Deti dhe muzika ndriçojnë natën e tretë të Prishtina Gastronomy Festival

1 Gusht, 2024 - 4:43 pm

Mbrëmja e tretë e Prishtina Gastronomy Festival nisi me degustime të shijshme të ushqimeve të detit nga Emerald Hotel. Vizitorët patën mundësinë të shijojnë specialitete të freskëta dhe të përgatitura me mjeshtëri, duke filluar kështu mbrëmjen me një notë të lartë kulinare.

Pas shijimeve të mrekullueshme, skena u ndriçua nga grupi i ri dhe i talentuar, Rilindja. Ky grup i të rinjve na bëri të ndjehemi krenarë me performancën e tyre të muzikës popullore qytetare, duke vazhduar kështu një traditë të dashur dhe të rëndësishme për kulturën tonë.

Kulmi i mbrëmjes erdhi me performancën e Vesa Lumës. E njohur për hitin e saj “A i doje puthjet e mija,” Vesa u kthye pas një mungese të gjatë, duke sjellë zërin e saj të fuqishëm dhe energjinë e saj në skenën e festivalit. Performanca e saj e ngriti publikun në këmbë dhe krijoi një atmosferë të paharrueshme.

Për më të vegjëlit, Hamleys kishte përgatitur aktivitete të ndryshme argëtuese. Fëmijët u kënaqën me vizatime kreative, lojëra të ndryshme, shpërblime dhe maskota. Kuponat dhuratë ishin një surprizë e veçantë për fëmijët, duke i bërë ata të ndjehen të veçantë dhe të mirëpritur.

Prishtina Gastronomy Festival vazhdon të ofrojë përvoja unike dhe të paharrueshme për të gjitha moshat. Mos e humbisni mundësinë për të qenë pjesë e kësaj feste të madhe që do të zgjasë deri më 9 gusht në sheshin “Adem Jashari”./KultPlus.com

Të ngjajshme