Dorina Laro dhe Kristina Petrollari sjellin frymë Romantizmi dhe Tango në festivalin ‘KamerFest’

29 Tetor, 2022 - 10:06 pm

Flonja Haxhaj

Në vazhdën e koncerteve në kuadër të festivalit ‘KamerFest’, në mbrëmjen e djeshme jehoi Romantizmi dhe Tango të përshtatura për piano dhe violonçel, që u sollën në Prishtinë nga artistet Dorina Laro dhe Kristina Petrollari – Laço, shkruan KultPlus.

Koncerti i cili zuri vend në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, nisi me suitën italiane për violonçel dhe piano nga Stravinsky, që përcolli një emocion të madh në publikun artdashës përderisa artistet luanin veprat Intrpduzione, Serenata, Aria, Tarantella dhe Minuetto e Finale.

Ritmi ndryshoi me performimin e veprave të Rachmaninof, e për të përfunduar me Tangon e Madhe nga Piazzola.

Mbrëmja që solli jehonën e romantizmit dhe Tangos u përmbyll me duartrokitjet e publikut që zgjatën disa minuta, për të shprehur mirënjohjen për ato emocione që artistet dhuruan në afro një orë e gjysme performim.

Ndërkaq, pas koncertit foli Kristina Petrollari-Laço, e cila ishte edhe e pranishme në koncertin paraprak tha për Kultplus se në koncertin e një nate më përpara nderuan Çesk Zadejën, kompozitorin e njohur shqipta dhe Cesar Fank, ndërkaq në këtë natë zgjodhën një repertor më ekspresiv.

“Ndërkohë me Dorinën kemi mb 15 vjet që intrerpretojmë së bashku. Ekspresiviteti që kanë këto vepra na bënë që t’i zgjedhim për të performuar sonte që na shtynë që t’i bëjmë bashkë. Është një repertor që e duam dhe na përshtatet.”, deklaroi ajo.

Petrollari – Laço më tutje foli edhe për paraqitjen para publikut të Prishtinës duke shprehur se është shumë kënaqësi për të të kthehet para këtij publiku që gjithmonë u japin emocion të veçantë.

Kurse Dorina Laro, e cila erdhi për herë të parë në këtë edicion të ‘KamerFest Kosova’, por jo hera e parë në Prishtinë, pasi ajo u shpreh se vjen në Prishtinë që nga viti 1999, dhe nga ai moment rikthehet shpesh dhe gjithmonë ka një dashuri dhe ndjenjë të veçantë.

“Programi i sotëm është një përzgjedhje mes romantikëve të vonë me tangon, brenda një shekulli por dy llojeve të muzikave të ndryshme, një suitë nga Stravinsky ku dihet se çdo kompozitor është mahnitur nga ajo se çfarë Italia përfaqëson me kulturë dhe art e Stravinsky ka marrë temat e një opera popullore dhe i ka përshtatur në këtë suitë italiane”, u shpreh Laço duke folur për programin.

Ajo po ashtu foli edhe për bashkëpunimin me Kristinën, e i cili sipas Laros daton qysh nga viti 2008 e tani nuk mund të mendojnë të punojmë të ndara.

Ju kujtojmë që ‘KamerFest Kosova’ do të zgjasë deri më 1 dhjetor, me prezencë të artistëve si:  String Trio Kosova, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi, ArsKosova Competition 2022 laureats, Vesa Dume, Eda Vlaqo, Elsa Gashi, Dejon Bendaj, Kristina Laqo, Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala./ KultPlus.com

Të ngjajshme