20 Shtator, 2021 - 7:01 pm
Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, do të realizojë turne muzikor edhe në Australi dhe Zelandë të Re, me ç’rast ka për qëllim promovimin e albumit të saj të fundit, “Future Nostalgia”.
Gjatë muajit nëntor të vitit të ardhshëm, bukuroshja me prejardhje kosovare dhe famë botërore do të mbajë koncerte në qytetet të ndryshme, si Auckland, Brisbane, Sydney, Melbourne, Adelaide dhe Perth. Nuk është konfirmuar ende se kush do të jenë artistët tjerë që do ta shoqërojnë në këto perfomanca, por bëhet e ditur se biletat e koncerteve do të dalin në shitje nga 23 shtatori.
Në fillim të këti muaji, këngëtarja i gëzoi fansat duke e paralajmëruar rikthimin në skenë me turneun e Amerikës Veriore, i cili fillon në shkurt të vitit të ardhshëm, me një koncert në qytetin bregdetar Miami, kurse do të përmbyllet më 1 prill në Vancouver. Në disa prej këtyre koncerteve, ylli i hitit “Levitating” në skenë do të shoqërohet nga yjet tjerë të muzikës, si Megan Thee Stallion, Caroline Polachek dhe Lolo Zouaï.
“Jam shumë e lumtur që do të realizoj sërish turne dhe do t’i takojë personalisht engjëjt e mi! Është e mahnitshme që të gjithë do të kemi mundësi të vallëzojmë dhe festojmë së bashku. Kur po i shkruaja këngët e albumit ‘Future Nostalgia’, e imagjinoja që ato të transmetoheshin në klube të natës kur të gjithë të ishin me shoqëri duke festuar. Prandaj, jam shumë e lumtur që kjo dëshirë më në fund po realizohet. Mezi pres t’i përjetojë këto këngë live, bashkë me ju”, kishte deklaruar këngëtarja në një prononcimin për media.
Dua Lipa e lansoi albumin “Future Nostalgia” në mars të vitit 2020, në kohën kur bota hyri në karantinën e parë dhe të gjitha ngjarjet kulturore u pezulluan për shkak të pandemisë. Kah fundi i atij viti, ylli i hitit “Don’t Start Now” e mbajti një koncert virtual të titulluar “Studio 2054”, ngjarje kjo e cila u përcoll nga një numër rekord i shikuesve.
Albumi i dytë i këngëtares 26-vjeçare i solli asaj suksese të jashtëzakonshme në platformat dhe toplistat muzikore, si dhe ia fitoi disa shpërblime prestigjioze të muzikës, si “Grammy”, “BRIT Award”, “American Music Award”, “MTV Video Music Award” dhe të tjerë. Pothuajse secila këngë e albumit është shndërruar në hit të menjëhershëm, janë transmetuar nëpër televizione dhe radiostacione të njohura anembanë botës dhe u pozicionuan lartë në toplista të ndryshme.
Në lajme të tjera, gjatë fundjavës Lipa ishte në Las Vegas ku perfmroi në kuadër të ngjarjes së përvitshme, “iHeartRadio Music Festival”. Para të pranishmëve në skenë, këngëtarja e solli një performancë energjike dhe argëtuese të hiteve, “Physical”, “Love Again” dhe “Hallucinate”.
“Vegas kjo është një eksperiencë e mahnitshme. Po kthehem në skenë për herë të parë nga fillimi i vitit 2020, prandaj ka kaluar ca kohë pa performuar live para publikut. Shpresoj që po kaloni mirë dhe jeni duke u argëtuar”, citohet të ketë thënë Lipa para të pranishmëve në arenën “T-Mobile”.
Gjatë mbrëmjes së premte, Dua gjithashtu u nderua me çmimin “Titanium Award”, për hitin e saj “Levitating” i cili ka arritur të transmetohet 1 miliard herë nëpër radiostacionet e “iHeartRadio”. Versioni i kësaj kënge i sjell në bashkëpunim me reperin DaBaby, ka arritur të thyej rekorde edhe në “Billboard Hot 100”, duke u bërë kënga e parë e një solo këngëtareje që i kalon 35 javë në dhjetë pozitat e para të kësaj topliste.
Gjatë fundjavës Lipa i ndau disa fotografi nga vizita e saj në Las Vegas, në mesin e së cilave shihej në shoqërinë e reperes së famshme amerikane, Megan Thee Stallion. Kjo e fundit ishte në Vegas me rastin e festivalit të qytetit, “Life Is Beautiful”, dhe siç duket shoqëria mes dy artisteve po shkon duke u bërë edhe më e mirë. Shumë shpejtë ato pritet ta ndajnë skenën së bashku, pasi Megan Thee Stallion do të jetë pjesë e disa koncerteve të turneut të shumëpritur të Dua Lipës, në Amerikën Veriore. / KultPlus.com