25 Qershor, 2018 - 6:00 pm
Bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut që nga 20 qershori ka mirëpritur rreth 1400 turistë të huaj, kryesisht nga Britania e Madhe, në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri “Kala”.
Adhuruesit e muzikës elektronike, përveç bregdetit joshës të Jonit me ujin kristal dhe rërën e bardhë, kanë përjetuar edhe mbrëmjet të elektrizuara nga muzika e DJ me famë botërore si Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann.
Një grup turistësh londinezë të cilët vinin për herë të parë në Shqipëri u shprehën për ATSH se ,”ne kemi ardhur për Kala Festival pasi jemi adhurues të muzikës elektronike, por po mahnitemi nga bukuria e bregdetit tuaj e sidomos këtu në Dhërmi me ujin e kristaltë dhe guralecët e bardhë, por mbi të gjitha jemi të impresionuar nga mikpritja dhe gatimet e shumëllojshme”.
“Përveç mbrëmjeve të cilat elektrizohen nga muzika e DJ-ve më të famshëm gjatë ditës ne organizohemi për të eksploruar vende të ndryshme këtu në bregdetin e Jugut ku kemi vizituar ”Shpellën e Piratëve” dhe gjirin e Gramës të cilat dukeshin si vende të dala nga filmi ”Piratët e Karaibeve”, pra magjike dhe plot mister. Keni bregdetin më të bukur dhe jeni njerëz shumë mikpritës dhe shumë të buzëqeshur”, u shprehën ata.
Ky festival u organizua nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit, me angazhimin e veçantë të drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Albin Gega duke bërë të mundur që këta turistët përveçse të shijojnë muzikën të njohin dhe Shqipërinë turistike me plot vende të bukura dhe bukuri të pazbuluara.
Festivali i Parë Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike në Shqipëri “Kala” do të vazhdojë të ndezë atmosferën deri më 27 qershor./ ata