11 Janar, 2024 - 8:15 pm
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, po vazhdon të shënojë rekorde në historinë e muzikës globale.
Kësaj here ajo është bërë artistja e parë dhe e vetme aktualisht në botë, e cila ka tri këngë me nga dy miliardë dëgjime në platformën më të madhe të muzikës në botë, Spotify.
Këtë lajm e ka njoftuar shtëpia e saj diaskografike, Warner Records, përmes një postimi në rrjetin social Instagram.
“Urime për Dua Lipën e cila bëhet artistja e parë femër me nga dy miliardë dëgjime në Spotify në tri këngë të saj”, ka shkruar Warner Records në Instagram.
Më saktësisht, tri hitet e Duas që shënojnë këtë arritje janë “New Rules”, “Dont Start Now” dhe “One Kiss” në bashkëpunim me DJ Calvin Harris.
Dua Lipa përndryshe ka konfirmuar se gjatë vitit 2024 do të publikojë albumi ne saj të ri, njëherësh të tretin në karrierën e saj pas dy albumeve shumë të suksesshme në të kaluarën, “Dua Lipa” në vitin 2017 dhe “Future Nostalgia” në 2020.
Ajo publikoi gjatë nëntorit të vitit të kaluar këngën e saj më të fundit “Houdini”, e cila njëherësh është kënga e parë e albumit të saj në ardhje. /KultPlus.com