22 Nëntor, 2022 - 9:23 am
Hiti ‘Cold Heart’ që bëri bashkë Dua Lipën dhe legjendën e muzikës, Elton John, ishte surpriza më e bukur për fansat. Sapo u lansua, kënga shënoi suksese të mëdha, e po vazhdon me një tempo të tillë, shkruan KultPlus.
Por një performancë live mbrëmë nga dy artistët në skenën e stadiumit “Dodger”, mahniti publikun dhe gjithçka ishte surprizë për fansat. Kur ata panë Dua Lipën në skenë, reagimet e brohoritmat ishin të mëdha.
Të përqafuar së bashku, dyshja e shijoji momentin deri në maksimum. Pamjet e tyre vezulluese morën vëmendje tjetër të veçantë, duke shpërfaqur kështu një elegancë moderne që pa masë i shkonte dukjes së tyre në skenë.
Performanca u transmetua ‘live’ në platformën Disney+. Ndërsa, në koncertin e John që shënohet si i fundit i tij, përveç muzikantëve të tjerë, ai nderoi edhe këngëtaren shqiptare Dua Lipa.
“Cold Heart” erdhi në një mënyrë tejet të fuqishme, në një stadium të mbushur deri në pykë. Krejtësisht në mënyrë të drejtpërdrejt, zëri i tyre buçonte deri në kulm, teksa të pranishmit kërcenin me buzëqeshje të shumta në fytyrë.
Kjo natë u shijua pafund nga publiku, por edhe nga Dua Lipa e cila pas gjithë kësaj magjie u shpreh që për të kjo është një ëndërr e vërtetë.
“Asnjëherë nuk mund ta imagjinoja se do të kisha qenë pjesë e një nate si kjo kur e nisa gjithçka për herë të parë. Një ëndërr e vërtetë”, shkruan Lipa. / KultPlus.com