10 Shtator, 2020 - 8:43 pm
Ndër shekuj, muzika ka qenë arti i cili ka ndihmuar në relaksimin e secilit.
Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë me Festivalin e ReMusicas, i cili si pasojë e situatës pandemike u mbajtë në platformën online, mirëpo ajo që ka mahnitur organizatorët, ka qenë reagimi i një mjekut nga Spitali Rajonal i Prizrenit, shkruan KultPlus.
Dr.Sylejman Krasniqi, radiolog në Spitalin Rajonal të Prizrenit ka publikuar një fotografi në të cilën shprehej se edhe Covid19 luftohet më lehtë me muzikë e artistë të mirë.
Më pas fotografia e mjekut u bë publike edhe në faqen zyrtare të ReMusica-s.
Më poshtë keni postimin e plotë.
”Mbrëmë teksa ndodhte koncerti i artistëve nga Kosova: Besa Llugiqi dhe Misbah Kaçamaku, në kuadër të #ReMusicaFestival, pranuan nje fotografi me një mesazh “Edhe COVID19, luftohet më lehtë me muzikë të mirë e artistë fantastik!”
Është fjala për fotografinë e Dr. Sylejman Krasniqi, radiolog në Spitalin Rajonal të Prizrenit, adhurues i muzikës dhe përcjellës i madh i Festivalit ReMusica, gjë që fotografia edhe na e tregon.
Tash gati njëzet vite kemi punuar në vazhdimësi që të sjellim një program të përpiluar me kujdes, në mënyrë që të përmbushë nivelin artistik dhe programor, gjithnjë në trend me kohën, apo në vendosjen e trendeve.
Megjithatë, misioni është që ajo copë muzikore nga skena të përmbushë qëllimin e ekzistencës së vet muzikës, si ushqim dhe kujdes për shpirtin dhe mirëqenjen tonë.
Në këtë stratosferë digjitale, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, arritëm të vizitojmë pjesën më intime dhe të ndjeshme të jetës së publikut që të përmbushim misionin tonë dhe këtë nuk e tregon më mirë se sa fotografia e dërguar nga Dr. Krasniqi.
I jemi mirënjohës secilit që gjatë këtyre muajve u kujdesët për mirëqenien tonë, në rradhë të parë mjekëve, si Dr. Krasniqi, në linjën e parë të mbrojtjes nga pandemia, tek prodhuesit e të mirave ushqimore që mbajtën të furnizuara dyqanet dhe punëtorët që ndejtën dita ditës në shërbimin tonë, mësuesit dhe profesorët që po kujdesen të mbajnë në jetë arsimin në këto kushte të vështira, e shumë e shumë të tjerëve.
Misioni është larg përmbushjes, ndërsa motivi që na vjen nga publiku dhe artistët vetëm sa vjen e shtohet’, thuhet në postimin e ReMusicas / KultPlus.com