5 Mars, 2021 - 9:40 am
Vëllezërit nga Shkodra, Elis dhe Anxhelo Shkoza, jetojnë prej vitesh në Romë, aty ku karrierën dhe veprimtarinë e tyre ia kanë dedikuar muzikës, prej vitesh merren me muzikë ndërkohë që së fundi kanë një shtëpi diskografike të tyren.
Ata drejtojnë një label muzikor (Techpro SRL) dhe qëllimi i tyre është tregu ndërkombëtar italian, por pa harruar edhe atë shqipfolës
Së fundi për ta është folur shumë në media, pasi kanë arritur të bashkëpunojnë me vajzën e artistit Albano Carrisi, Jasminën. Dy djemtë zbulojnë më shumë për këtë projekt në “Shiqpëria live”. “Na u duk bashkëpunim shumë i vlefshëm, Jasmine është një talent në ngjitje. Ne kemi qenë në shtëpinë e tyre, na pritën shumë mirë. Kënga është e gjitha e prodhuar nga ne. Jemi në realizimet e fundit, do të jetë këngë verore, e stilit regatton”.
Madje zbulojnë, se me prodhimet e tyre do të konkurojnë në festivalin e Sanremos, vitin e ardhshëm, pa dhënë më shumë detaje se me cilin këngëtarë do të bashkëpunojnë. Po ashtu, shtojnë se janë në kontakt me “SonyPictures” për disa projekte, që mund të ndikojë që të njihen më shumë ndërkombëtarisht.
Megjithatë, përveç emrave të njohur të artistëve të huaj Elisi dhe Anxhelo nuk kanë lënë pas muzikën shqiptare dhe numërojnë disa bashkëpunime me këngëtarë të muzikës popullore shqiptare.
“Që në fillim kemi pasur bashkëpunime me artistë shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.” / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com