘Globi rrotullohet’. Po në moshën 14-vjeçare, Davidi eksperimenton në një tjetër fushë të artit, në kinema, me rolin e Ilirit të vogël në filmin ‘Njësiti guerril’”, u shpreh Meta.
Por, shtoi Meta, “muzika mbeti dashuria e parë e Davidit dhe ai iu përkushtua studimit të pianos në Liceun Artistik, ndërkohë që ra në sy talenti i tij i madh në kompozim. Ky talent e çoi të konkurronte për kompozicion në ‘Institutin e Lartë të Arteve’. Fati deshi, që studimet e tij 5-vjeçare në kompozicion, t’i kryente nën drejtimin e kompozitorit të jashtëzakonshëm shqiptar të shekullit XX, profesor Çesk Zadeja”.
“Fillimet e karrierës së tij, Davidi i ka në shtëpinë e kulturës në Krujë, ku i frymëzuar nga motivet e bukura popullore krutane, kompozon veprën ‘Rapsodi për violinë e orkestër’, e cila u vlerësua me çmim të parë, në Dekadat e Majit. Davidi kompozon dhe këndon, me pasion. Përkushtimi dhe talenti i tij sjellin edhe emërimin në Radio Televizionin Shqiptar. Kompozimet e tij për orkestrën simfonike i sjellin shumë çmime në aktivitete kombëtare. Ashtu si edhe shumë këngë të muzikës së lehtë të kompozuara nga Tukiçi, bëhen fituese të çmimeve të para në festivale dhe hite të muzikës sonë të lehtë “, theksoi Meta.
“Ndryshimi i sistemit solli edhe largimin e David Tukiçit në Itali, ku ai ku vazhdoi të kultivojë me pasion profesionin e tij, si një ambasador i shkëlqyer i artit shqiptar. Dëshira për të studiuar është një nga karakteristikat që e ka dalluar David Tukiçin gjatë gjithë jetës. Ai vazhdoi të studiojë edhe në Itali, ku iu njoh titulli ‘Kompozitor’, ashtu siç perfeksionoi studimet e tij, për kompozitor dhe dirigjim në Paris, ku u diplomua për ‘Dirigjent Orkestre Simfonike’. Kontributi dhe vlerat e David Tukiçit u njohën dhe vlerësuan edhe nga shteti Italian dhe Presidenti i Republikës italiane Scalfaro, i cili i akordoi Titullin ‘Qytetaria Italiane’, për kontributin e tij, në përhapjen e kulturës muzikore në Itali”, u shpreh Meta.
“Me gjithë vlerësimet e mëdha të marra jashtë atdheut, zemra e Davidid rrihte për Shqipërinë, ku edhe u rikthye si kompozitor i afirmuar, për të dirigjuar, në vitin 2010, veprën e tij të parë operistike, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Puna e tij si Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar solli një frymë të re europiane, si në programacion edhe në përzgjedhjen e repertorit dhe të solistëve, për të vazhduar më tej, me punën në Radio Tirana, ku kontributi i zoti David Tukiçi vazhdon të mbetet i qenësishëm”, tha Meta.
“Duke e falënderuar përzemërsisht për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme të bërë ndër vite, mbetemi në pritje gjithashtu, të shfaqjes së operës së dytë të David Tukiçit, ‘Rozafa’, me libret të dramaturgut të mirënjohur shkodran Fadil Kraja, një vepër që jam i bindur do të jetë përsëri një sukses. Në mirënjohje të veprimtarisë së vyer artistike si këngëtar, muzikant, dirigjent orkestre dhe si një nga kompozitorët më të shquar të muzikës klasike, vlerësoj sot, zotin David Tukiçi, në praninë tuaj, me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, përfundoi Meta. / KultPlus.com