14 Shtator, 2021 - 12:23 pm
Shkruan: Ali Salihu- URACult
Derisa për trashëgiminë kulturore të Arbëreshëve të Italisë dhe aktiviteteve të tyre lexojmë rregullisht në mediat tona, për Arbëreshët e Kroacisë dijmë shumë pak. Edhepse në numër më të vogël se bashkëkombasit në Itali, edhe Arbëreshët e Zarës kanë një traditë të begatshme kulturore. Të shpërngulur nga rrethina e Liqenit të Shkodrës në fillim të shekullit të 18-të, ata lanë gjurmë të pashlyeshme në Kroaci, kryesisht në Zarë dhe rrethinë, duke i dhënë Kroacisë personalitete të rëndësishme në sfera të ndryshme të jetës. Familja Deshpali nga Zara njihet sot si vatër e muzicientëve në Kroaci.
Një projekt interesant i realizuar nga Dina Busic dhe Melita Ivkovic me emrin “Bërbili”, ka kthyer sadopak kurreshtjen te lagjja Arbanasi e Zarës ku e ka burimin ky projekt. Dina Busic, një pasardhëse e Arbëreshëve, si studente kishte një detyrë të bëj një hulumtim të muzikës së vjetër. Një bisedë me gjyshen e saj arbëreshe e bëri të kuptoj se muzika e vjetër arbëreshe është një thesar i vlefshëm muzikor. Repertoari i këngëve të vjetra të kënduara nga gjyshja e saj, e shtynë atë të studioj më thellë musikën e paraardhësve të saj. Kurreshtja por edhe këmbëngulja ishin të mëdha dhe së bashku me kolegen, muzicienten Melita Ivkovic, por edhe me kolegë tjerë si dhe disa gjuhëtarë e historianë, u zhytën në botën e muzikës dhe gjuhës arbëreshe për të kurorëzuar punën e tyre me një përmbledhje këngësh, të cilat këndoheshin nga disa gjenerata. Këto këngë u incizuan në kishën Marijina, një kishë me akustikë të shkëlqyshme që gjindet në ishullin kroat Zlarina. Rezultati i kësaj pune të gjatë është një album muzikor të cilin kritika muzikore kroate e vlerësoi si një „muzikë unike e origjinale mediterano-orientale“. Ky album shihet njëherit edhe si një kontribut për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, që sipas UNESCO-s është një ndër gjuhët më të rrezikuara në botë.
Në fund të Korrikut disa nga këto këngë u prezentuan në ZA Fest, në një atmoferë të mrekullueshme në Kalanë e Rozafës, para 2000 mysafirëve. Një prezentim i projektit në Prishtinë i planifikuar për muajin Gusht, është shtyrë për një termin tjetër por rrugëtimi i këngëve arbëreshe në këtë muaj vazhdon për në Gjermani. Shoqata URACult nga Kölni e cila qe gati shtatë vite është aktive si urë kulturore ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore dhe Gjermanisë, do të sjell në Köln duon „Dina e Mel“.
“Ishim në kontakt me zonjën Dina Busic qe një kohë të gjatë dhe gjatë qëndrimit në Zarë në muajin Korrik, ishim të ftuar nga zoja Busic në hapjen solemne të edicionit të 63. të Mbrëmjeve të muzikës së Zarës, festival ky i nisur nga familja e muzicientëve arbëreshë Deshpali” rrëfen kryetari i shoqatës URACult Ali Salihu i impresionuar nga atmosfera e kësaj mbrëmjeje. Aty edhe u konkretizua bashkëpunimi dhe javën që vjen (me datën 16. Shtator) “Dina e Mel” do të prezentojnë projektin e tyre para publikut gjerman në qytetin e Köln-it. Para koncertit do të organizohet një panel diskutimi me dy artistet nga Zara si dhe me ekspertë e etnomuzikologë që do të mbështetet nga organizata Südosteuropa Gesellschaft.
„Jemi të lumtur që për herë të parë të kemi artistë nga Kroacia në skenën tonë të cilët do të na prezentojnë një pjesë të vlefshmë të trashëgimisë kulturore të këtij regjioni“ vazhdon Salihu për të shtuar se „falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me shoqata tjera kulturore në Köln, ne i kemi mundësuar zonjës Busic prezentimin e projektit edhe në festivalin Migrant Mucis Manifesto poashtu në Köln, ku marrin pjesë etnomuzikologë e ekspertë të njohur nga gjithë bota“.
Në qytetin e Kölnit i cili njihet për diverzitetin e madh kulturor, në të njëjtën mbrëmje, së bashku me „Dinae Mel“ do të paraqitet edhe grupi „Compas a tres“ si bashkëpunim i URACult-it me organizatën Byeond The Roots. / KultPlus.com