26 Tetor, 2024 - 11:56 pm
Të enjten, në një ambient që kishte bërë bashkë shumë dashamirë të muzikës, u bë promovimi i librit ‘Dy botë në unison’, një monografi nga autorja Elife Podvorica, kushtuar dirigjentin dhe kompozitorit Bai Jashari, shkruan KultPlus.
Ky libër, shpalos krijimtarinë dhe veprimtarinë e maestros Jashari ndër dekada. Të shoqëruara me imazhe, ky libër vjen si një dokumentim i gjithë kontributit të tij në zhvillimin e Filaharmonisë së Kosovës ku ushtroi pozitën e drejtorit për shumë vite, dhe jo vetëm.
Autorja e librit, Elife Podvorica, e cila është edhe bashkëshortja e Baki Jasharit, u shpreh se ky libër nuk e ka për qëllim që ta promovojë maestron, mirëpo që të jetë një dëshmi për brezat e ardhshëm.
“Libri mesazhin kryesor e ka, jo për ta promovuar Bakiun, sepse i dimë të gjithë punët dhe veprimtarinë e secilit, mirëpo do të jetë një lloj dëshmie për brezat e ardhshëm që vijnë, që të kenë ku të referohen dhe ta kenë një material. Nëse kemi vullnet më tutje do t’i bëjmë edhe disa përmirësime që kanë rrëshqitur teknikisht në libër. Është një iniciativë tjetër që libri të ketë përkthim edhe në gjuhën angleze dhe në gjuhën sllovene natyrisht sepse ua kemi borxh, pas gjithë asaj mbështetje që na e kanë dhënë”, theksoi Podvorica
Ndërkaq, vetë protagonisti i këtij libri, Baki Jashari, thotë se pavarësisht se hezitoi që ky libër të shkruhet, pasi e lexoi për herë të parë i erdhi edhe vetë si nostalgji për shumë gjëra që ndonjëherë edhe mund t’i harrojë.
“Unë tash vonë e kam marrë librin, ndonëse Elifja ka qenë vazhdimisht duke punuar në të, unë asnjëherë nuk e kam shikuar se çka ka shkruar, ndonëse kam qenë non stop i intervistuar.”, u shpreh Jashari i cili thotë se ndonëse ka hezituar deri diku që ky libër të shkruhet, thotë se nëpërmjet tij kuptoi se sa shpejt kanë shkuar ato vite të jetës së tij.
E pranishme në këtë panel ishte edhe profesoresha e Fakultetit të Arteve, Besa Luzha, e cila theksoi rëndësinë e këtij libri në aspektin e historikut të zhvillimeve muzikore.
“Ky botim është një kontribut shumë i rëndësishëm për të plotësuar vëllimin e literaturës sonë si në aspektin e muzikologjisë ashtu edhe në aspektin e botimeve që tregojnë zhvillimet muzikore. Autorja ka përdorur metodën e historisë jetësore, që është një metodë shumë e përdorur në kërkimet shkencore cilësore, e cila përmes tregimeve personale të personazheve të ndryshme, siguron një kuptim të thellë të përvojave të një individi duke hulumtuar edhe për informatat dhe kontekstet për periudhën ky personazh ka jetuar dhe ka veruar”, u shpreh Luzha.
Publicisti Samir Piraj, i cili ishte po ashtu i pranishëm në këtë panel, tha se ky libër flet për një reputacion të padiskutueshëm siç është ai i Baki Jasharit.
“Kjo është një monografi për dirigjentin dhe kompozitorin Baki Jashari, i cili tashmë me dekada është në ballë të institucioneve dhe është njeri i cili ka krijuar një bazament të jashtëzakonshëm të vlerave krijuese. Libri “Dy botë në Unison’ nga autorja Elife Podvorica shënjëzon një biografi të vetë kompozitorit Baki Jashari dhe krijon një imazh për një vlerë dhe një reputacion që tashmë është i padiskutueshëm”, u shpreh Piraj në fjalimin e tij./KultPlus.com