13 Prill, 2019 - 7:30 pm
Mbrëmë në kuadër të Chopin Piano Fest erdhi një bashkëpunim i veçantë. Pianisti Ljubomir Gasparovic interpretoi së bashku me djalin e tij, pianistin Danijel Gasparovic për herë të parë në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ata për publikon sollën vepra të kompozitorëve të njohur duke filluar me veprën “Waltzes, OP.39”, të kompozitorit dhe pianist gjerman Johannes Brahmas. Pastaj publikut i dhuruan pjesë nga repertori i kompozitorit të njohur kroat, Boris Papadopulos, për të vazhduar me kompozitorin Francis Poulenc pastaj me Franz Schubert duke e përmbyllur këtë mbrëmje me veprën “Slavonic Dance, OP.46 and OP.72” të kompozitor çek të muzikës romantike Antonín Dvořák.
Sipas pianistit Danijel Gasparovic një përzgjedhje e tillë është bërë që të sjellë pjesë të ndryshme mirëpo edhe të tilla që gërshetojnë brenda vetës edhe motive folklorike të të gjithë popujve në Ballkan si ajo e mjeshtrit Papadopulos.
“Është hera e parë që kam luajtur në Prishtinë. Unë por edhe babai kemi kaluar një kohë të mirë këtu dhe shpresojmë që të vijmë përsëri. Unë jam duke ndihmuar festivalin për të sjellë artistë të njohur këtu dhe kemi bashkëpunuar në këtë drejtim së bashku, një bashkëpunim i mrekullueshëm”, u shpreh Danijel Gasparovic për KulPlus.
Në anën tjetër koordinatorja e këtij programi , Besa Luzha, u shpreh teje e kënaqur me përzgjedhjen që kanë bërë pianistët për këtë mbrëmje.
“Çdo mbrëmje po është shumë interesante dhe shume ndryshme, ku nuk ka përsëritje, por ka laramani programesh. Sot u kënaqem më këtë program me katër duar ku kishte vepra që janë shumë të dashura për publikun”, tha ajo për KultPlus.
Sonte në kuadër të festivalit do të jetë pianisti Clemens Rave nga Gjermania dhe violinisti kosovar Visar Kuqi./Xheneta Uka/ KultPlus.com