31 Dhjetor, 2020 - 11:40 pm
Suada Qorraj
Me gjithë të këqijat që bota këtë vit i përjetoi, ishte Dua Lipa ajo që e përvetësoi me sukseset e saj të njëpasnjëshme. Ky vit pa asnjë mëdyshje mund të quhet ‘’Viti i Dua Lipës’. Ajo përgjatë këtyre 12-muajëve solli shumë projekte të reja, mori pjesë në ngjarje të rëndësishme e u bë figura kryesore e shumë revistave të njohura botërore, ndërsa në anën tjetër çmimet që ajo fitoi ishin të shumëta, shkruan KultPlus
Janari i viti 2020 e gjeti Dua Lipën si një nga këngëtaret e para shqiptare që arriti t’i ketë 2 miliardë klikime vetëm me një video në Youtube. Ishte kënga e saj ‘New Rules’, që arriti të bëhej pjesë e kësaj liste të ngushtë të këngëve që kanë mbi 2 miliardë klikime në YouTube.
Por, ky muaj nuk përfundoi këtu për këngëtaren sepse ajo publikoi këngën e saj të parë të parë për këtë vit “Physical”, pjesë të albumit ‘Future Nostalgia’.
Lipa muajin shkurt e filloi duke marrë pjesë në Festivalin e famshëm “Sanremo”, në Itali. E përcjellur edhe nga valltarë, Dua Lipa ka shkëlqyer me performancën e saj, e ky festival tashmë nuk është një ëndërr e parealizuar për shqiptarët.
Këngëtarja shqiptare këtë muaj e vazhdoi me realizimin e një klipi së bashku me ‘Vogue Magazine’, ku prezantoi disa prej koleksioneve të ‘Javës së Modës’ në New York. Përmes këtij klipi Dua ka synuar të tregojë se si është një ditë e një artisti.
Dua bashkëpunimet e saja nuk i ka ndalur as në muajin mars, ku për markën e njohur të veshjeve ‘Pepe Jeans’, ajo ka paralajmëruar edhe lansimin e koleksionit të ri ‘pranverë/verë 2020’.
Lipa përgjatë këtij viti pati edhe një numër të madh të triumfeve. Ajo u nderua me çmimin “Best Britisht Act”, në edicionin e sivjetmë të ndarjes së shpërblimeve “Global Awards” e cila u mbajt në Londër. Në vetëm dhjetë ditët e para të muajit mars këngëtarja shqiptare arriti që për herë të parë në karrierën e saj muzikore të pozicionohet në vendin e tretë top listës “Billboard” të 100 këngëve më të mira në Amerikë. Dua Lipa e ka arritur këtë sukses me hitin “Don’t Start Now”, që është pjesë e albumit të saj “Future Nostalgia”.
Muajin mars, Lipa e përmbylli me publikimin e këngës ‘Break my heart’, këngë kjo që ka gëzuar një sukses të madh që nga koha e publikimit. Marsi ishte pikërish muaji kur Dua publikoi albumin e saj të dytë, Future Nostalgia, i cili po del të jetë shumë i suksesshëm që nga koha kur edhe është lasnuar, me anë të së cilit ka kryesuar listat më të njohura.
Ishte kënga “Don’t start now” e cila bëri bujë të madhe dhe gjithçka filloi me këmbë të mbarë për Duan, ndërsa në listën e publikuar nga ‘Spotify’ në muajin prill, Lipa ka kryesuar në listën e këngëtareve vajza, ku dhe ka lënë pas artistet si Billie Elish e Taylor Swift.
25 vjeçarja përgjatë këtij viti ka thyer edhe rekorde të shumta, kënga e saj ‘IDGAF’, e cila është publikuar vite më parë ka arritur shifrën e 1 miliardë dëgjimeve në platformën digjitale ‘Spotify’, çfarë e ka bërë atë femrën e parë që ka arrirë këtë sukses.
Në mars të vitit 2020, këngëtarja lansoi albumin e saj “Future Nostalgjia”, i cili ka bërë namin në tregun muzikor. Në vetëm 4 muaj, albumi ishte shitur rreth 1 milion herë nëpër botë dhe është bërë albumi i parë më i shitur për 2020-ën nga një artiste femër.
Këngëtarja nuk i la anash projektet muzikore as në muajt e ngrohtë të verës, pikërisht në muajin korrik ajo solli këngën me titull “Halucinate”, videoklipi i së cilës ishte realizuar në formatin animacion, ku dhe ilustronte temën e këngës.
Dua Lipa në këtë vit u bë edhe këngëtarja e parë shqiptare që u nominua për të garuar për çmimin “Mercury Prize” të vitit 2020, përalbumin e saj të vlerësuar dhe të renditur në vendin e parë për javë me rresht në Mbretërinë e Bashkuar, “Future Nostalgia”.
Lipa në korrik lansoi edhe një këngë tjetër të albumit Future Nostalgia, “Un Dia (One Day)”, pjesë e të cilit është edhe aktorja e njohur nga seriali ‘La Casa de Papel’, Tokyo.
Lipa në këtë vit solli edhe një nga bashkëpunime e shumëpritura, atë me yllin botërorë Madona dhe Missy Eliot. Këtë projekt muzikor që titullohet ‘Levitating’, Lipa e ka konsideruar një ëndërr të bërë realitet. “Gjithmonë ka qenë një ëndërr e imja që të punoj me Madonna dhe Missy Elliott dhe të sjellim një këngë bashkë. Kjo më duket se pabesueshme,” ka thënë Lipa gjatë një paraqitjeje në ‘Ash London Live’.
Dua Lipa arriti që të rrëmbej një çmim edhe në “MTV Video Music Award 2020”, ku u nderua në kategorinë “Kënga më efektet më të mira vizuale”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Physical”.
25 vjeçarja përgjatë këtij viti ka bashkëpunuar edhe me artistë nga vende të ndryshme, një ndër to është edhe artistja belge Angele, me të cilën kanë sjellë hitin e padiskutueshëm ‘Fever’.
Bukuroshja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, ishte nominuar në dy kategori të “American Music Awards”, por arriti të triumfojë në njërën prej tyre. Ajo e fitoi çmimin “Kënga më e mirë pop/rock” për hitin e saj të padiskutueshëm, “Don’t Start Now”.
Lipa një dominim të jashtëzakonshëm e ka pasur edhe në ndarjen e çmimeve Grammy, ku ka rrëmbyer 6 prej tyre; “Regjistrimi muzikor më i mirë i vitit”, “Kënga më e mirë e vitit”, “Albumi më i mirë i vitit”, “Performanca më e mirë POP”dhe “Albumi më i mirë POP”.
Këngëtarja në nëntor të këtij viti mbajti edhe performancen e saj të drejtpërdrejtë ‘Studio 2054’, ku dhe ju bashkëngjiten një numër i madh i të ftuarve, si Miley Cyrus, Kylie Minogue e shumë të tjerë.
“Future Nostalgia”, “Levitating”, “Break my Heart”, “Phycial”, “Neë Rules”, “Don’t start now” ishin disa prej këngëve që zëri i magjishëm i Lipës i jetësoi në koncertin e saj ‘Studio 2054’, duke i bërë artdashësit e saj të kenë momente të paharrueshme.
Këngëtarja e famshme shqiptare sukseset e saja për këtë vit nuk i ndali me kaq, ajo arriti që të rrëmbej çmimin “Artistja ndërkombëtare femër” në NRJ Music Awards.
“Faleminderit shumë NRJHITMUSICONLY Faleminderit për çmimin artistja ndërkombëtare femër!! Momente surreale që kurrë nuk do t’i harroj! Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen!! Shpresoj që jeni kënaqur me performancat tona!!”, kishte shkruar Lipa në Instagram pas marrjes së këtij çmimi.
Dua u shfaq e magjishme edhe në ngjarjen e rëndësishme muzikore, Biboaed Women 2020, ku krahas një performance të jashtëzakonshme të këngës “Boy will, be boys”, ajo arriti të fitoj çmimin “Women In Music for the Powerhouse”, e që padyshim përbën edhe një sukses tjetër të saj.
Shqiptarja për gjatë këtij viti ka qëndruar me javë të tëra në top listat botërore. Madje edhe në këtë fundvit ajo ka kryesuar në listën e ‘Bilboard’. Këngëtarja u radhit numër 1 në ‘Top Artist’, si dhe numër 1 ‘Dance/Mix Shoë Airplay Artist”.
Ky vit, padyshim mund të quhet edhe viti i këngëtares shqiptare Dua Lipa dhe sukseseve të saj të njëpasnjëshme që dëshmuan se ajo posedon një zë të jashtëzakonshëm, por dhe një talent të madh.
Dua Lipa pavarësisht sukseseve të mëdha që arritur, ajo asnjëherë nuk harron Kosovën e shqiptarët, vendin nga ajo vjen e ku ka lindur. Madje ajo shpesh herë këtë e bënë duke kujtuar edhe disa figurat më të rëndësishme të artit e muzikës në vendin tonë.
Lipa, si shumë personalitete të shquara, pas vdekjes së ikonës së muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha kishte shprehur ngushëllimet e saja. 25 vjeçarja në atë kohë kishte postuar fotografinë e bylbylit të këngës shqipe në rrjetin social Instagram.
Këngëtarja që përherë na bënë krenar nuk harron as datat e rëndësishme të vendit. Me rastin e festës së pavarësisë në profilin e saj kishte zënë vend një foto që paraqiste flamurin shqiptar dhe atë të Republikës së Kosovës.
“12 YEARS INDEPENDENCE 💙 #njikombnjiflamur”, kishte shkruar ajo.
Posted by Dua Lipa on Monday, February 17, 2020
Lipa në maj të këtij viti kishte zhvilluar një bisedë virtuale me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ku dhe kishte premtuar se do të rinovojë amfiteatrin e Prishtinës, ku më vonë do të përdoret nga të gjithë qytetarët e Prishtinës, sidomos për aktivitetet të kulturës, që do të ndodhin në Prishtinë.
Zhurma e madhe që u bë në kohën kur kërkohej që edhe Kosova të vendosej në hartën e Apple, bëri që edhe Dua Lipa të nënshkruaj peticionin ‘Put Kosovo on The Map’.
Ajo krahas nënshkrimit të këtij peticioni, e kishte ndarë atë edhe me 48 milionë ndjekësit e saj në Instagram, ku dhe kishte shfrytëzuar edhe një herë zërin dhe famën e saj për ta ndihmuar Kosovën. E jo shumë pas kësaj Dua Lipa kishte suprizuar më një postim që ngjalli reagime të shumta. Ajo kishte publikuar fotografinë e njohur të flamurit që kohë më parë ishte valëvitur mbi stadiumin e Beogradit.
Por këngëtarja nuk e ndal me kaq ajo kishte reaguar për herë të dytë duke sqaruar se postimi i saj nuk ngjallte urrejtje, por si çdo herë tjetër ajo po përkrahte vendin prej nga vinte.
“Kurdoherë që postoj për Kosovën, qoftë për muzikë apo ushqim, kam parë një rezistencë të ashpër ndaj idesë së kulturës autentike kosovare. Ne meritojmë të jemi krenarë për etninë tonë. Unë thjesht dua që vendi im të përfaqësohet në një hartë, gjithashtu dua të flas me krenari për rrënjët e mia shqiptare. I inkurajoj të gjithë që ta dëgjojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri”, kishte reaguar 25 vjeçarja.
20 qershori shënoi ditën ndërkombëtare të refugjatëve. Personazhe të famshme nga e gjithë bota kishin përkujtuar në rrjetet e tyre sociale se ata që vuajnë më së shumti në mungesë të kushteve elementare, janë refugjatët në vende të huaja.
Edhe artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është një nga yjet e famshëm të tregut ndërkombëtar, e cila rrjedh nga një familje refugjate. Familja e saj u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova, në vitet ‘90.
Ka qenë babai i këngëtares, Dukagjin Lipa, ai i cili në një sërë fotografish prekëse të publikuara në rrjetin social, ku shfaqen refugjatët nga lufta e fundit në Kosovë dhe ata sirianë që Dua vizitoi një vit më parë në Liban, kishte shkruar disa fjalë për refugjatët.
“Dje ne kujtuam kohën kur para 21 vitesh mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës u nxorën nga shtëpitë dhe u larguan nga vendi i tyre, si shkak i fushatës brutale të spastrimit etnik nga forcat serbe në Kosovë. Në të gjitha “Ditët Botërore të Refugjatëve”, dhe në çdo ditë tjetër ne do të jemi pranë refugjatëve dhe njerëzve të shtypur në vuajtjen e tyre. Shpërndani dashuri, jo luftë.”
Ky postim është shpërndarë më pas nga Dua Lipa, e cila u ka treguar mbi 47 milionë njerëzve që e ndjekin në Instagram, situatën e tmerrshme në të cilën ndodhej vendi i saj dikur dhe padyshim peripecitë e saj si emigrante.
Dua Lipa çdo herë ka folur me krenari për vendin dhe prejardhjen e saj. Këngëtarja ka promovuar shumë shpesh vlerat më të bukura të Kosovës dhe nuk ka hezituar të tregoj për historinë e këtij vendi. Ylli botëror përfaqëson dijnitetshëm Kosovën në secilën hapësirë ku ajo shkel. Edhe këtë vit, si në çdo vit tjetër, Dua na bëri krenarë për dymbëdhjetë muaj rresht./ KultPlus.com