29 Tetor, 2020 - 12:30 pm
Dy instrumentistë shqiptarë mbrëmjen e kaluar ishin protagonistë të një koncerti të organizuar në Sanntiago de Compostela (Spanjë).
Violinisti Florian Vlashi dhe Maniola Camuset – Trebicka kishin përzgjedhur Sonatë nga M. del Adalid si dhe një sërë veprash nga J. De Monasterio, E Osterbeger dhe E. Granados. Violinisti shqiptar ia kushtoi koncertin të atit regjisor, përkthyes dhe shkrimtar Gjergj Vlashi, i cili ndërroi jetë tre javë më parë në Durrës.
Numri i kufizuar i shikuesve në sallë për shkak të protokollit të pandemisë, nuk i pengoi artistët që të interpretojnë një koncert të dytë në të njëjtën mbrëmje, duke iu përgjigjur kërkesave të publikut.
Mes shikuesve nuk mungoi ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Gazmend Barbullushi.
Pianistja Manjola Camuse Trebicka prej vitesh e zhvillon karrierën e saj artistike në Paris. Violinisti Florian Vlashi që nga viti 1992 është instrumentist në Orkestrën Simfonike të Galicisë (Spanjë), si dhe organizon në Durrës “Bienalen Netët e Muzikës Klasike”./atsh/ KultPlus.com