16 Prill, 2022 - 12:31 pm
Një revolucion në muzikën shqipe, Violeta Rexhepagiqi lehtë mund të njihet nga fotografitë e rinisë së saj të hershme.
Një grua e bukur, e mençur, një stil unik dhe i veçantë e deri asokohe edhe i paparë për syrin e shqiptarëve, nga një shqiptare, Violeta Rexhepagiqi nisi një karrierë të suksesshme e cila do të ndërpritej pas një aksidenti të tmerrshëm.
E lindur në vitin 1965, ajo mbetet një prej këngëtareve më avangarde të një kohe tjetër në Kosovë.
Mësimet e para Violeta i ndoqi në shkollën e qytetit – “Faik Konica”. Pas suksesit me këngë dhe si spikere për programe të fëmijëve në “Radio Prishtinë” ajo filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ultë të muzikës.
Ajo ka interpretuar rreth 40 këngë për fëmijë për të kaluar më pas në një dimension tjetër, në këngët për të rritur, aty ku edhe dolën hitet e saj si solo këngëtare por edhe bashkë me Armend Rexhepagiqin e Aida Barakun.
Një grua me plot elegancë dhe e suksesshme, ajo punoi për një kohë edhe pranë televizioneve të huaja, duke raportuar edhe rreth luftës në Kosovë. Violeta në ndërkohë punoi edhe në Radio Televizionin e Kosovës./ KultPlus.com