6 Prill, 2018 - 10:30 am
Qyteti i Pejës sonte do t’i presë dy kore që vijnë për herë të parë në Kosovë, është kori HPD “Slavulj” (kori më i vjetër në Kroaci) nga Petrinja, dhe Kori Akademik i Burrave të Fakultetit Elektroteknik dhe Kompjuterik – FER, të Univerzitetit të Zagrebit, të cilat udhëheqën nga kompozitori dhe dirigjenti i njohur kroat Josip Degl’ Ivellio.
Në këtë koncert do të paraqiten edhe kori “Siparantum” dhe kori i shkollës së mesme të muzikës “Halit Kaspolli” – Pejë, të cilat udhëheqën nga dirigjenti Memli Kelmendi. Ky koncert mbahet në Kino “Jusuf Gërvalla”-Pejë.
Ndërsa, me datën 7 prill kori HPD “Slavulj” dhe “FER” do të mbajnë koncert në famullinë “Zoja e këshillit të mirë” në qytetin e Klinës, për të vazhduar të dielen me 8 prill në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, që mbahet në kuadër të festivalit internacional të muzikës “DAM”. Dirigjenti Josip Degl’ Ivellio paraqitet për herë të dytë në festivalin DAM, vitin e kaluar ka dirigjuar me korin “Siparantum”, që njëherit ishte debutimi i parë i këtij kori.Të gjitha koncertet fillojnë në ora 20:00h.
Organizator i këtyre koncerteve është kori “Siparantum Choir” nga qyteti i Pejës, kjo si rrjedhojë e bashkëpunimit në mes të dirigjentit Memli Kelmendi dhe dirigjentit Josip Degl’ Ivellio nga Kroacia.
Kori “Slavulj” nga Petrinja është themeluar në vitin 1864 dhe është kori më i vjetër që ka ekzistuar gjatë 154 viteve në Republikën e Kroacisë. Është një nga iniciatorët bashkë-organizatorët dhe organizatori i pesë festivaleve të para të koreve kroate, të cilat u mbajtën në Petrinje nga viti 1968 deri në vitin 1972. Është gjithashtu bashkë-organizator i festivaleve të vogla vokale kroate, të cilat u mbajtën në Petrinje në vitin 2008, 2012 dhe 2014.
Kori përformon në Petrinje, Sisak, Moslavina dhe në vende, qytete të tjera në Republikën e Kroacisë dhe jashtë saj. Repertori është i gjërë dhe i ndryshëm dhe përfshin vepra shpirtërore, mesha, literature klasike për kore, pjesë operash, mjuzikëll, këndim polifonik modern, vepra të kompozitorëve kroatë, evropianë dhe botërorë. Maestro Josip Degl’ Ivellio është dirigjent i korit i cili përfshin korin e përzier, ansamblin vocal mashkullor “Petrinjski Slavulji” (që ekzistonte gjatë luftës 1991-1995 në mërgim), kori i fëmijëve të qytetit (i organizuar nga Vesna Brebrić) dhe ansambli vokal i grave “Petrus” (drejtuar nga Jasmina Augustić). “Slavulj” regjistroi dymbëdhjetë CD nën dirigjimin e maestro Josip Degl’ Ivellio-së. Kori është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.
Kori Akademik i Burrave të Fakultetit Elektroteknik dhe Kompjuterik të Univerzitetit të Zagrebit u themelua më 11 janar 2016 me iniciativën e maestro Josip Degl’ Ivellio dhe dekanit prof. dr. sc. Mislav Grgić. Në repertorin e tij, kori thekson literaturën klasike korale, kryesisht nga kompozitorët kroatë. Për më tepër, repertori I korit përfshin edhe kompozime të repertorit klasik nga renesanca në muzikën bashkëkohore, si dhe kompozimet dhe kompozime klapa të polifonisë bashkëkohore popullore. Si anëtarë të korit janë të pranishëm edhe ish-studentë, dhe pjesë e stafit të fakultetit, si dhe miq të tjerë të interesuar dhe mbështetës të ansamblit. Përgjegjësi i korit është Josip Degl’ Ivellio, dirigjent, udhëheqës i korit dhe kompozitor nga Zagrebi, dhe prefekti i korit është prof. dr. sc. Mislav Grgić, professor i rregullt në Departamentin e Komunikimeve “Wireless” në FER, i cili është anëtar nderi i HPD “Slavulj” që nga dhjetori i vitit 2016. Gjatë vitit të pare të themelimit (2016), kori kishte 17 përformanca, që është dëshmi e një kori me cilësi shumë të lartë, një gjë e rallë në Kroaci sot. Në konkursin e 8-të ndërkombëtar të këndimit koral “The Golden Lime Tuhelj” më 3 qershor 2017, kori fitoi “Pllakën e Artë” dhe konkurroi për çmimin e madh të konkursit./KultPlus.com