29 Mars, 2018 - 7:08 pm
Gili Hoxhaj
Festivali DAM dhe EUICC – Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë, sot kanë organizuar diskutim me temën ‘Menaxhimi i orkestrës: A kemi nevojë për orkestra të financuara nga shteti?’
Para fillimit të diskutimit, Dardan Noka Selimaj – themelues dhe drejtor artistik i DAM Festivalit tregoi se ky edicion i DAM Festivalit do të sjellë një program të larmishëm dhe voluminoz i cili ka kërkuar shumë angazhim për ta kuruar në formatin që do të vijë këtë vit. Ai tha se ky festival do të mbledhë një numër të madh muzikantësh, gjë që nuk është arritur më parë.
“Në këtë edicion do të kemi diku mbi 300 muzikantë që do të parakalojnë në koncertet dhe ngjarjet e festivalit , kjo është një shifër që nuk e kemi arritur më parë dhe për këtë jemi shumë të gëzuar. Në mesin e tyre ka muzikantë që kanë karrierë të suksesshme”, u shpreh Selimaj, mbi DAM Festivalin që nisë sonte.
Në panelin e këtij diskutimi të ftuar ishin Momchill Georgiev – Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Punonjësve të Kulturës në Sofje, pastaj Paul McEwen – Drejtor i “Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor” Vancouver, Kanada si dhe Baki Jashari – Drejtori i Filharmonisë së Kosovës.
Për të treguar për funksionimin e orkestrave në Bullgari, para të pranishmëve foli Momchill Georgiev – Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Punonjësve të Kulturës në Sofje. Ai fillimisht tregoi një historik të shkurtër për orkestrat në Bullgari që nga periudha e mbarimit të pushtimit nga forcat otomane në vitin 1878, atëherë kur edhe filloi edukimi profesional lidhur me zhvillimin e orkestrës. Pas Luftës së Dytë Botërore në Bullgari ekzistonin 7 shtëpi të operës , 2 teatro të muzikës dhe 18 orkestra të ndryshme.
“Pas vitit 2010 ka qenë një reduktim i madh i muzikantëve dhe stafit teknik, për shkak se mungesa e parave ka qenë shumë e pranishme në atë kohë”, u shpreh Georgiev.
Ai prezantoi edhe një hartë që tregonte vendet e Bullgarisë të cilat kishin orkestër,
Ai po ashtu tregoi për problemet kryesore me të cilat përballen orkestrat atje, e që janë mungesa e të hollave, rrogat e vogla të cilat lëvizin nga 300 euro deri në 800 euro, muzikantët lëvizin në vende të tjera për të kërkuar rroga më të mira, mungesa e interesimit për disa instrumente si korno, tromboni etj.
Lidhur me gjendjen e “Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor” Vancouver, në Kanada, para të pranishmëve foli edhe drejtori i kësaj orkestre, Paul McEwen. Ai tregoi se kjo orkestër u krijuar në vitin 1992 ndërsa shtoi se është një praktikë tjetër nga atje. Ky është tashmë viti i dytë që ai është në krye të kësaj orkestre, ku më parë ka pasur rolin e arkatarit. Ai tregoi se pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë nga publiku, e një pjesë tjetër nga qeveria ndërsa shtoi se edhe anëtarët e Orkestrës paguajnë për anëtarësim.
“Ne si “Orkestrës Simfonike e Bregut Perëndimor” kërkojmë donacione nga publiku, nga 40 deri në 60 për qind e të ardhurave vijnë nga publiku i cili dhuron aq sa dëshiron kurse agjencitë qeveritare që vendosin ta përkrahin orkestrën tonë, para se t’i japin paratë duan ta dinë se a je i rëndësishëm në komunitetin tënd, se a kontribuon ti në komunitetin tënd, ti duhet t’ua dëshmosh këtë me pjesëmarrjen e të pranishmëve”, u shpreh McMwen.
Krejt në fund foli Drejtori i Filharmonisë së Kosovës – Baki Jashari, i cili tregoi disa nga problemet me të cilat përballet Filharmonia e Kosovës. Ai fillimisht tregoi për rrugëtimin e Filharmonisë së Kosovës dhe për mbylljen e dhunshme në kohën e regjimit serb.
Jashari, mes tjerash tha se në Kosovë mungon vullneti politik për t’u zhvilluar edhe orkestra të reja për të cilat Kosova ka nevojë.
“Pas viteve të luftës në Kosovë, duhet ta pranojmë faktin se ka pasur vazhdimisht rritje edhe nga aspekti financiar nga MKRS dhe ne e kemi vetëm këtë orkestër profesionale dhe s’kemi as si të mburremi në krahasim me shtetet e tjera dhe sa i përket aspektit financiar tani në këtë moment që ne po flasim në Ministri të Kulturës është në finalizim një rregullore e re për përditësimin e këtyre pagave të ulëta që janë edhe tek ne 300 e që shkojnë deri në 400, jo deri në 800”, u shpreh Jashari.
Gjithnjë e më shumë sallat e mbushura në koncertet e Filharmonisë dëshmojnë interesimin e publikut. Kjo vetëm se hapë edhe një horizont të ri për hapjen e temave të reja pasi që në Kosovë duhet të ndërtohen edhe institucione të reja, të ndërtohet opera siç i ka çdo shtet i rajonit.
Sonte do të mbahet koncerti i parë i DAM Festivalit.
Hapjen e këtij koncerti do ta bëjë “West Coast Symphony” nga Kanadaja ndërsa do të interpretojë Julia Nolan në saksofon. Dirigjenti i këtij koncerti është Bujar Llapaj. Koncerti do të fillojë sonte në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com