Duro për ATSH-në: Muse-X, përfitime Shqipërisë në ekonomi dhe turizëm

13 Prill, 2025 - 2:30 pm

Festivali dhe panairi muzikor Muse-X që ka hapur dyert të premten në kryeqytet, ka sjellë një valë aktivitetesh dhe konferencash të rëndësishme për industrinë e muzikës dhe turizmit.

Të pranishmit, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe sektorit privat, vlerësuan iniciativën si një katalizator të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Herida Duro, Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, theksoi rëndësinë strategjike të këtij panairi për promovimin e Shqipërisë si destinacion kulturor dhe turistik.

“Festivali, një aset kombëtar”, tha Duro.

Në një prononcim për ATSH-në Duro deklaroi se, “në konferencën e organizuar në kuadër të këtij eventi  më vjen mirë arrita të shpreh dhe të ndaj evolucionin e muzikës dhe festivaleve, të cilat gjithmonë e më shumë po ofrojnë për publikun shqiptar dhe atë të huaj atë që ne e quajmë atraksion të festivaleve kulturore”.

“Që këto festivale të mos jenë thjesht aktivitete zbavitëse, ajo që u nënvizua sot nga të gjithë panelistët ishte rëndësia e një përmbajtjeje cilësore dhe mbështetje institucionale për t’i bërë ato të qëndrueshme dhe për të zhvilluar një ekonomi lokale të fortë”, u shpreh Duro.

Ajo theksoi se muzika konsiderohet si motor ekonomik dhe turistik.

Duro shtoi se festivali muzikor duhet trajtuar si një aset kombëtar, në momentin që brenda tij zhvillohen produkte që shpalosin vlerat unike të vendit.

“Mirëpritja dhe mundësia për të shëtitur në zonat më të veçanta të Shqipërisë i përgjigjet kërkesave të turistëve që kërkojnë përvoja të plota kulturore. Jam e impresionuar nga ky organizim, sepse pas 20 vitesh përfaqësim në këtë industri, më në fund kemi një panair që sjell në pah kreativitet të jashtëzakonshëm. Kjo është një ngjarje që duhet të përsëritet çdo vit, por gjithmonë me një vizion më të pjekur dhe objektiva konkrete”, tha ajo.

Sipas saj, një element i rëndësishëm në këtë sektor është edhe teknologjia në shërbim të promovimit

Në këtë prizëm, Duro solli në vëmendje aplikacionin kombëtar, Tourism Events of Albania (TEA), i cili mbledh dhe publikon të gjitha ngjarjet kulturore që zhvillohen në të gjithë territorin shqiptar. Sipas saj, ky aplikacion është një mjet shumë efikas për promovimin e vendit dhe për krijimin e vendeve të reja të punës./ KultPlus.com

Të ngjajshme