28 Tetor, 2017 - 10:40 am
Fotografitë: Neb Zeka
KamerFesti arriti në koncertin e shtatë “Derek Haan me miq” që mbrëmë solli kryeveprat kamertale përmes interpretimit në piano nga Derek Haan nga SHBA-ja, Sihana Badivukun në violinë, Rron Bakallin po ashtu në violinë, Blerim Grubi në violë dhe Frank S.Doodge në violençel, shkruan KultPlus.
Derek Han ishte ai që kishte zënë hapësirë me pianon prapa interpretuesve të tjerë. Në momentin kur ai vendos duart në piano dhuron shenjen e parë të fillimit të këtij koncerti. Herë- herë e vëreje luhatjen e kokës së tij, që e bënte edhe më të thellë praninë e tij artistike në skenë.
Veprat e përbashkëta që erdhën sonte për shkak të afërsisë me koleget Haan i përshkroi si një kthim në shtëpi.
“Është një kremtim i bukur muzikor me të gjithë koleget dhe me një audiencë të mrekullueshme në një festival kaq të mrekullueshëm. Nuk ishte e vështirë që t’i sillnim këto kryevepra bashkë për shkak se ne kemi luajtur edhe më parë së bashku, ishte sikur të kthehesh në shtëpi”, tregoi Haan për KultPlus.
Para Han, ndodhej Sihana Badivuku, e cila rrëshqiste në një melodi të pasur, në një kordinim me Blerim Grubin në violë e Frank S.Doodge në violençel. Dukej që tingulli i secilit nga të tre të shpinte drejt një botë të re muzikore duke sjellë kështu veprat e Brahms, e më pas edhe veprat e Shostakovich.
Frank S.Doodge, interpretimin e tij muzikor e mbështet në lojën e tij artistike në violinçelo ku lëvizte kokën që nga momenti kur nis të jap një melodi, drejt anës tjetër ku përpiqej që asaj melodie t’i jepte drejtim tek publiku. Derisa në interpretimet e fundit mbyllë sytë ndërsa kthen shikimin vetëm kur arrin të jap një tingull. Ai erdhi për të tretën herë në KamerFest dhe tregoj për KultPlus se Kosova është një vend që ka nevojë për shumë mbështetje të kësaj muzike.
“Kosova është një vend ku njerëzit janë shumë të etur për muzikë, për të performuar dhe për t’i përmirësuar kushtet. Është e mrekullueshme të kthehesh në Kosovë dhe të shohësh një entuziazëm kaq të madh nga publiku, andaj koncerte të tilla do duhej të mbështeteshin sa më shumë sepse është një ndër gjërat më të rëndësishme të sistemit të edukimit, e që duhet të merret shumë më seriozisht”, u shpreh Doodge.
Në pjesën e dytë të koncertit skenës së këtyre artistëve me përvojë iu bashkua edhe një violinist më i ri në moshë por që arrinte me meloditë e tij të ecte në një vijë me të tjerët në interpretimin e veprave të Shostakovich.
“U ndjeva shumë mirë të performoj krah profesoreshës time Sihana Badivuku dhe me profesorët e tjerë, duke e parë si një mundësi mjaft të mirë për zhvillimin tim. Ka qenë pak e vështirë për mua si student interpretimi i këtyre veprave, duke e pasur parasysh edhe kohën e shkurtër mirëpo bashkëpunimi me këta muzikantë e bëri këtë gjë shumë më të lehtë”, tha Rron Bakalli për KultPlus.
Koncerti me një tempo graduale arriti që në fund të tij të shpërthej në gjallëri derisa tingujt po lëviznin gjithnjë e më shpejtësi drejt hapësirës.
KamerFest sonte do të sjellë koncertin e tetë me radhë me interpretimin e violines nga Sihana Badivuku dhe Derek Han në piano. Koncerti do të mbahet në Amfiteatrin e Librarisë së Universitetit të Prishtinës duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com