29 Dhjetor, 2021 - 3:01 pm
Në 10-vjetorin e krijimit të këngës ‘Suus’, Rona Nishliu ka ndarë me publikun arsyen e pjesëmarrjes në edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në RTSH, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, Nishliu thotë se ajo që e bëri të marrë pjesë në këtë festival ishte kthimi i Orkestrës së plotë pas më shumë se dy dekadash.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:
Shpesh më keni pyetur “pse konkurrove në FiK 50”?
Dihet se çdo festival fton në sesione informative muzikantët në lidhje me zhvillimet që sjell çdo edicion i ri. Prof Shpetim Saraci, Drejtor Artistik i Festivalit, na mblodhi në Prishtinë për të rejat e edicionit 50. Ajo që më bëri të marr pjesë ishte kthimi i Orkestrës së plotë pas më shumë se dy dekadash! E mendova si privilegj pjesëmarrjen dhe mundësinë për t’u prezantuar në një format të tillë. Rreth 10 ditë prova për “Suus” me Orkestrën e mrekullueshme nën dirigjimin e prof. Alfred Kacinari dhe në piano me profën tim Shpetim Saraci ishin ditë magjike me plot emocione pozitive, dhe s’kishte ku të shkonte më mirë se kaq. E pa ngarkuar totalisht nga ambicia për garë (këtë e dijnë më së miri miqtë e mi backvokalë me të cilët zbardhëm shumë mëngjese bashkë El-Tina Minarolli dhe Armando Likaj) konsiderova këtë prezantim si një pikë të një koncerti solistik që e ëndërroja, aq më tepër që në prova e në çdo ambient përfliteshin emra të tjerë për triumf si Elton Deda, Elhaida Dani, Frederik Ndoci, Kamela Islamaj, etj. Gjithsesi unë e shijova në maksimum këtë eksperiencë dhe në këtë 10 vjetor vendosa të ndaj me ju këtë kujtim të bukur për pyetjen tuaj të shpeshtë. Ju dua./KultPlus.com