11 Prill, 2021 - 7:24 pm
Drilona Musa është vajza nga Mitrovica e cila arriti në finalen e ‘The Voice of Switzerland’.
Drilona Musa, është një 26 vjeçare me prejardhje nga Mitrovica, e cila është rritur dhe jeton në Basel të Zvicrës.
Ajo në vitin 2020 mori pjesë në ‘The Voice of Switzerlan’, duke i mahnitur antarët e jurisë me paraqitjen e saj.
Si pjesë e skuadrës së Anna Rossinelli, Drilona arriti deri në finalen e spektaklit, por pas shpërthimit të koronavirusit nuk u zhvillua gjysmëfinalja dhe finalja ashtu siç ishte parashikuar.
“Në fillim të vitit të kaluar kam marrë pjesë në The Voice of Switzerland dhe arrita deri në finale. Shkaku i situatës me COVID-19 nuk u zhvillua gjysmëfinalja dhe finalja sipas planit. Kështu që e kemi mbajtur vetem finalen dhe secili ka performuar prej shtëpisë së vetë. Kjo ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe jam ndarë shumë e kënaqur me arritjen time deri në finale, gjë të cilën nuk e kam pritur.” thotë Drilona për Le Canton27.ch.
Në nëntor të vitit 2020 ajo ka lançuar këngën e saj të parë, të cilën e ka realizuar në studion e producentit të njohur shqiptar, Florent Boshnjaku.
“Në nëntor të 2020-ës e kam lancuar këngën time të parë “M’lshon zemra”. Tekstin e kësaj kënge e kam shkruar vetë dhe për muzikë kam bashkëpunuar me një producent nga Kenia, i cili quhet Nzau. Incizimin e kam bërë në studion e Florent Boshnjakut. Videoklipin e kam realizuar në bashkëpunim me BUG Production në Shalë të Bajgorës (Mitrovicë) nga dhe e kam prejardhjen.” u shpreh Drilona.
Gjatë këtij vitit Drilona thotë se planifikon të publikojë edhe disa këngë të tjera. Muzika është një pjesë e madhe dhe e rëndësishme për të, andaj ajo synon ta ketë profesion në të ardhmen e afërt./ KultPlus.com